Kronikë

Edhe rreth 30 vila u sekuestruan në zonën e dytë të parkut nacional “Sharri”

Rasti Brezovica

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka vazhduar aksionin për sekuestrimin e vilave të ndërtuara jashtëligjshëm në zonën e dytë në parkun nacional “Sharri” në Brezovicë.

Gjatë së mërkurës u sekuestruan rreth 30 vila, në hyrje të të cilave u vendosën njoftimet se ato duhen liruar brenda tri ditësh. Krahas kësaj, u ndërprenë punimet në disa ndërtime të reja, e të cilave u janë vendosur edhe shiritat e sigurisë.

Rasim Maloku, prokuror në Gjykatën Themelore në Ferizaj, tha se aksioni nuk do të ndalet me kaq.

“Pasi të përfundojmë me zonën e dytë është një procedurë e kërkesave për gjykatë, pastaj do të vazhdojmë edhe me zonën e tretë pasi t’i sigurojmë të gjitha informacionet dhe shënimet nga e gjithë inspektorati qendror në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për kushtet e ndërtimit për të parë se këto objekte a i plotësojnë standardet që kërkohen sipas ligjeve për ndërtime në këtë zonë”, tha Maloku.

Gjatë sekuestrimit, pronari i një vile që refuzoi të fliste para kamerës, i tha policisë se atë e ka blerë dhe ka leje ndërtimore. Por, Policia e urdhëroi që brenda një afati duhet që ta lirojnë.

Prokurori Rasim Maloku tregoi se asnjë nga pronarët e këtyre vilave nuk ka të drejtë t’i shfrytëzojë, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës.

Aksioni “Brezovica” nisi më 21 dhjetor të vitit të shkuar e deri më tash, janë arrestuar dhjetëra persona dhe është bllokuar një sasi e konsiderueshme e parave.

Të martën, u sekuestruan përkohësisht rreth 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës.