Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohen pesë persona të dyshuar për krime lufte në Syriganë të Skenderajt

arrestim - pranga

Foto: Ilustrim

Pesë persona të dyshuar për krime lufte janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në komunikatën e përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë bëhet e ditur se bëhet fjalë për vrasjen e gjashtë civilëve në fshatin Syriganë, komunë e Skenderajt në periudhën maj-qershor 1998.

“Gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale. Në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, hetuesit kanë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform autorizimeve ligjore. Si rezultat i provave dhe dëshmive të grumbulluara, prokurori special ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve”, thuhet në njoftim.

Arrestimi është kryer sot në kuadër të planit operativ të quajtur “Syrigana” i cili është zhvilluar në gjashtë lokacione të ndara, pesë në Skenderaj e një në Mitrovicë të Veriut.

Bëhet e ditur se bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, ku janë konfiskuar një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm, një armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm, dy karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm, një pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi dhe uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave

Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.

Lista Serbe ka reaguar duke thënë se arrestimet e fundit do t’i diskutojë me përfaqësuesit ndërkombëtarë, derisa arrestimet i ka quajtur të padrejta.