Kronikë

Aktakuzë ndaj gjinekologut të Prizrenit, detyroi pacienten të lindte në klinikë private

mjek

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër mjekut S.Gj., për keqpërdorim të pozitës. 
Gjinekologu i kishte rekomanduar një pacienteje që të lindte në spitalin privat ku ai punonte, edhe pse ajo të gjitha kontrollet e kishte kryer në Spitalin e Prizrenit dhe klinikën private të mjekut në Prizren. 

Sipas aktakuzës, më 31 janar 2022 në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën në cilësinë e mjekut pranë repartit të Gjinekologjisë - Obstetrike të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, me qëllimin për të përfituar për vete dhe dikë tjetër, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi të Kosovës.

Gjinekologu ka refuzuar kërkesën e pacientes G.B. që ta kryejë lindjen me operim pranë Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, me arsyetimin se pranë Repartit të Gjinekologjisë Obstetrike kishte pasur pacientë të infektuar me Covid-19 dhe i rekomandoi të njëjtës dhe bashkëshortit të saj, J.B., që lindjen me operim ta kryejnë në njërën prej klinikave private me seli në Prishtinë, në të cilën ai edhe është i angazhuar si mjek. 

Në aktakuzë thuhet tutje se gruaja u detyra që lindjen ta kryejë pranë klinikës private në Prishtinë, të cilin operim e kryen vetë i pandehuri, duke i shkaktuar kështu dëm material të dëmtuarve G.B., dhe J.B., në shumën prej 1,500 euro.