Kronikë

Arrestohen katër policë në Mitrovicë, dyshohet se “manipuluan me prova” në një rast

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK)

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar katër policë që ishin me detyrë në stacionin policor në Mitrovicën e Jugut për shkak se dyshohen se me një rast më 13 shtator kanë kryer veprën penale “manipulim me prova”.

Sipas njoftimit të IPK-së, katër policët dyshohet se para tre ditësh nuk kanë proceduar me rast penal në një rast të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm”, si dhe dyshohet se kanë fshehur si dhe kanë manipuluar me provat e gjetura në vendin e ngjarjes.

Atyre u është caktuar masa e ndalimit prej 48-orëve nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Si pjesë e procedurave administrative IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës - Drejtorisë Rajonale të Policisë Mitrovicë Jug  edhe suspendimin për  katër të dyshuarit të cilët kanë qenë me detyrë në Stacionin Policor në Mitrovicën e Jugut. Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.