Një person është arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Kanosje”.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të premten në rrugën magjistrale Prishtinë–Shkup, ku i dyshuari me inicialet R.S. fillimisht ka tejkaluar automjetin e viktimës A.T. dhe më pas ia ka bllokuar rrugën.
Pas ndalimit të automjeteve, i dyshuari ka sulmuar fizikisht viktimën, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. I lënduari ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Ferizajt.
Gjatë hetimeve, Policia ka intervistuar edhe vajzën e viktimës, e cila njëherësh është ish-bashkëshortja e të dyshuarit. Ajo ka deklaruar se ishte kërcënuar përmes telefonit nga R.S.
Sipas njoftimit, si dëshmi janë dorëzuar dy audio-incizime në të cilat dëgjohen kërcënimet e pretenduara.
Edhe
Arrestohet një person në Ferizaj, dyshohet se sulmoi seksualisht një grua
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, sipas Policisë, ka pranuar kryerjen e veprave për të cilat dyshohet.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Kanosje”, ndërsa është dërguar në mbajtje për 48 orë.