Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Dyshohet se vrasja në Malishevë ndodhi pas një mosmarrëveshjeje në punë

Në mëngjesin e së mërkurës ndodhi një rast i vrasjes në Banjë të Malishevës. Një person dyshohet se ka vrarë kolegun e punës dhe më pas është dorëzuar në Polici. E institucionet e drejtësisë bënë të ditur se dyshohet që vrasja ndodhi shkaku i disa mosmarrëveshjeve në punë

Plumbi i shkrepur nga arma e kolegut dyshohet se ia mori jetën një qytetari nga Suhareka, mëngjesin e së mërkurës.

Viktima me inicialet A.B. dhe i dyshuari për vrasjen, me inicialet I.Z, sipas Policisë, ishin kolegë dhe punonin si bageristë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në Polici njoftuan se ngjarja ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit, teksa dorasi e la viktimën në një veturë pranë një pompe derivatesh në fshatin Banjë të Malishevës.

“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull, i moshës madhore, është gjetur pa shenja jete, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, ka konstatuar vdekjen e tij”, ka njoftuar Policia.

Pas kryerjes së vrasjes, i dyshuari për rastin është dorëzuar vetë në Polici.

Menjëherë pas rastit, siç ka njoftuar Policia, personi i dyshuar për këtë vrasje është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë.

Por, para se të mbërrinte në stacionin policor, lajmin për veprën që e kreu ua kumtoi fillimisht familjarëve.

Hysen Hoxha, kryetari i fshatit Bellanicë, theksoi se përveç aktit që e ka kryer, i dyshuari nuk ua ka treguar familjarëve edhe arsyet që çuan deri te vrasja.

“Familja e kanë pritur shumë rëndë dhe nuk kanë informacione si ka ndodhur. Ky ka ardhur te shpija dhe ka thënë që e kam bërë një vepër dhe ka shkuar. Nuk ka biseduar asgjë, as vëllai i tij nuk din asgjë, asnjë informacion as që ka pasur diçka të keqe me atë djalë”, ka thënë Hoxha.

Por në Prokurorinë e Gjakovës bënë të ditur se dyshohet që vrasja ka ndodhur pasi viktima dhe dorasi kanë pasur një mosmarrëveshje në punë.

Personi i dyshuar për rastin është vënë në mbajtje prej 48 orësh, deri në caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata.

Gjatë këtij viti janë shtuar rastet e vrasjeve në nivel vendi, krahasuar me vitin paraprak. Sipas statistikave të ofruara nga Policia, gjatë gjithë vitit 2022 janë evidentuar 21 vrasje, teksa vetëm gjatë muajve janar-shtator të këtij viti, janë shënuar 24 syresh.