Kronikë

Dhëndri vë në gjumë me valium vjehrrin dhe vjehrrën në Librazhd, më pas u vjedh para

Librazhd

Një 36-vjeçar, I.K, dyshohet se u ka dhënë valium me sasi të lartë vjehrrit dhe vjehrrës për të vjedhur një shumë parash nga banesa e tyre në Librazhd.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ngjarja u zbulua pasi bashkëshortët e moshuar u dërguan fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim.

Falë veprimeve të shpejta të Policisë u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit, i cili rezultoi të ishte I. K., dhëndri i çiftit të moshuar.

Hetimet treguan se ai u kishte dhënë një dozë të lartë medikamenti qetësues të dyshuar si valium, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore dhe më pas kishte vjedhur paratë. Të dy bashkëshortët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave të vjedhura dhe një celular.