Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Detaje tronditëse nga kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për Dejan Peleviqin

Dejan Peleviq

Të enjten ka dalë para Gjykatës, Dejan Peleviq, i dyshuar për krime lufte në komunën e Skenderajt.

Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muaji, ndaj të dyshuarit Peleviq.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

I dyshuari Peleviq në hetimet e zhvilluara dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skenderaj në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marr pjesë në operacion policor-ushtarak, ku kanë bërë dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta 15 civilë shqiptarë, si dhe zhdukur 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skënderaj.

Ai u arrestua të martën në Soqanicë të Leposaviqit.

Në kërkesën e Prokurorisë për paraburgim të siguruar nga KOHA thuhet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, përkatësisht me datë 20.03.1999, në qytetin e Skenderajt i dyshuari i lartcekur i uniformuar duke vepruar si zyrtar i MUP-it serb, së bashku me forcat policore, ushtarake e paraushtarake të Serbisë, me dashje, planifikim paraprak dhe role të ndara paraprakisht, në bashkryerje dhe me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kanë kryer veprime të kundërligjshme kundër popullatës civile të paarmatosur dhe të pa përfshirë në luftë, duke përfshirë vrasje, trajtim çnjerëzor, torturim, frikësim, shkatërrim të pasurisë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.

Tutje thuhet se forca të shumta të ushtarake dhe policore fillimisht ishin koncentruar në lokacionin Fabrikës së Municionit në Fshatin Prekaz dhe nga aty janë shpërndarë duke lëvizur në formacione – makineri ushtarake dhe policore.

“Formacionet ushtarake përforcojnë pozicionet periferike të qytetit duke vendosur makineri dhe personel shtesë në hyrje-dalje të qytetit dhe në disa pika dominonte me qëllim që të pamundësohet lëvizja e qytetarëve brenda dhe jashtë qytetit të Skenderajt. Bazuar në dokumentet e siguruara gjatë këtij hetimi dëshmohet mjaftueshëm se pjesëtarë të forcave serbe pjesëtarë të UJ dhe MUP-it Serb vepruan në mënyrë të organizuar dhe të planifikuar mirë. Disa formacione nga njësitë elitare të MUP që operuan direkt në kryerjen e krimeve ishin të veshura me uniforma të bardha, maska dhe dorëza të zeza. Një numër i forcave nga këto njësi dhe të identifikuar me veshje të kamuflazhit ngjyrë të bardhë lëvizen deri tek Stacioni Policor dhe aty në formacion rresht nga dy qëndruan për pak kohë derisa tre persona të veshur me mantele të bardhë, të ngjashëm me personel mjekësor, zbritën nga ballkoni i Stacionit Policor-Skenderaj dhe u dhanë injeksione pjesëtarëve të forcave serbe, më pas, forcat serbe u ndanë në dy drejtime: një formacion u drejtua kah shtëpitë përballë stacionit, ndërsa tjetri drejt Lagjes II të qytetit. Në mënyrë të koordinuar, grupe prej 3-4 pjesëtarësh hynin në secilën shtëpi, pastaj u ushtrua dhunë e rëndë, u vranë civilë të pafajshëm dhe u shkaktua terror në radhët e popullsisë shqiptare. Gjatë këtij operacioni të kundërligjshëm nga forcat serbe, në oborret dhe shtëpitë e Lagjes dhe në vendin e quajtur pishat, përveç dëbimit, djegies së shtëpive dhe pasurisë, plaçkitjes dhe torturës çnjerëzore ndaj banorëve, janë vrarë pesëmbëdhjetë (15) civilë shqiptar dhe kanë zhdukur gjashtëmbëdhjetë (16) civilë të tjerë shqiptarë, të paarmatosur dhe të pa përfshirë në luftë”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.