Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se të mërkurën është arrestuar një zyrtar policor me detyrë në Njësinë Speciale Operative (Divizioni i Njësive Speciale).
Në njoftim thuhet se të njëjtit me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë lidhur me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
“Në kuadër të veprimeve hetimore dhe me autorizim të organeve të drejtësisë, hetuesit e IPK-së kanë kryer edhe bastisje në objektin e banimit në Vushtrri ku jeton i dyshuari. IPK në interes të hetimit dhe bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e të njëjtit”, thuhet në njoftim.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës thuhet se pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast.