Kronikë

Dështon seanca gjyqësore ndaj Kastriot Islamit, që akuzohej për vrasje në tentativë

Ferizaj, 8 dhjetor – Ka dështuar seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore në Ferizaj ndaj Kastriot Islamit nga fshati Sojevë i Ferizajt që akuzohej për vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPK-së. Kjo për shkak të mospjesëmarrjes së palëve në gjykatë të premten.

Ndërkohë, KOHA ka siguruar aktakuzën e cila ishte ngritur ndaj të akuzuarit Islami, i cili më 1 shkurt të vitit 2015 me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Riza Kqiku, derisa ishte duke u kthyer nga Brezovica në drejtim të Ferizajt. I dëmtuari Riza Kqiku atë ditë ishte në veturë së bashku me bashkëshorten (F.K.) dhe djalin (S.K.), ndërkohë i pandehuri Kastriot Islami po udhëtonte me veturën e tij të tipit BMW në drejtimin e njëjtë nga Brezovica drejt Ferizajt.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot Islami e kishte ndalur veturën dhe fillimisht kishte filluar një konflikt verbal me të dëmtuarin se nuk ia kishte liruar rrugën të tejkalojë, pavarësisht se rruga ishte e kufizuar për shkak të të reshurave të borës. Fillimisht kishte filluar ta godasë me grushte djalin e të dëmtuarit, në pjesë të ndryshme të trupit.

“Në atë moment del nga vetura edhe Riza Kqiku, për ta qetësuar situatën në mes të pandehurit dhe djalit të tij dhe gjatë kësaj përleshjeje i pandehuri nxjerr një thikë, mjet ky i rrezikshëm dhe i papërshtatshëm, që të shkaktojë lëndime të rënda trupore dhe e godet të dëmtuarin Riza Kqiku në fillim në anën e djathtë të kokës afër veshit dhe një herë në gjoks në anën e djathtë dhe nga këto goditje i dëmtuari merr plagë të indeve të buta në regjionin tërthor dhe regjionin zverkor të anës së kokës dhe në anën e gjirit të anës së djathtë të gjoksit”, thuhet në aktakuzë.

Stacioni i Policisë në Shtërpcë, më 1 shkurt të 2015-s, kishte paraqitur kallëzim penal kundër të pandehurit Kastriot Islami, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer vepër penale, vrasje në tentativë nga neni 178, par 1 lidhur me nenin 28 KPRK-së, në kohë, në vendin dhe mënyrën e përshkruar në diapozitivin e këtij aktvendimi.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Riza Kqiku, para organeve të rendit, kishte deklaruar se pas këtij incidenti e kishte thirrur menjëherë Policinë e Kosovës dhe kishte marrë trajtim mjekësor në emergjencën e Shtërpcës e pastaj ishte dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim. “Unë kam thënë në polici se më ka goditur mua dhe djalin tim. Është ky në fotografi të parë me xhinse, bluzë bardhezi me vija dhe me këtë sako që në fotografi duket ngjyrë e zezë”, kishte thënë Kqiku.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, pas shqyrtimit të kallëzimit penal, konform nenit 104 par.1 të KPPRK-së, kishte marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më 23 dhjetor të 2015-s për shkak të veprës penale vrasje në tentativë nga neni 178 par. 1 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

I pandehuri Kastriot Islami, në mbrojtjen e tij të dhënë në stacionin policor në Shtërpcë më datën 1 shkurt të 2015-s, kishte thënë se ka qenë në qendrën e skijimit në Brezovicë dhe kishte qëndruar deri në orën 12:00 derisa e kishin thirrur familjarët. “Ju që po më akuzoni mua për vepër penale e ndiej veten jofajtor dhe është e vërtetë se vetura është e kompanisë sonë dhe se e kam dhënë “Rent-a-Car””, kishte thënë midis të tjerash Islami para organeve të drejtësisë.

Image
Faksimile e faqes së parë të aktakuzës ndaj Kastriot Islamit nga fshati Sojevë