Raportohet se ka vdekur gjyqtari Astrit Kalaja.

Siç raporton Top Channel, ai është qëlluar me armë zjarri në sallën e gjyqit të Apelit në Tiranë.

Po ashtu bëhet e ditur se janë plagosur dhe dy persona që ndodheshin në sallë, babë e bir.

Sipas hetuesve, ngjarja ka të bëjë me detyrën e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte një çështje pronash. 

“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, thuhet në njoftim zyrtar të Policisë.

Lidhur me rastin janë arrestuar tre persona.


“E qëllova sepse po e humbisja gjyqin” – deklarata e të arrestuari për vrasjen e gjyqtarit

GJ.SH, i dyshuari për vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Tiranë, Astrit Kalaja, e ka pranuar krimin në Komisariatin Numër 1.

Ai ka pranuar vrasjen, ndërkohë që ka thënë se e ka qëlluar gjyqtarin pasi po humbiste një çështje për pronat, raporton Gazeta Panorama.

“E qëllova sepse po humbisja një gjyq. Isha korrekt me letrat e mia”, ka dëshmuar autori Gjon Shkëmbi në Komisariatin Numër 1.

VIDEO:

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, KGJK: Kjo ngjarje e rëndë përbën një goditje të madhe për shoqërinë

3 j. më parë / 6 tet 2025 21:45
KGJK

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), i është drejtuar me letër ngushëlluese Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë, përkatësisht kryetarit Ilir Rusi, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, vlerëson se “kjo ngjarje e rëndë përbën një goditje të madhe jo vetëm për sistemin e drejtësisë shqiptare, por për të gjithë shoqërinë, duke cenuar rëndë vlerat themelore të shtetit të së drejtës dhe sigurinë e atyre që janë në shërbim të zbatimit të ligjit”.

Ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku është qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, i cili për pasojë ka humbur jetën. Nga të shtënat janë plagosur gjithashtu dy persona të tjerë, palë në një proces gjyqësor.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç, palë në proces, ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe shtetasve R. K., 65 vjeç, dhe E. K., 45 vjeç, babë e bir, pala tjetër në proces.

Me dhimbje të thellë morëm lajmin tronditës për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u nda tragjikisht nga jeta gjatë ushtrimit të detyrës në shërbim të drejtësisë. Kjo ngjarje e rëndë përbën një goditje të madhe jo vetëm për sistemin e drejtësisë shqiptare, por për të gjithë shoqërinë, duke cënuar rëndë vlerat themelore të shtetit të së drejtës dhe sigurinë e atyre që janë në shërbim të zbatimit të ligjit. Në emër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë me familjen e tij, me kolegët dhe me gjithë sistemin gjyqësor të Republikës së Shqipërisë. Në këtë moment të rëndë për drejtësinë shqiptare, ndajmë dhimbjen tuaj dhe nënvizojmë nevojën për reflektim institucional dhe shoqëror. Kujtimi për jetën dhe veprën e tij të mbetet një shembull i qëndrueshëm frymëzimi dhe nderimi në shërbim të drejtësisë”, thuhet në letrën e ngushëllimit.

 

BE-ja dhe OSBE-ja dënojnë vrasjen e gjyqtarit

3 j. më parë / 6 tet 2025 20:16
BE-ja dhe OSBE-ja dënojnë vrasjen e gjyqtarit

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe OSBE-ja kanë reaguar duke dënuar ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe mbi plagosjen e dy qytetarëve brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, e ndodhur sot rreth orës 15:00.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri shprehet i tronditur ndërsa ka dënuar me forcë aktin kriminal siç e ka quajtur ky institucion.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri është i tronditur nga akti i dhunës që çoi në vrasjen e gjyqtarit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë. Ne e dënojmë me forcë këtë akt kriminal,” thuhet në deklaratë, transmeton RTSH.

BE shprehu ngushëllimet më të thella për familjen e gjyqtarit Kalaja dhe theksoi nevojën e menjëhershme për rritjen e sigurisë.

“Kjo tragjedi nënvizon nevojën e ngutshme që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në sallat e gjyqit,” thuhet m tej në deklaratë.

BE ritheksoi angazhimin e saj të palëkundur për të mbështetur konsolidimin e reformës në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Ndërkaq Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shprehu gjithashtu hidhërimin dhe dënoi me ashpërsi aktin e rëndë.

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë,” thuhet në reagimin e OSBE-së.

Organizata i shprehu ngushëllimet familjes dhe kolegëve të gjyqtarit Kalaja dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

“Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm. Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike,” theksohet në deklaratën e OSBE-së.

OSBE mirëpriti arrestimin e shpejtë të autorit dhe nënvizoi rëndësinë e një procesi ligjor të plotë dhe të shpejtë për vendosjen e drejtësisë.

“Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor,” përfundon deklarata.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku është qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, i cili për pasojë ka humbur jetën. Nga të shtënat janë plagosur gjithashtu dy persona të tjerë, palë në një proces gjyqësor.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç, palë në proces, ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe shtetasve R. K., 65 vjeç, dhe E. K., 45 vjeç, babë e bir, pala tjetër në proces.

Begaj: Vrasja e gjyqtarit Kalaja është atentat makabër ndaj sistemit të drejtësisë

3 j. më parë / 6 tet 2025 17:45
Bajram Begaj

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është thellësisht i tronditur dhe dënon me gjuhën më të ashpër këtë akt.

Begaj ka thënë se ky sulm ndaj drejtësisë duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzje dhe mospajtim të thellë.

“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja. Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale. Në emër të shtetit i gjendem pranë familjes së të ndjerit dhe kolegëve të tij të afërt e të largët, si dhe shpreh solidaritetin e plotë të shqiptarëve me dhimbjen e pakufishme për humbjen”, ka shkruar Begaj në Facebook.

Rama: Agresioni kriminal ndaj gjyqtarit kërkon përgjigjen më ekstreme ligjore

3 j. më parë / 6 tet 2025 17:40
Edi Rama

Photo: Associated Press

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar “përgjigje ekstreme ligjore” ndaj autorit të vrasjes së gjyqtarit në Shqipëri.

Sipas tij kjo tragjedi kërkon reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme  të gjykatave.

“Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit. Por kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit! Ndërkohë, kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojëra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme! Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësor”, ka thënë ai. /tch