Dëbimi nga pushteti i autokratit hungarez tregon se demokracia mund të jetë e gjallë vetëm me qytetarë aktivë. Humbja e Orbánit është një goditje edhe për aleatët e tij ballkanikë
1.
Nuk pritej kështu, por ndodhi. Pas 16 vjet në pushtet, zgjedhësit hungarezë e kanë larguar nga pushteti kryeministrin Viktor Orbán. Ai u ndëshkua për shkak të korrupsionit, për shkak të keqqeverisjes dhe për shkak të dëmtimit masiv të institucioneve të shtetit. Shumicës së njerëzve në Hungari u erdhi te hunda “beteja kulturore” e Orbanit dhe qëndrimi prorus i tij. Péter Magyar (Moxhar), fituesi i zgjedhjeve, pritet të bëhet kryeministër më 9 maj, në Ditën e Evropës. Humbja spektakulare e Orbanit, fitorja fluminante e Moxharit tregon një gjë: demokracia mund të jetë e gjallë vetëm me qytetarë aktivë. Humbja e Orbánit është një goditje edhe për aleatët e tij ballkanikë. Të gjithë s’e fshehën pikëllimin se iku nga skena politike një njeri që ndante botëkuptime e njëjta me sundimtarët ballkanikë: llomotit popullizma dhe vidh sa të mundesh në emër të “mirëqeverisjes”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo2.
Ndërsa Viktor Orbán injoronte gazetarët dhe ua shtronte qilimin e kuq propagandistëve të tij, Péter Magyar një ditë pas fitores mbajti një konferencë për media, e cila zgjati 3 orë. Magyar foli për shumë tema, mes tjerash edhe për pranimin e disa refugjatëve specialë nga ana e Orbánit. Gjatë paraqitjes para mediave Magyar tregoi edhe talent për humor. Ai u bëri thirrje dy ish-ministrave polakë dhe ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski që të braktisin Hungarinë sa më shpejt. Që të tre kanë fituar azil në Hungari, ndërsa nga drejtësia e vendeve të tyre ndiqen për vepra të ndryshme penale. Péter Magyar tha: “Besoj se nuk duhet të blejnë mobilie në IKEA, sepse ata s’do të jenë gjatë këtu”. Spektakulare ka qenë ikja e Gruevskit në vitin 2018. Ai doli fshehurazi nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri. Në Tiranë Gruevskin e dënuar me burg në një gjykatë maqedonase e priste një veturë me tabela diplomatike të Hungarisë. Vetura i përkiste ambasadës së Hungarisë në Tiranë. Nga Tirana, para syve (me gjasë të mbyllur) të autoriteteve shqiptar Gruevski doli në Mali të Zi, nga atje kaloi në Serbi dhe nga Serbia në Hungari. Askund nuk u bë i gjallë një polic kufitar, një doganier, një shërbim sekret. Ikja e Gruevskit shpalosi edhe aleancën në krim të autokratëve ballkanikë - në bashkëpunim me Viktor Orbánin. Thuhet se Gruevski ka mësuar disa fjalë në hungarisht, por gjasat nuk janë të vogla që ai tani të detyrohet të kthehet në Maqedoninë e Veriut - pa e mësuar si duhet gjuhën e vështirë hungareze.
3.
Një ditë pasi fitoi zgjedhjet, kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Péter Magyar, arriti që me një fjali ta nervozojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Orbánit tha se me qejf do të takonte udhëheqjen serbe, por “e di se çfarë lidhje ekzistojnë” mes Vuçiqit dhe Viktor Orbánit.
Ajo që e bëri Vuçiqin të humbë nervat ishte akuza e Magyar se pas miqësive të mëdha të Orbánit me Vuçiqin dhe me kryeministrin sllovak Robert Fico qëndron një kumbar. (Magyar nuk përmendi emra, por mund të merret me mend se kumbara është Vlladimir Putini). Vuçiq, i cili lehtë e humb kontrollin, reagoi menjëherë: “Hajde përgjigju, meqë e di, trego kush kumbaron. Lidhje nuk ka. Kjo është ‘hajde të flas pak, të mos them çdo gjë deri në fund, por që të mendohet se ai është Putini apo dikush’”.
Përgjigja e Vuçiqit është pavullnetshëm vetëdemaskuese: ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha. Natyrisht që Rusia e Putinit prej shumë vitesh përpiqet të krijojë një aleancë autokratësh në Evropën Lindore, të cilët do ta sabotonin BE-në nga brenda (Hungaria e Sllovakia) dhe ta dëmtonin duke u bërë qendra të influencës ruse (rasti i Serbisë). Në të vërtetë këto shtete po e bëjnë këtë tashmë duke i shërbyer Putinit dhe destabilizuar Evropën.
Ka dyshime që pak para zgjedhjeve në Hungari dhe me qëllim që t’i ofrohet ndihmë elektorale Orbánit, në veri të Serbisë u inskenua një sulm ndaj gazsjellësit që furnizon Serbinë e Hungarinë me gaz rus. Si pala serbe ashtu edhe ajo hungareze me pompozitet njoftuan se ishte shmangur një sulm. Orbáni e nxori ushtrinë për ta mbrojtur gazsjellësin në territorin hungarez. Kështu ai prodhoi fotografi luftarake duke e prezantuar veten si mbrojtës të interesave hungareze. Mes rreshtave për këtë gjoja sulm u akuzua Ukraina.
Partia Tisza e Péter Magyar e quajti krejt lajmin për “sulmin” ndaj gazsjellësit një manovër mashtruese të Orbánit. Magyar ka paralajmëruar se parlamenti hungarez do të hetojë rrethanat e këtij “sulmi”. Vuçiq tani reagoi me nervozizëm duke thënë se “ky nuk është vend i Magyar dhe ai nuk ka ingerenca që të zhvillojë hetime në Serbi”.
Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) shkroi se pas fitores së Moxharit, në Ballkan po i afrohet fundi rrjetit të Orbánit. Si partner kryesorë të Orbánit në rajon gazeta përmend presidentin serb Vuçiq, liderin separatist të serbëve të Bosnjës Millorad Dodik dhe kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski. Në shtator 2024, sipas FAZ, Orbán i premtoi Mickoskit një kredi në vlerë prej 500 milionë euro. Po ashtu biznesmenë të afërt me Orbánin kanë blerë disa media në Maqedoninë e Veriut, për shembull televizionin Alfa. Këto media, shkruan e përditshmja gjermane, raportojnë rregullisht sipas interesave të Mickoskit dhe Orbánit.