Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Nga stabilokracia te konsolidimi i pushtetit personal: Transformimi i lojës politike

Loja politike në Kosovë ka ndryshuar rrënjësisht prej vitit 2021 e këndej. Të lodhur nga sistemi i stabilokracisë dhe i koalicioneve të leverdisë, qytetarët e morën në dorë situatën dhe i dhanë pushtetin absolut një partie, e cila ishte kundërshtare e paepur e atij sistemi. Në shkencën politike, fenomeni kur një parti anti-sistem e fiton pushtetin është faktuar edhe gjetkë. Pra, Kosova nuk përbën ndonjë përjashtim. Partitë anti-sistem kanë fituar edhe në vendet e tjera me sistem konsosacional, sepse qytetarët janë lodhur me lojërat e partive që e kanë shfrytëzuar sistemin për leverdinë grupore e partiake. Mirëpo, ende nuk është teoretizuar se çka ndodh pasi një parti anti-sistem e fiton pushtetin absolut. Me gjasë, shkencës politike mësimet kryesore lidhur me këtë do t’ia japë rasti i Kosovës

Për më se njëzet vjet, Kosova është qeverisur nga një sistem i stabilokracisë, në të cilin partitë politike kanë hyrë në koalicione paszgjedhore duke ua përshtatur nevojat e vendit interesave të tyre politike për të qenë në qeveri. Kanë qenë, pra, koalicione të leverdisë politike, të cilat kanë rënë nga pushteti përmes zgjedhjeve të parakohshme, sa herë që njërës nga partitë nuk i ka leverdisur më të qëndrojë në koalicion. Megjithëkëtë, në këtë vorbull politike është krijuar një stabilitet i paqëndrueshmërisë institucionale, për të cilin shumëkush, duke më përfshirë edhe mua, ka besuar se fajin kryesor e ka sistemi zgjedhor proporcional me dispozita zemërgjera për përfaqësimin e pakicave me 20 mandate parlamentare, gjë që e ka pamundësuar krijimin e shumicave të qëndrueshme parlamentare.
Mirëpo, kjo situatë filloi të ndryshojë në zgjedhjet e parakohshme të 2017-s, kur LVV-ja nga 13.6% të votave, më 2014 u rrit në 27.5%, si parti e vetme. Atëbotë, kur punoja si analist politik për portalin “Balkan Insight” të BIRN, pata thënë në një analizë të publikuar më 29 gusht 2017, pas zgjedhjeve të qershorit, me titullin “Vetevendosje Set to Dominate Kosovo’s Future Political Scene”, se rezultati i zgjedhjeve të 2017-s tregon se në të ardhmen LVV-ja do të jetë forca dominuese politike në Kosovë. Dhe ky parashikim doli të jetë i saktë ngase më 2021, LVV-ja e fitoi mbi 50% të votës qytetare. Pas këtyre zgjedhjeve, patëm një shumicë të qëndrueshme parlamentare, e cila i siguroi qeverisë së udhëhequr nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, një kontinuitet të papenguar qeverisës për katër vjet me radhë. Natyrisht, kjo shumicë i atribuohet koalicionit mes LVV-së e Listës Guxo, të udhëhequr nga Vjosa Osmani, e cila për shkak të pakënaqësive personale e pati braktisur partinë e saj mëmë, LDK-në. Duke qenë se ajo gëzonte një popullaritet të madh në LDK, një numër jo i vogël i votuesve të zhgënjyer të kësaj partie votuan për koalicionin LVV-Lista Guxo. Logjikisht, me ndarjen e posteve kryesore shtetërore, Osmani u zgjodh presidente me mandat pesëvjeçar, kurse Kurti, kryeministër.
Zgjedhjet e shkurtit të 2025-tës, të parat të rregullta që prej shpalljes së pavarësisë më 2008, nuk ia dhanë LVV-së shumicën parlamentare që Kurti e priste. Me 42% të votave, ai nuk arriti ta bindë asnjërën prej partive opozitare që të hyjnë në koalicion paszgjedhor me partinë e tij. Ç’është e vërteta, ai i pati bërë ftesë për koalicion qeverisës vetëm LDK-së, mirëpo, kjo ftesë, me arsye, nuk u konsiderua e sinqertë dhe LDK-ja e refuzoi. Pas një sage të tejzgjatur për zgjedhjen e kryeparlamentares, çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila pas disa vendimeve u detyrua t’i qartësojë procedurat për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të qeverisë, gjë që e ndërpreu cirkun e rikandidimit të pafund të Albulena Haxhiut për kryetare Kuvendi dhe i hapi rrugë kandidimit të Dimal Bashës, i cili i mori edhe votat e PDK-së, që i dha votën atij sa për ta zhbllokuar formimin e institucioneve. Megjithëkëtë, LVV-ja nuk pat partner për formimin e qeverisë, që rezultoi me zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025. 
Edhe pse presidentja i bëri një shërbim të mirë LVV-së me caktimin e datës së zgjedhjeve, sipas preferencave të Kurtit – në kohën e pushimeve kur një numër i madh të simpatizantëve të tij nga diaspora do të vinin në Kosovë për të votuar – ai ia ktheu shpinën Osmanit, duke mos ia dhënë nënshkrimet e nevojshme për kandidaturën e saj për mandatin e dytë presidencial. Kjo ndodhi në kohën kur presidentja Osmani është profilizuar fuqishëm në arenën ndërkombëtare si interlokutorja kryesore kosovare me bashkësinë ndërkombëtare. Fuqizimi i saj në skenën politike ndërkombëtare, me pjesëmarrjen në Bordin e Paqes, marrëdhëniet e ngrohta me presidentin amerikan, Donald Trump, katër njohje të reja ndërkombëtare, e kanë lënë nën hije Kurtin. Me mbi 51% të votave të fituara më 28 dhjetor 2025, ai po e synon konsolidimin dhe forcimin e pushtetit personal, duke i mënjanuar të gjithë ish-partnerët, përfshirë edhe Osmanin, të cilët mund t’ia rrezikojnë lidershipin e pakontestueshëm. Për këtë, partia e tij shpalli zyrtarisht kandidaturën e aleatit të tij të afërt, bashkëpartiakut, Glauk Konjufca. 
Shtrohet pyetja nëse eliminimi i Vjosa Osmanit si presidente dhe përfaqësuese kryesore e Kosovës në skenën ndërkombëtare, në kohën e lëvizjeve tektonike gjeopolitike, kur ajo gëzon simpatinë e figurave ndërkombëtare kyç, duke përfshirë edhe presidentin Trump, është ide e mirë? 

Në këtë kontekst, figura e Konjufcës nuk është e papërshtatshme. Ai ka përvojë politike, përfshirë edhe në politikën e jashtme. Mirëpo, janë dy çështje kyç: A do të jetë ai figurë unifikuese në politikën e brendshme dhe a do ta ketë suksesin dhe autonominë vepruese të Vjosa Osmanit? 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Si kryetar Kuvendi, Konjufca e ka kryer rolin e tij në mënyrë mjaft të mirë, duke i respektuar procedurat parlamentare dhe duke u dhënë hapësirë, sipas parimeve demokratike, të gjitha partive opozitare. 
Kështu që, nuk besoj se ka ndonjë pikëpyetje lidhur me integritetin e tij personal si figurë udhëheqëse. 

Megjithëkëtë, shtrohet pyetja e motiveve të Kurtit për ta zëvendësuar Osmanin me Konjufcën. Zgjedhja e Konjufcës në krye të shtetit ngrit shumë pikëpyetje lidhur me rolet e kryeministrit dhe presidentit në politikën e jashtme. Cili prej tyre (Konjufca apo Kurti) do ta luajë rolin kryesor në politikën e jashtme të Kosovës? 

Meqenëse në këtë shkrim u nisa nga hipoteza se arsyeja përse Kurti ia ktheu shpinën Osmanit është forcimi i saj në skenën ndërkombëtare dhe rrjedhimisht rritja e popullaritetit të saj të brendshëm, atëherë del se me kandidimin e një bashkëpartiaku për president, Kurti e synon eliminimin e Osmanit për ta konsoliduar dhe forcuar pushtetin e tij personal. Ky motiv i Kurtit vjen natyrshëm pas mbështetjes së më shumë se gjysmës së votuesve kosovarë për të. Me fitoren bindëse zgjedhore, ai më nuk e sheh të nevojshme vazhdimin e aleancës me Osmanin. Për më tepër, pasi që qëndrimi i saj në postin e presidentes e ka shndërruar aleancën politike në rivalitet personal. 

LVV-ja i ka votat e mjaftueshme që ta zgjedhë Konjufcën president në raundin e tretë, edhe pa votat e opozitës, kur kandidatit presidencial i mjaftojnë 61 vota për t’u zgjedhur. 

Por si duhet të veprojnë partitë opozitare? Kujtoj se ato duhet të sillen në përputhje me vullnetin e qytetarëve, të shprehur më 28 dhjetor 2025, dhe të qëndrojnë në seancë plenare, pavarësisht qëndrimeve të tyre pro apo kundër Konjufcës. Loja e Kurtit me “kandidimin” e dikujt nga familja Jashari, edhe pse atij i është thënë se asnjëri prej tyre nuk e pranon kandidaturën, para se ta përmend familjen Jashari publikisht, si dhe loja me konsultimet me PDK-në dhe LDK-në kanë pasur për qëllim maskimin e qëllimit të tij për ta eliminuar Vjosa Osmanin. Me konstelacionin politik të krijuar më 28 dhjetor, kur qytetarët i dhanë atij “la carte blanche”, lëvizjet politike të Kurtit shkojnë natyrshëm drejt forcimit të pushtetit personal me mbështetje të plotë popullore. Se a është ky forcim i pushtetit në dëm të demokracisë në afat të gjatë, për këtë përsëri vendimtar është vullneti popullor, sepse parimi themelor i demokracisë është jetësimi i vullnetit të shumicës. Kur nuk ka shumicë, demokracia kërkon kompromise dhe gjetje të rrugëve politike për të qeverisur, gjë që LVV-ja e refuzoi gjatë tërë vitit kur nuk e pat shumicën. Ky refuzim i LVV-së i solli asaj një mandat të dytë të pakontestueshëm, prandaj, lideri i saj, me apo pa të drejtë por me legjitimitet të plotë popullor, po kërkon që ta forcojë pushtetin e tij. Se ku do të dalë kjo, mbetet të shihet në periudhën e ardhshme.

Si përfundim, loja politike në Kosovë ka ndryshuar rrënjësisht prej vitit 2021 e këndej. Të lodhur nga sistemi i stabilokracisë dhe i koalicioneve të leverdisë, qytetarët e morën në dorë situatën dhe i dhanë pushtetin absolut një partie, e cila ishte kundërshtare e paepur e atij sistemi. Në shkencën politike, fenomeni kur një parti anti-sistem e fiton pushtetin është faktuar edhe gjetkë. Pra, Kosova nuk përbën ndonjë përjashtim. Partitë anti-sistem kanë fituar edhe në vendet e tjera me sistem konsosacional, sepse qytetarët janë lodhur me lojërat e partive që e kanë shfrytëzuar sistemin për leverdinë grupore e partiake. Mirëpo, ende nuk është teoretizuar se çka ndodh pasi një parti anti-sistem e fiton pushtetin absolut. Me gjasë, shkencës politike mësimet kryesore lidhur me këtë do t’ia japë rasti i Kosovës.

(Autori është doktor i shkencave politike).