Armë, municion dhe pajisje të tjera janë gjetur të martën në dy banesa në Mitrovicë të Veriut.
Policia ka njoftuar se banesa ishte e uzurpuar dhe e mbyllur.
Aty thuhet se janë gjetur dhe sekuestruar 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm, municion për pushkë ajrore, një optik për armë të gjatë, një kuti për mbushje të municionit, një fotrollë për pistoletë, dy gaz-maska, dy video-kamera dhe 1 video-kasetë e vogël, dokumente të ndryshme, një foto-aparat, një lexues (DVD) dhe një vulë e rrumbullakët.
Tutje është bërë e ditur se është identifikuar bashkëshortja e personit, i cili dyshohet se e ka uzurpuar pronën, e cila banonte në një banesë aty afër.
“Në bazë të dyshimeve është zhvilluar kontroll edhe në banesën tjetër ku policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, një tytë e armës së shkurtë, një fishek dhe një armë (e modifikuar, stilo-laps)”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara M.A., 56 vjeç, e cila është intervistuar, dhe ndaj saj me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit e dyshuar është liruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregullt.