Kronikë

Ngrihet aktakuzë kundër Dragan Naskoviqit për krime lufte në Zhegër të Gjilanit

aktakuze

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Dragan Naskoviqit për veprën“Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Dragan Naskoviqit, më 17 shtator i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nën dyshimin se ka marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit. Në Gjykatën Themelore në Prishtinë e kanë arsyetuar caktimin e masës së paraburgimit me pretendimin që në rast se i dyshuari lihet në liri, atëherë ekziston rreziku që ai të arratiset meqë është shtetas i Serbisë

Sipas Prokurorisë, i pandehuri akuzohet se gjatë periudhës mars-prill të vitit 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër të Komunës së Gjilanit, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 e civilëve shqiptarë.

Aktakuza thotë se, Naskoviqi ishte në dijeni se më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë.

“I pandehuri D.N., së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit. D.N edhe pse ishte njoftuar përmes një letre nga të dëmtuarit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar ose për t’i paraqitur rastet për hetim, por ishte larguar nga vendi i ngjarjes”,  thuhet në njoftim.

Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri më 2008, krimet e luftës janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa që prej vitit 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykata vendore.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe me mijëra të tjerë janë zhdukur. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.