Kronikë

Bastisje në dy laboratorë në Fushë-Kosovë - Mbyllen dhe pronarët arrestohen

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Ilustrim

Hetues policorë kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit kanë bastisur të martën dy laboratorë të analizave biokimike që dyshoheshin se operonin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Gjatë operacionit, bashkë me Inspektoratin Shëndetësor, janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore. Policia ka mbyllur laboratorët. Po ashtu, dy pronarët e dy laboratorëve janë arrestuar dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit me urdhër të Prokurorisë kompetente.

“Hetimet kanë filluar pas pranimit të informatave relevante që tregonin për zhvillimin e veprimtarive të paligjshme në këto subjekte shëndetësore, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar sipas kërkesave ligjore. Në kuadër të hetimeve janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore, të cilat kanë mundësuar mbledhjen e provave materiale që mbështesin dyshimet fillestare”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Në vendngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim.

“Hetimet janë në vazhdim dhe institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit”, njoftoi Policia tutje.