Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave nën dyshimin për veprën penale të fajdesë. Dyshimet janë se bëhet fjalë për fajde që ka arritur vlerën e 1.4 milionë eurove.
Të pandehurit janë: L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G., dhe K.K..
L.M. dyshohet se i kishte dhënë fajde M.K. 20 mijë euro me kamatë mujore 10 për qind. Këto ishin grumbulluar deri në shumën 37 mijë euro e në pamundësi për t’ia kthyer borxhin, i dëmtuari është detyruar t’i japë banesë 123.8 metra katrorë në vlerë 70 mijë euro. Më 2022, kishte marrë edhe një banesë në fshatin Shirokë me vlerë 52 mijë euro, për një borxh fillestar që ishte 10 mijë euro.
“Gjithsej, nga kamatat dhe borxhet e grumbulluara, i dëmtuari ka paguar rreth 92,000 euro dëm përkatësisht humbje në shkallë të madhe. Me këto veprime, L.M. ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim të kësaj prokurorie.
I pandehuri B.K. akuzohet se më 2021 ka dhënë fajde 75 mijë euro me kamatë 8 për qind muaji për M.K. Kamata dhe borxhi janë rritur në mënyrë drastike, duke arritur shumën prej 240,000 eurosh deri në maj 2023, sipas aktakuzës. E në pamundësi të kthimit të këtyre parave, i dëmtuari detyrohet që t’ia japë të pandehurit banesën me sipërfaqe prej 300 m² dhe një lokal afarist prej 242 m², të cilat së bashku vlejnë 205,700 euro. Kjo ka shkaktuar dëm të madh financiar për të dëmtuarit në shumën prej 280,700 euro.
I pandehuri L.A., nga prilli i vitit 2022 e deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi në Suharekë, i ka dhënë borxh të dëmtuarit M.K., shumën prej 7,000 eurosh me kamatë dhjetëditore prej 2,000 eurosh, duke e detyruar të dëmtuarin të paguajë shumën disa herë më të madhe se borxhi i vërtetë. Kur i dëmtuari nuk kishte para për të paguar, i pandehuri i ka ofruar si “shpërblim” mallra të ndryshme (traktor, disa dem dhe krerë lopësh) të vlerës së konsiderueshme, duke shfrytëzuar situatën e vështirë financiare të viktimës, sipas aktakuzës. Për më tepër, i pandehuri ka lidhur parakontratë për marrjen e një banese në sipërfaqe prej 100m2 dhe një lokal me sipërfaqe prej 100 m2 dhe një garazhë me vlerë të përgjithshme prej 180,000 euro, duke shkaktuar dëm të madh financiar të dëmtuarit L.K., dhe vëllait të tij M.K. thuhet më tej në aktakuzë.
Ndërkaq Xh.K. akuzohet se gjatë 2022-s e deri në nisje të hetimit, në Suharekë, ia ka dhënë të dëmtuarit M.K. 10 mijë euro me pagë mujore 30 për qind. Në emër të kamatave, i dëmtuari ka paguar 36 mijë euro në vit, ndërsa borxhi bazë ka mbetur i papaguar, sipas aktakuzës.
“Më pas, për shkak të pamundësisë për të vazhduar pagesat, i dëmtuari i dorëzon të pandehurit krerë lopësh në vlerë prej 36,000 euro, ndërsa ky i fundit i shlyen për të edhe një borxh prej 37,000 euro ndaj një personi tjetër dhe në këmbim përpilojnë një parakontratë për shitblerjen e një lokali prej 100 m² me vlerë të deklaruar vetëm 20,000 euro, në emër të bashkëshortes së vëllait të të dëmtuarit. Gjatë një takimi më 23.08.2024, i pandehuri deklaron se obligimet e të dëmtuarit ndaj tij kishin arritur shumën prej 129,000 euro, duke përfshirë edhe dy vetura në vlerë prej 21,000 euro. Me këto veprime, të dëmtuarve M.K. dhe L.K., u është shkaktuar dëm në shkallë të madhe”, bëhet e ditur në aktakuzë.
D.G. akuzohet se nga qershori i 2021-s i ka dhënë të dëmtuarit M.K. fajde 20 mijë euro me kamatë mujore 8%.
“Brenda një muaji e gjysmë, i dëmtuari merr në total 120,000 euro kesh, duke paguar çdo muaj kamata prej 10,000 euro, dhe në total gjatë 12 muajve paguan 120,000 euro kamata. Në qershor 2023, pasi i dëmtuari nuk mund të vazhdojë pagesat, i pandehuri kërkon nga ai dhe vëllai i tij L.K., shumën prej 320,000 euro në emër të kamatave, duke kërkuar në këmbim 750 m² banesa në fshatin Shirokë. Nga frika, të dëmtuarit pranojnë, por për shkak të vonesave në ndërtim, në maj 2024 i pandehuri kërkon rritjen e sipërfaqes së banesave në 1,180 m² (ekuivalent i 11 banesave) dhe nënshkruan parakontratë me datë 20.03.2023 për këtë shitblerje. Me këto veprime, i pandehuri i shkakton të dëmtuarve humbje të konsiderueshme prej 767,000 euro. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.
K.K. ndërkaq akuzohet se ka dhënë borxh me fajde 2600 euro e për 16 javë borxhi ka mbërritur në 9800 euro.
Prokurori i shtetit, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera:
Banesa dhe lokale, me sipërfaqe të përgjithshme prej 2,226 m2;
Para në vlerë 9240 €;
Para në vlerë 1860 Franga;
Armë;
Telefona,
Automjete, dokumente dhe gjësende tjera relevante.
Pos fajdesë, L.M. dhe Xh.K. dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje ndërsa D.G. edhe për detyrim.
D.G. akuzohet se në vazhdimësi ka përdorur forcë e kanosje ndaj të dëmtuarve M.K. dhe L.K. për t’i detyruar t’ia japin pronat e tyre.