Të paktën 10 armë janë konfiskuar nga autoritetet në 10 raste të ndryshme brenda Kosovës, ka bërë të ditur Policia në raportin e saj 24-orësh.
Pesë raste janë regjistruar si armëmbajtje pa leje në Prishtinë, Podujevë, Istog, Malishevë e Gjakovë.
Në rastin e raportuar në Prishtinë, ndonëse nuk është thënë se është konfiskuar arma, i dyshuari ka poseduar leje shenjëtarie për armë, por pa të drejtën për ta bartur atë. Me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti në procedurë të rregullt.
Në Peran të Podujevës rasti ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit për armëmbajtje pa leje, pasi ka shtënë.
“Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë me tre fishekë, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë që dyshohet të jetë e të njëjtës armë. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.
Në fshatin Gurrakoc të Istogut, një person është arrestuar për shkak se në një aheng familjar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri me gaz. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjete dhe konfiskuar tri gëzhoja. Edhe ky i dyshuar, me urdhër të prokurorit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti tjetër i armëmbajtjes pa leje, që është regjistruar edhe si kanosje, ka ndodhur në Damjan të Gjakovës. Në këtë rast janë arrestuar dy të dyshuar, të cilët pas një mosmarrëveshjeje kanë sulmuar fizikisht njëri-tjetrin. Gjatë kontrollit te njëri i dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me gaz me 9 copë fishekë, kurse nga i dyshuari i dytë është konfiskuar një shkop i drurit. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Ndërsa rasti tjetër që është raportuar të ketë ndodhur në Malishevë, është regjistruar edhe si vetëgjyqësi dhe kanosje. Në të, të përfshirë janë tre persona.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi të njëjtit si pasojë e një kontesti pronësor kishin kanosur njëri tjetrin. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 4 fishekë 7 copë gëzhoja, kurse nga njëri prej të dyshuarve është konfiskuar një pistoletë me gaz me 7 copë fishekë. Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.
Katër raste janë regjistruar si përdorim i armës në Herticë të Podujevës, Polac të Skenderajt, Mitrovicë dhe Prizren.
Në rastet në Podujevë dhe Mitrovicë të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa armët e tyre janë konfiskuar, teksa në rastet në Skenderaj dhe Prizren të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Dy raste janë regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm në Shtime dhe në Klinë. Në të dyja rastet armët janë konfiskuar.