Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet një polic për lëndim të rëndë trupor në Prishtinë

Policia e Kosovës

Foto ilustrim

Një zyrtar policor jashtë detyrës është arrestuar pas një incidenti që ka ndodhur pas mesnatës në Prishtinë, ku dyshohet se ishte i përfshirë në një rrahje mes disa personave.

Sipas njoftimit, hetuesit e Inspektoratit Policor i Kosovës (IPK) janë njoftuar nga Policia për një incident në rrugën “Dervish Qollaku” në Prishtinë, i cili fillimisht ishte raportuar si rrahje në progres mes disa personave, ku dyshohej se ishte përfshirë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare.

Pas pranimit të informacioneve, hetuesit e Inspektoratit Policor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin.

Si rezultat i veprimeve hetimore, siç thotë njoftimi i IPK-së, është arrestuar zyrtari policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Me vendim të Prokuroria Themelore në Prishtinë, atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar gjithashtu suspendimin e përkohshëm të zyrtarit në fjalë, me qëllim që të mos ndikojë në procesin hetimor dhe për të garantuar pavarësinë dhe paanshmërinë e hetimeve.