Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë në Gjykata Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me iniciale Sh.B., për veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Sipas komunikatës, i pandehuri dyshohet se më 27 nëntor 2025, në Vushtrri, në oborrin e shtëpisë së tij ka tentuar me dashje t’i privojë nga jeta të dëmtuarën e mitur E.V. dhe M.V.
Prokuroria pretendon se, sapo të dëmtuarit kanë hyrë në oborr, i pandehuri ka shtënë me pushkë gjysmë automatike në drejtim të tyre, me ç’rast e mitura E.V. ka mbetur e plagosur në regjionin e shpatullës së majtë.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin edhe për mbajtje të paautorizuar të armës, pasi nga një datë e pacaktuar deri më 27 nëntor 2025 ai kishte mbajtur në shtëpi pushkën gjysmë automatike, në kundërshtim me Ligjin për armët në Republikën e Kosovës. Arma dhe dhjetë fishekë janë konfiskuar nga policia.
Si pasojë e të shtënave, predhat kanë goditur edhe një automjet në pronësi të I.B., si dhe një dritare në banesën e L.Sh., duke shkaktuar dëme materiale.