Kronikë

Drejtori i Policisë së Shqipërisë flet për goditjen e trafikimit të armëve nga Kosova

Armët

Drejtori i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, ka folur se si po goditet trafikimi i armëve nga Kosova për në Shqipëri, me operacione të njëpashnjëshme. 

Ai tha se ka bashkëpunim shumë të mirë mes Policisë së Shqipërisë dhe asaj së Kosovës. 

“Vlerësim dhe mirënjohje të veçantë për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për finalizimin e operacionit të radhës, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme dhe të suksesshme të zhvilluara për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, si dhe të veprimtarisë kriminale të shitjes apo mbajtjes pa leje të armëve në Tiranë. Operacioni ‘Barriera’, si dhe operacionet dhe goditjet e realizuara përgjatë vitit 2025 dhe në fillim të këtij viti, janë dëshmi e një pune të mirorganizuar, profesionale, hetimore dhe operacionale, e strukturave të DVP Tiranë. Gjithashtu, konfirmojnë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Tiranës dhe partnerët ligjzbatues, si dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës, në funksion të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo paligjshmërie tjetër”, ka thënë Proda. 

Në operacionin “Barriera” për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri të dielën janë sekuestruar 12 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshoheshin se shiteshin në Fresk, ka njoftuar Policia e Shtetit. 

Në kuadër të operacionit është arrestuar shtetasi i Kosovës, D.B. (27). 

“Gjatë operacionit në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, shërbimet e Policisë kanë  lokalizuar mjetin e dyshuar dhe kanë ndërhyrë duke e ndaluar atë. Gjatë kontrollit të automjetit tip ‘Volkswagen’ me drejtues 27-vjeçarin, konkretisht nën kofanon e tij janë gjetur dhe sekuestruar 10 armë zjarri pistoleta Glock me municion luftarak.  Po në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar dhe dy pistoleta të tjera Glock, gjithsej 12 pistoleta. Nga hetimet ka rezultuar se 27-vjeçari do i shiste armët në zonën e Freskut”, ka njoftuar Policia e Shtetit.