Kronikë

Dy inspektorë të Lipjanit dërgohen në Polici pas mosmarrëveshjes me pronarët e një objekti

Dy inspektorë të Komunës së Lipjanit janë shoqëruar në stacionin e Policisë në Lipjan pas një konflikti (fjalosje) me pronarët e një objekti banesor në rrugën “Skenderbeu”, në prezencë të Policisë së Kosovës, të mërkurën.

Inspektimet në këtë objekt privat kishin nisur prej kohësh, pasi që disa kate ishin ndërtuar disa vjet më parë. Pronarët e objektit nuk kanë dashur të flasin lidhur me këtë çështje. Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë fillimisht kanë qenë të ftuar për asistimin e inspektoratit, por ndërkohë dy inspektorë së bashku me palët tjera janë shoqëruar në polici.

“Policia e ka asistuar inspektoratin e Komunës në një rast punishte në një objekt banesor, ndërkohë aty ka pasur mosmarrëveshje ndërmjet inspektorëve dhe palës tjetër, ndërkohë policia ka shoqëruar në polici dy inspektorë dhe palën tjetër. Ndërkohë jemi duke e pritur vendimin e Prokurorisë për të vazhduar me procedura të mëtejme”, ka thënë Flora Ahmeti zëdhënëse e Policisë.

KOHA ka kontaktuar nëpërmjet telefonit edhe me drejtorin e inspektoratit në Komunën e Lipjanit Imer Rrustemi i cili ka thënë se inspektorët janë duke u intervistuar nga Policia pas një problemi që ka ndodhur me pronarët e një objekti banesor.

“Ai objekt është në procedurë dhe nuk e ka kompletuar dokumentacionin, ndërkohë ka filluar të ndërtohet duke na provokuar si Komunë në këtë situatë të fushatës zgjedhore. Inspektorët ua kanë ndërprerë punimet. Inspektorët janë duke dhënë deklaratë në Polici, lidhur me këtë rast”, ka thënë Rrustemi, duke sqaruar se disa kate të këtij objekti ishin ndërtuar në vitin 2008-2009.

Ndërkohë, sipas burimeve të KOHËS, zona në të cilën është duke u ndërtuar ky objekt gjendet në kategorinë “A” dhe lejohet ndërtim i lartë, por Komuna nuk i është përgjigjur asnjëherë kërkesave zyrtare të pronarëve për të vazhduar punimet.