Rrëfimi më i shkurtër i historisë së re të Kosovës
1.
Të premten varroset në Çabrat, Xaja i Dylhasve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo2.
Thuhet se Hemingway kishte marrë pjesë në konkursin për tregimin më të shkurtër.
Tash që e njohim shkrimin e tij, do të ishte normale që tregimi të ishte fjalëpak. Kritikët letrarë e kishin analizuar me teorinë e ajsbergut (akullnajës); Hemingway vinte në sipërfaqe një majë të rrëfimit të tij, të tjerat duhej t’i nënkuptonim, deduktonim, riimagjinonim.
Në konkurs fitoi ky tregim:
“Shiten: këpucë foshnje, kurrë të mbathura”. Diku nën syprinën e ujit të akullnajës çdokush do të mund të ndërtonte një rrëfim për fatin e foshnjës që nuk kishte arritur t’i mbathte këpucët ndonjëherë.
3.
Komuna e Gjakovës lajmëron:
“Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës ka njoftuar se janë gjetur dhe identifikuar mbetjet mortore të Myrteza (Skënder) Dylhasit nga Gjakova, i rrëmbyer gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ceremonia e rivarrimit të martirit Myrteza (Skënder) Dylhasi do të mbahet të premten, më 6 mars. Homazhet do të mbahen nga ora 12:00 deri në orën 13:00 në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë.
Varrimi do të bëhet në orën 13:30, në Kompleksin Memorial në Çabrat.
Më 27 mars 1999, tani i ndjeri Myrteza, së bashku me babanë e tij Skënder Dylhasi, me gjashtë anëtarë të familjes Qerkezi, dy fqinjët e familjes Jetishi dhe një anëtar të familjes Ymeraga, u morën nga forcat serbe, nga shtëpia e Halim Qerkezit në Gjakovë”.
4.
Myrteza Dylhasi- Xaja ishte i njëmbëdhjeti mashkull që u mor nga forcat serbe prej shtëpisë së Qerkezëve. Fotografitë e meshkujve të Qerkezëve-Halimit dhe katër djemve - janë ende në shtëpi. Në shtëpi është edhe nënë Ferdonija. Aty sillet vërdallë edhe rrëfimi i 27 marsit, si një film që fillon ku mbaron.
5.
Xaja i Dylhasëve varroset 27 vjet më pas.
Kaq është rrëfimi më i shkurtër i historisë së re të Kosovës.