Kronikë

33-vjeçari nga Kosova ekstradohet në SHBA, dyshohet për krime online

33-vjeçari nga Kosova ekstradohet në SHBA, dyshohet për krime online

Ilustrim

Liridon Masurica (33-vjeçar) nga Gjilani i njohur si “@blackdb” më 9 maj është ekstraduar nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) si administrator kryesor i “BlackDB.cc” - tregu kriminal online. Ndaj tij rëndojnë akuzat për mashtrim dhe vjedhje të identitetit të qytetarëve. Ai doli para gjyqit për herë të parë më 12 maj (dje).

Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Gregory W. Kehoe, njofton se Masurica akuzohet për një akuzë të komplotit për të kryer mashtrime me pajisje të qasjes dhe pesë akuza për përdorim mashtrues të 15 ose më shumë pajisjeve të qasjes të paautorizuara, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Shteteve të Bashkuara në Distriktin e Mesëm të Floridës, nëse dënohet për të gjitha akuzat, Masurica mund të përballet me dënim maksimal prej 55 vjetësh burgim.

“Masurica, shtetas dhe banues i Kosovës, është dërguar në paraburgim nga autoritetet në Kosovë më 12 dhjetor 2024 dhe është ekstraduar më 9 maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në bazë të marrëveshjes së ekstradimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në paraqitjen e parë para gjyqit gjatë ditës së djeshme, Masuricës iu shqiptua masa e ndalimit dhe gjyqin do ta presë në burg.