Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen që ndodhi të shtunën në fshatin Fushticë e Poshtme të komunës së Drenasit.
Sipas raportit 24-orësh, ngjarja tragjike ndodhi më rreth orës 13:35, kur viktima, një mashkull kosovar, u qëllua për vdekje me armë zjarri.
Pas hetimeve, Policia identifikoi dhe arrestoi nj të dyshuar.
“Nga vendi i ngjarjes, janë sekuestruar një armë zjarri e tipit pistoletë, një gëzhojë dhe një fishek, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike”, thuhet në njoftim.
Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Prokuroria për vrasjen në Fushticë: Arma u gjet në shtëpinë e vëllait të viktimës
Prokuroria Themelore në Prishtinë të dielën ka njoftuar se ka arrestuar të dyshuarin V.P., lidhur me vrasjen e ndodhur në fshatin Fushticë të Drenasit një ditë më herët.
Sipas njoftimit, ndaj tij rëndojnë dyshimet për veprat penale “Vrasja” dhe “Manipulimi me prova”.
Prokurori, bashkë me njësitë relevante të Policisë, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku hetimet fillestare kanë konstatuar se vrasja ka ndodhur në garazhin e shtëpisë së viktimës.
Gjatë kontrollit janë gjetur një gëzhojë dhe një fishek, ndërsa arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale — një pistoletë e tipit “ZORAKI 917-T” — është sekuestruar në shtëpinë e vëllait të viktimës.
Sipas të dhënave fillestare, viktima, R.Sh., ishte dërguar nga familjarët në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran, ku mjeku kujdestar kishte konstatuar se ai ishte pa shenja jete. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është bastisur edhe shtëpia e viktimës, pasi dyshohet se arma e përdorur ishte në pronësinë e tij.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të parashtrojë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.P.
IPK-ja rekomandon suspendimin e dy policëve për neglizhencë në vrasjen në Fushticë të Drenasit
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve të Stacionit Policor në Drenas, pasi dyshohet se ata neglizhuan realizimin e detyrave të tyre në lidhje me vrasjen në Fushticë të Poshtme të Drenasit që ndodhi gjatë së shtunës.
“Nga të dhënat e mbledhura deri më tani gjatë hetimeve të IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe ndërmarrjes së veprimeve lidhur me një vrasje që është raportuar dje në orët e pasdites në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Tutje thuhet se rekomandimi për suspendimin e zyrtarëve në fjalë ka të bëjë me “ruajtjen e integritetit të procesit hetimor dhe parandalimit të ndonjë ndikimi të mundshëm në prova apo dëshmitarë”.