Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Rreziku i “Paradoksit polak”

Duke mësuar nga Polonia, synimi i Orbanit në opozitë nuk do të jetë ofrimi qytetarëve një model më progresiv politik, ai vetëm duhet të sigurohet se ndryshimi i premtuar i Magyarit të dështojë

“Të ishe në Budapest të dielën në mbrëmje do të thoshte të shihje përsëri historinë që po shkruhet në Danub”, kësisoj e filloi kronikën e vet Timothy Garton Ash mbi atë çfarë kishte ndodhur në zgjedhjet e fundit në Hungari. Dhe përdorimi i fjalës “historike” së paku në këtë rast ishte i merituar. Në zgjedhje dolën gati 80% të qytetarëve për t’i dhënë fund pushtetit gjashtëmbëdhjetëvjeçar të Orbanit. Ajo çfarë u konsiderua e pamundur u arrit. 

Në tubimin e fitores lideri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, iu drejtua mijëra qytetarëve të mbledhur, duke iu thënë se: “Sot keni bërë mrekulli. Sot Hungaria bëri histori. Së bashku jemi çliruar nga regjimi i Orbanit. Kemi çliruar Hungarinë. Kemi fituar përsëri shtetin tonë”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të dielën në mbrëmje, qyteti i Budapestit kishte marrë pamjen e një festivali të hapur. Në çdo shesh, në çdo stacion metroje dhe në çdo kafe qytetarët festonin. Adrien Rixer, një zonjë e re e cila erdhi nga Londra për të votuar, tha se “pas gjashtëmbëdhjetë vjetëve më në fund mund të them se jam një hungareze krenare”. Izabella Nagy, njëzetvjeçare që jeton në Budapest, tha se Magyar “ka kthyer shpresën për miliona hungarezët, këtu në Hungari dhe në diasporë”. 

Ajo çfarë kishte ndodhur në Hungari ishte betejë e dy mesazheve krejtësisht të kundërta. Me një anë ishte Magyari me premtimin e “shpresës” dhe “ndryshimit”, ndërsa në anën tjetër ishte Orbani me premtimin e “stabilitetit” dhe “vazhdimësisë”. Në fund shpresa fitoi. 

Por përderisa festa dhe gëzimi momental i popullit hungarez është krejtësisht i kuptueshëm kam frikë se shumë shpejt ata do të kuptojnë se çfarë pune monumentale është para tyre. Siç kemi mësuar nga rasti i Polonisë, ndryshimi i një shteti të kapur është jashtëzakonisht i vështirë. 

Sikur Orbani në Hungari ashtu edhe Kaczyński për gati një dekadë ka ngritur një shtet të kapur në Poloni. Ai kapi sistemin e drejtësisë, monopolizoi mediat, militarizoi resurset e shtetit dhe ushqeu një retorikë të ashpër populiste dhe nacionaliste. Sikur në rastin e Orbanit e gjithë kjo e vendosi në kurs kolizioni me BE-në. Dhe sikur në rastin e Hungarisë, qytetarët polakë në vitin 2023 votuan për “shpresën” dhe “ndryshimin” dhe me një dalje rekorde votuan për Donald Tusk. Sikur Magyar sot, edhe Tusk asokohe premtoi ndryshimin dhe “çkapjen e shtetit”, por sot tre vjet më vonë shumë nga premtimet e tij ngelin të papërmbushura. Ndryshimi i synuar është bllokuar në çdo hap nga një president aleat i Kaczyńskit, si dhe sistemi i drejtësisë i cili është instaluar në kohën e Kaczyńskit. E gjithë kjo i ka dhënë jetë një termi të ri në komunitetin akademik: “Paradoski Polak” – një situatë konflikti në mes të legalitetit dhe legjitimitetit, ku çkapja e shtetit bëhet e pamundur për shkak të normave demokratike, të cilat tani mbrojnë shtetin e kapur. Kësisoj qeveria e Donald Tuskut ka gjetur veten në betejë të vazhdueshme me elementet e shtetit të kapur të Kaczyńskit, të cilat me anë të fiskuslturave ligjore dhe procedurale janë duke sabotuar çdo reformë të rëndësishme. Epilogu i gjithë kësaj është se me kalimin e çdo dite qytetarët polakë po ndihen të frustruar nga mungesa e ndryshimit. Thënë ndryshe, mësimi i Polonisë është se shpresa edhe mund të vritet. 

Asgjë në këtë jetë nuk është e garantuar, por është shumë e mundshme që një e ardhme e tillë e pret edhe Hungarinë. Në Poloni, Kaczyński ishte në pushtet tetë vjet, në Hungari Orbani ishte dyfishin e kësaj. Rrjedhimisht niveli i shtetit të kapur është shumë më i thellë dhe strukturor. Dhe tani Orbani ka mësuar nga rasti i Polonisë dhe ai do të shfrytëzojë të gjitha resurset dhe mjetet që ia garanton sistemi demokratik hungarez për të bllokuar reformat dhe ndryshimin. Duke mësuar nga Polonia, synimi i Orbanit në opozitë nuk do të jetë ofrimi qytetarëve një model më progresiv politik, ai vetëm duhet të sigurohet se ndryshimi i premtuar i Magyarit të dështojë. Kaq do t’i mjaftojë.