Si po lëviz e po kthehet në vend të vetin për të lëvizur sërish harta e jezuitit Matteo Ricci
1.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, mbajti një fjalim të rëndësishëm në një universitet kinez muajin e kaluar. Fjalimi u ndërtua rreth boshtit të rrëfimit kur më 1583 “një jezuit italian i quajtur, Matteo Ricci, mbërriti në Kinë. Në bagazhin e tij të vogël, ai solli me vete disa libra, një astrolab dhe një hartë të botës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIshte një hartë evropiane. E saktë në përmasa, shumë e avancuar në nivelin e detajeve, por e anshme në perspektivën e saj. Sepse ajo që bënte ishte të tregonte botën ashtu siç e shihte Perëndimi: me Evropën në qendër dhe Azinë në skajin e saj të djathtë. Në skajet e tokës. Me ta parë, kartografët e oborrit perandorak e pyetën jezuitin pse Kina shfaqej pikërisht në skajin e hartës. Dhe studiuesi evropian e kuptoi për herë të parë se Deti Mesdhe ishte qendra e botës së tij, por jo e të tjerëve. Çdo botë kishte qendrën e vet, prandaj Matteo Ricci e rivizatoi plotësisht hartën e tij. Këtë herë, duke përdorur Oqeanin Paqësor si boshtin e tij dhe duke përfshirë të gjithë kontinentin euroaziatik brenda tij”.
Kjo pjesë e fjalimit mbase përshkruan në formë më të kondensuar lëvizjen e madhe gjeopolitike (apo njërën prej lëvizjeve tektonike) nëpër të cilën po kalon bota jonë, diçka që Z.Brzezinski kishte paralajmëruar që në fillim të këtij shekulli, pra që pesha e historisë po zhvendoset në Lindje, me një Kinë që arrin forcën e superfuqisë.
2.
Kjo është një formë e kundrimit. Pra, që të marrim parasysh peshën e rritur të Kinës dhe të zhvillimit të Azisë në përgjithësi, e ta shikojmë botën prej persektivës ku, siç kishte rivizatuar Ricci, Paqësori është boshti e ne, mesdhetarët, jemi pjesë të kontinentit euro-aziatik.
Mes dy hartave të Riccit, asaj ku Mesdheu (Mediterra-mesi i Tokës) është boshti dhe asaj ku Paqësori është boshti, ekziston një realitet i ndërmjetmë, mendoj unë ose kam qejf të mendoj unë. Pra, ekziston një realitet i ndërmjetmë në të cilin është e qartë se Kina është fuqi tashmë e arrirë (jo në rritje, siç konsiderohej gjatë çerekut të parë të shekullit), por është po ashtu e qartë se ky fakt si dhe fakti që fuqia tjetër përballë saj është SHBA-ja, nuk do të thotë që jetojmë në një botë të diktuar nga baraspesha mes këtyre dy superfuqive.
Në fakt jetojmë në botë ku nuk ka baraspeshë, pra në një realitet pa ekuilibër, në një botë pa rend të ri ndërkombëtar. Dhe, ai rend i ri ndërkombëtar do të marrë parasysh, nuk do mend, peshën e dy superfuqive, por do marrë parasysh edhe peshën e fuqive të mesme, siç i quan kryeministri kanadez, Mark Carney, vendet si i veti dhe të tjerë (Afrika e Jugut, Brazili etj).
Sipas Carneyt, rendi i ri ndërkombëtar, për më tepër, nuk duhet të jetë akt i nënshtrimit një bote të izoluar dhe transaksionale dhe se “mund të rindërtohet nga Evropa”.
3.
Evropa për të cilën Carney mendon se mund të prodhojë një rend të ri ndërkombëtar mund të kuptohet nga vendi ku foli, Samiti i Komunitetit politik evropian. Samiti, një ide e presidentit francez, Macron, në formë të suksesshme po i tejkalon kufijtë e ngushtë të konceptit të politikës evropiane të përcaktuar nga ai tradicionalisht BE me rrethinë. Në rrathë koncentrikë që kanë përfshirë Turqinë dhe vendet që nuk njihen mes vete si Kosova e Qipro apo Spanja, samiti i sivjetmë u mbajt në Armeni dhe e ftuar e Samitit ishte Kanadaja. Kështu Evropa mendore, pra hapësira politike evropiane shtrihet nga Kanadaja në Kaukaz.
