Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve I.J. dhe E.I. si persona juridikë lidhur me punimet e kundërligjshme ndërtimore në qendrën e qytetit në Prizren.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit në rrugën “Adem Krasniqi”, nga data 5 deri më 23 prill të 2024-s, kanë vepruar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit, duke ndërtuar aneksin e një apartamenti “penthouse”mbi bazën e katit të shtatë të objektit për banim kolektiv, përkundër që Inspektorati ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve.
“Të njëjtit vazhdojnë me realizimin e punimeve edhe pas ndërprerjes duke bërë betonimin e aneks pllakës së ‘penthausit’, mbi pllakën e aneksit të ‘penthausit’ betonohen dy shtylla dhe trau. Po ashtu, të pandehurit e lartëcekur, në mënyrë të kundërligjshme heqin shiritat e ngjitur nga zyrtari i autorizuar- Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, të cilët i kishin vendosur për ndalimin e punëve ndërtimore në ‘penthaus’, duke vazhduar me punët ndërtimore në objekt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të pandehurit kanë kryer veprat penale “punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.