Mallra të padeklaruara në vlerë rreth 3,300 euro janë zbuluar nga oficerët doganorë në Vërmicë gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të territorit të Kosovës.
Kontrolli u realizua pasi automjeti tentoi të shmangte pikën e kontrollit doganor, është bërë e ditur nga Dogana.
“Në momentin e ndalimit, drejtuesi i mjetit kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar, por gjatë inspektimit të bagazhit u gjetën disa pako me mallra pa fatura dhe dokumentacion përkatës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, mallrat e padeklaruara përfshijnë një sasi të konsiderueshme të produkteve kozmetike, estetike dhe farmaceutike, si kremra për kujdes të lëkurës, serume, peeling dhe tonera, solucione për trajtime dermo-estetike, fillerë për buzë dhe fytyrë, pajisje për microneedling dhe derma roller, vitamina dhe suplemente (Vitamin D3, Devit, Feroven), solucione injektuese të ndryshme, produkte për trajtim të flokëve.
Për rastin është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave ligjore.