Mbi shkrimtarët milionerë dhe autorët e varfër
Christoph Poschenrieder është shkrimtar gjerman. Është autor i tetë romaneve të publikuara nga një shtëpi botuese në Zürich. Shumica e tyre janë pritur mirë nga kritika letrare. Por sipas Wikipedia, Poschenrieder nuk është më shkrimtar, por ish-shkrimtar. Para disa javësh Poschenrieder i tha një gazete gjermane se nuk mund të (mbi)jetonte nga të shkruarit, andaj kishte vendosur të bëhej shofer tramvaji në München.
Siç njofton gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) - duke u bazuar në statistikat aktuale të Shoqatës së Shkrimtareve dhe Shkrimtarëve Gjermanë - mes viteve 2019 dhe 2023, numri i shkrimtarëve milionerë në Gjermani është rritur nga 30 në 40. Ky është lajm i mirë për milionerët. Por lajmet e këqija mbizotërojnë, sepse në të njëjtën kohë të ardhurat e rreth gjysmës së autorëve kanë rënë me 5,8 për qind. Pra, shumica e shkrimtarëve gjermanë qëndrojnë keq sa u përket financave. Mesatarisht fitojnë 25 mijë euro në vit - me kaq para është zor të jetohet në Gjermani e Austri (në Zvicër me 25 mijë euro je rast social). Vetëm në Gjermani 75 mijë njerëz deklarojnë veten si shkrimtare & shkrimtarë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDikur situata ishte ndryshe, njofton NZZ. Shkrimtari austriak Thomas Bernhard bleu ferma të tëra nga honorarët e librave. Shkrimtari gjerman Martin Walser u bë pronar i një shtëpie pranë Liqenit të Konstancës (Bodensee). Shkrimtari zviceran Friedrich Dürrenmatt ishte fanatik veturash dhe kjo manifestohej te markat e ndryshme që posedoi: “Opel Rekord”, pastaj “Opel Kapitän”, pasuar nga një “Chevrolet Bel Air” dhe një “Buick”, më vonë “Jaguar”. Kolegu i tij Max Frisch ishte pronar “Jaguari”. Shkrimtari Martin Walser jetoi deri në vdekje me ankthin se nuk do të kishte mjaft para. Në romanin e tij “Angstblüte” (Lulëzimi i ankthit) bëhet fjalë për një menaxher financash. Aty gjendet kjo fjali: “Gjëja më e rëndësishme është pavarësia. Dhe pavarësi të vërtetë ka vetëm përmes parave”.
Me njoftimin se do të heqë dorë nga shkrimi, Poschenrieder u bë edhe më i njohur, u bë, siç thuhet, viral. Gazetat kanë filluar të interesohen për të. Ndoshta një ditë nga kabina e drejtimit të tramvajit kthehet në tavolinën e punës.
Meqë ra llafi: vetura e preferuar e Max Frisch ishte “Jaguar 320”. Në veprën e tij “Zhurnali i Berlinit”, Frisch shkruan se shpesh kishte parë ëndërr se i ishte vjedhur kjo veturë, për të cilën thoshte se më 1967 kishte paguar 31 mijë franga. Frika e tij ishte e pabazuar, veturën nuk ia vodhi askush. Në nëntor 1990, Frisch ia dhuroi veturën regjisorit Volker Schlöndorff, i cili e ka xhiruar si film romanin “Homo Faber” të Frischit. Më 2022, Schlöndorff ia dorëzoi veturën Arkivit të Max Frischit në Zürich. Përgjegjësit u hutuan: ç’të bënin me këtë veturë? Gjetën një zgjidhje: vetura do të qëndronte në Muzeun e Komunikacionit të Zvicrës (në Luzern). Rivali letrar i Frischit, Friedrich Dürrenmatt, nuk ishte shofer i mirë. Dhjetë aksidente të shkaktuara prej tij janë të protokolluara. Friedrich Dürrenmatt vdiq më 1990, Max Frisch më 1991. Volker Schlöndorff është ende gjallë, 86-vjeçar.
Francezja François Sagan ishte 18-vjeçare kur shkroi romanin “Mirëmëngjesi, trishtim”, i cili menjëherë u bë bestseller botëror. Kjo është përmbajtja (fare shkurt): 17-vjeçarja Cécile kalon pushimet në Côte d’Azur me babanë e saj dhe të dashurën e tij. Anne, kështu quhet e dashura, është një grua e rreptë, e cila arrin ta bindë babanë e Cécile për t’u martuar. Cécile e sheh të rrezikuar jetën e saj të lirë dhe të shkujdesur nga një martesë potenciale, thur një intrigë për ta hequr qafe Anne dhe ia del duke e çuar në vetëvrasje.
Kaq e furishme ishte edhe jeta e François Sagan. Pasioni i saj qenë veturat. Pas suksesit të romanit bleu një “Jaguar XK 140”, pastaj edhe disa vetura të tjera sportive. Shpejtësia ishte për të një lloj përjetimi i ekstazës së jetës. Sagan ishte ekscesive. Veturën e shihte si kafshë me tipare erotike. Në kujtimet e saj me titullin “Buzëqeshja e së kaluarës” shkroi se “njeriu mund të vuajë nga çfarëdo dhimbjeje hidhëruese dashurie, por me dyqind kilometra në orë vuan më pak”. Më 1957 doli nga rruga me Aston Martinin e saj dhe përfundoi e lënduar në një spital të Parisit.
Fundin François Sagan e pati tragjik. E shkatërruar nga alkooli, kokaina, mërzia, borxhet e konfliktet me administratën tatimore, ajo vdiq më 24 shtator 2004 në Normandi.
Ndoshta shkrimtari gjerman Christoph Poschenrieder ka bërë më mirë që ka vendosur të drejtojë tramvajin në München.