Është arratisur nga burgu në Mitrovicë, një i dënuar për vrasje.
Shërbimi Korrektues ka bërë të ditur të enjten, se pas kësaj është pezulluar nga puna drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues.
“I burgosuri ishte i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, nga të cilat i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj. Ai ishte i kategorizuar si i avancuar dhe, në momentin e arratisjes, ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Gjithashtu, ai ishte në listën e të dënuarve që mund ta përfitonin lirimin me kusht”, thuhet në njoftim. “Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, janë aktivizuar të gjitha procedurat e brendshme operacionale dhe janë njoftuar institucionet relevante të sigurisë”, thuhet në.
Shërbimi Korrektues ka bërë të ditur se i ka nisur hetimet e brendshme për t’i zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe se do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e këtij rasti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se përkundër kërkimeve ai ende nuk është gjetur.
“Sot me 07.08.2025 rreth orës 15:45 jemi njoftuar se nga Qendra e paraburgimit në Mitrovicë Veri një person është arratisur. Policia menjëherë ka marrë masat duke ngrit pika statike te kontrollit në tërë veriun e vendit dhe duke kontrolluar edhe fizikisht zonën për rreth qendrës se paraburgimit”, thuhet në njoftim.
“Në këtë kohë ne ende jemi në kërkim të personit në fjalë ndërsa kemi angazhuar edhe njësi të specializuara (njësia Policore me qen- K9)”, thuhet tutje në njoftim.
Policia ka lutur qytetarët që të kenë mirëkuptim derisa janë në operacion dhe po ashtu në rast se hasin në këtë person të thërrasin në numrin 192 ose të lajmërojnë në stacionin më të afërt.