Ky ushtrim mendor në një mënyrë paradoksale kthen hartën e parë të Riccit; kur Evropa mendore shtrihet prej Kanadasë në Kaukaz Mesdheu merr më shumë nga pesha e tij simbolike. Dhe për më tepër e merr peshën e vet vlerore, atë të konceptualizimit të rendit të ri botëror. Mesdheu është vendlindja e “agoras”, të sheshit publik në të cilin peshohen argumentet e debatit të lirë për të marrë vendim të njerëzve të lirë, pra demokraci.
Dhe, Samiti i Komunitetit politik evropian në Yerevan kishte për mua këtë peshë specifike, atë ku Carney dhe liderët e tjerë evropianë konceptualizojnë rendin e ri botëror në një debat të njerëzve të lirë e të barabartë.
Duket gjë e lehtë kur ta thuash, por në nivel global nuk ekziston një tubim i këtij lloji të shefave të shteteve a qeverive në të cilat niveli i debatit nuk është akt protokollar, por ushtrim analitik intelektual.
4.
Gjendja e dallimit mes njërës hartë gjeopolitike, të parës së Riccit dhe asaj që do të prodhohet nga rendi i ri ndërkombëtar ka një emër, që ia vuri kryeministrja italiane, Melloni, polikriza. Sipas saj, jetojmë në kohë jo të një krize, por kur disa kriza njëkohësisht janë në ndërveprim - që nga migracioni, siguria energjetike, veprime dashakeqe me inteligjencë artificiale, rrënim i besueshmërisë në demokraci e kështu me radhë. Rrjedhimisht, do adresuar “polikrizën” si tërësi.
Adresa është gjithnjë një veprim më i mirë i Evropës. Qoftë BE-së së bashku me rrethin e saj apo të Evropës mendore apo të një Evrope të fuqishme me aleancat e veta të tregjeve të hapura nga Amerika Latine në Indi (siç do të shpjegojë presidentja e Komisionit evropian, U.van der Leyen).
Apo, siç do të shpjegojë në formë praktike presidenti francez, Macron. Sipas tij, sfida e ardhshme do të jetë largimi nga varshmëria prej SHBA-së dhe Kinës. Varshmëria nga SHBA-ja nënkupton atë të ombrellës amerikane të mbrojtjes, me të cilën është mësuar Evropa që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Varshmëria nga Kina nënkupton atë të teknologjisë me të cilën është mësuar Evropa që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
5.
Në Yerevan Komuniteti politik evropian u përpoq të dëshmojë se ndonëse nuk është në qendër, si te harta e parë e Riccit, nuk është në periferi, as gjeografike e as politike. Për më tepër, në samitin para këtij kufijtë e këtij komuniteti ishin Britania e Madhe në Perëndim e Ukraina në lindje; këso here në perëndim ishte Kanadaja e në lindje Armenia. Kanadaja si “fuqia e mesme” e cila duhet të gjejë një modus vivendi me SHBA-në e Armeninë, një pikë e rëndësishme strategjike e cila duke u shkëputur nga Rusia bëhet pjesë e një korridori të rëndësishëm energjetik, ndaj edhe gjeostrategjik prej Detit Kaspik në atë Mesdhe.
Kështu e pashë këtë Samit nga këndi i vëzhguesit, në Kosovë, në thellësi mesdhetare e paradoksalisht në margjina të Evropës.
Në këtë thellësi, larg qendrave të vetëshpallura të botës, ndoshta kuptohet më qartë se harta e Riccit nuk është më çështje gjeografie, por e kapacitetit për të prodhuar rend: kush arrin ta konceptualizojë dhe ta organizojë përgjigjen ndaj polikrizës, ai e vendos veten në qendër.