Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim të dyshuarit për sulm seksual ndaj vajzës së tij

Gjykata Themelore në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muajit të dyshuarit për sulm seksual ndaj vajzës së tij të mitur, e cila pas incidentit e njoftoi prindin tjetër dhe më pastaj rasti u raportua në polici.

Në kërkesën e Prokurorisë ku kërkohej një muaj paraburgim për të dyshuarin, thuhet që me datën 1 prill, dyshohet që ai ka vepruar në mënyrë të papërshtatshme dhe pa pëlqimin e vajzës së tij të mitur përdori përmbajtje të papërshtatshme dhe bëri kërkesa të papranueshme.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë thuhet po ashtu që për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe për të mbrojtur privatësinë e personave të përfshirë, veçanërisht të vajzës së mitur, detajet janë të kufizuara.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. Me këtë vendim, i pandehurit M. S., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 07 prill 2026 deri më 06 maj 2026”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Gjykatës në Gjakovë.