Kronikë

Dardan Krivaçës urdhërohet t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik

Ekzaminim psikiatrik do t’i bëhet Dardan Krivaçës, të dyshuar për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit në gusht të vitit të shkuar. Trupi gjykues i Gjykatës Themelore në Ferizaj mori vendimin të martën pas propozimit të avokatit mbrojtës të Krivaçës, pas deklaratës së mjekut të Spitalit të Ferizajt, Astrit Hoxha, që hodhi dyshime shëndetësore te Krivaça.

Në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Krivaçës dhe Arbër Sejdiu, që akuzohet se e ka ndihmuar Krivaçën, mjeku i Spitalit të Ferizajt, Astrit Hoxha, ka thënë se kishte dyshime shëndetësore te KRivaça, me arsyetimin se kishte përdorur substanca narkotike.

“Kam pasur dyshimet e mia duke u bazuar në raportin mjekësor të Krivaçës. Pra unë vetëm kam dyshuar duke e parë gjendjen psikologjike të Krivaçës, andaj nuk mund të jem i saktë në këtë çështje”, ka thënë Hoxha.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Admir Salihu, ka propozuar që ndaj Krivaçës të bëhej një ekzaminim psikiatrik dhe psikologjik nga instituti i psikiatrisë.

“Unë propozoj që të bëhet ekzaminimi dhe ekspertët të sqarojnë gjendjen emocionale dhe shëndetësore të Krivaçës. Derisa në vendin e ngjarjes janë gjetur elemente të substancave narkotike, e konsideroj të rëndësishëm ekzaminimin në këtë fazë të procedurës”, ka thënë midis të tjerash Salihu.

Kjo kërkesë është aprovuar nga trupi gjykues për të nisur këto procedura.

Në 24 faqe është e përshkruar dhuna të cilën Prokuroria thotë se dy të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu ushtruan dhunë ndaj Marigona Osmanit. Në raportin e autopsisë së trupit të të ndjerës janë konstatuar lëndime gjithandej fytyrës e trupit.

18-vjeçarja ishte lënë në ambientet e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete, derisa të dyshuarit, Dardan Kriva]a e Arbër Sejdiu kishin ikur. Sejdiu ishte arrestuar i pari nga Policia e Kosovës, derisa disa ditë më vonë autoritet arritën ta vënë nën pranga edhe Krivaqa.