(Përditësuar, 23:25) - Një zjarr ka shpërthyer në një objekt afarist në zonën industriale në Prishtinë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Nuk është raportuar për persona të lënduar.
Siç ka konfirmuar Zyra rajonale e Policisë në Prishtinë, informata për zjarrin në polici ka mbërritur rreth orës 20:00. Policia ka thënë se po zhvillon hetime për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Edhe pas mbi tri orësh, zjarrfikësit ende nuk e kanë lokalizuar zjarrin.
“Rreth orës 20:00, është raportuar për një zjarr aktiv në objektin e një kompanie në zonën industriale në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët po punojnë intensivisht për lokalizimin e zjarrit. Sipas informacioneve fillestare, dëmet janë të konsiderueshme, ndërkaq nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht po vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, ndërkaq, për të dalë në vendin e ngjarjes ka ftuar edhe zyrtarin për hetimin e shkaqeve të zjarrit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë në Prishtinë, Agron Borovci.
Ndërkaq në numrin emergjent të zjarrfikësve kanë bërë të ditur se në lokalizimin e zjarrit janë aktivizuar të gjitha njësitet.
Tymi tashmë ka mbuluar një pjesë të madhe të zonës.
Punëtorët e kompanisë, objekti i të cilit po digjet, shihen duke tentuar t'i shpëtojnë materialet nga pjesa e objektit që ende nuk është përfshirë nga zjarri.
