Kronikë

Arrestohet një person, dyshohet se me e-mail kërcënoi Prokurorinë, Policinë e UP-në

Policia

Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten një person nën dyshimin se përmes e-mailave ka dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese në drejtim të disa institucioneve.

Ai është arrestuar nën dyshimin për veprën penale të kanosjes. Sipas njoftimit të Policisë, aksioni për arrestimin e tij është kryer pas hetimeve disamujore të hetuesve policorë në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Ai dyshohet se ka kërcënuar me e-mail Prokurorinë e shtetit, Policinë, Universitetin e Prishtinës dhe zyrtarë të këtyre institucioneve.

Në cilësinë e provave materiale janë gjetur e sekuestruar pajisjet që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprës penale. Këtu hyjnë një laptop, një tablet dhe një telefon.

I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë.