Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj B.D. për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri, si dhe për veprën penale të armëmbajtje pa leje.
B.D. pati vrarë me disa plumba të riun në Vushtrri më 23 mars.
“I pandehuri akuzohet se me datë 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e ka privuar nga jeta viktimën A.Z., duke e gjuajtur dhe goditur viktimën tri (3) herë në trup. Viktima A.Z., si pasojë e plagëve të shumëfishta të shkaktuara nga predhat e hedhura nga arma e zjarrit pëson dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi duke i sjellë gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratorë, i njëjti ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë, po ashtu nga të shtënat nga arma e zjarrit e të pandehurit në rrugë publike vihet në rrezik edhe jeta e personave tjerë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.