Premtimet e stilit që “tash ne do të gjejmë zgjidhje për krejt të këqijat që i kemi gjetur”, tash nuk pinë ujë më: ato janë gjetur para pesë vjetësh, dhe për pesë vjet nuk janë zgjidhur. E tash, a edhe katër të tjerë duhet të dëgjojmë se si do të zgjidhet lëmshi i gjetur, ani që këtë lëmsh e ka krijuar qeveria e tij paraprake. Nëse në mandatin e shkuar ende ka mundur të thoshte “po përpiqemi të rregullojmë atë që ata e kanë shkatërruar qe 20 vjet”, në këtë mandat mundet vetëm të thotë “po përpiqemi të rregullojmë atë që nuk ditëm ta menaxhojmë vetë”
Votat u numëruan dhe u certifikuan. Dhe më pas Osmani veproi me shpejtësi dhe bëri mirë – i thirri deputetët në seancë konstitutive që të nesërmen.
Një ditë para seancës, kryetari dalës i Kuvendit i ftoi kryetarët a përfaqësuesit e partive politike që të merreshin vesh për rendin e ditës, në të cilën mbledhje mbas një kohe jashtëzakonisht të gjatë u gjet dhe u zbatua fjala “konsensus”.
Vendimi më i rëndësishëm qe votimi i nënkryetarëve në pako, ashtu që të eliminohej çfarëdo mundësie e zvarritjes së kotë – ngase tashmë interesi nuk është zvarritja, por urgjenca për t’i kaluar disa vendime kyç që të funksionalizohen institucionet shtetërore.
Seanca u thirr, u zgjodh kryetarja e re. Doli dhe e mbajti një fjalim ku donte të tregonte se aty ishte e gatshme për bashkëpunim dhe për të dëgjuar se çfarë kishin të tjerët për të thënë. “Detyra ime do të jetë që Kuvendi të funksionojë me dinjitet, transparencë dhe respekt të ndërsjellë, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat parlamentare”, tha Haxhiu. Tingëllon bukur, por në kontekstin e vjedhjes masive të votave brenda partive, ku asnjëri deputet nuk doli i paspërkatur, kjo del të jetë shumë ironike. Nejse.
Pas Haxhiut, u zgjodhën nënkryetarët, dhe fill pas seancës, VV-ja çoi propozimin tek Osmani, dhe kjo e ftoi Kurtin për t’ia dhënë mandatin.
Aty nga 20:20 u dërgua ftesa për seancën e radhës, me një ftesë që parashihte mbajtjen e mbledhjes në orën 20:00... po fundja s’ishte me rëndësi, se në pesë vjetët e fundit nuk mbaj mend që ndonjë seancë të ketë nisur me kohë. Që flet mjaft për respektin që deputetët e kanë për popullin që i ka votuar.
* * *
Pra, Kurti doli, e mbajti një fjalim, sikur të ishte kopje fjalë për fjalë e fjalimit që kishte mbajtur më 25 tetor 2025, kur nuk ia doli ta kalonte qeverinë e tij me qëllimin për të na shpënë në zgjedhje të parakohshme.
Dukej thuajse e shikonim sërish atë film: lëvdata për “çka kemi bërë” dhe premtime për havaje për “atë që do ta bëjmë” – duke u mbështetur ende në shpërndarjen e pafund të mjeteve nga buxheti i shtetit për subvencione të turli lloji.
Nuk është se dëgjova apo mbase më ka ikur, se qeveria e re, e cila ka shumicë dërrmuese në Kuvend që t’ia përkrahë planet, do të themelojë e funksionalizojë fondin e sigurimeve pensionale e invalidore, për shembull. Se për atë të sigurimeve shëndetësore, më nuk e besoj se kush e merr seriozisht, ngase ka mbi një dekadë që përmendet thuajse çdo vit.
Premtimet për “do t’i ndërtojmë rrugët andej-këndej”, do të thotë ato të nisura para katër vjetësh, të sakatuara me rrethrrotullime të pafundme në një trase 40-kilometërshe, për shembull, apo një autostrade të shkretë për në Gjilan (ta merr mendja 1 mijë kilometra e gjatë është) që qe sa vjet është te 65% i punëve të realizuara, është vetëm njëri i indikatorëve të punës së pakënaqshme të qeverisë në mandatin e shkuar.
Premtimet e stilit që “tash ne do të gjejmë zgjidhje për krejt të këqijat që i kemi gjetur”, tash nuk pinë ujë më: ato janë gjetur para pesë vjetësh, dhe për pesë vjet nuk janë zgjidhur. E tash, a edhe katër të tjerë duhet të dëgjojmë se si do të zgjidhet lëmshi i gjetur, ani që këtë lëmsh e ka krijuar qeveria e tij paraprake. Nëse në mandatin e shkuar ende ka mundur të thoshte “po përpiqemi të rregullojmë atë që ata e kanë shkatërruar qe 20 vjet”, në këtë mandat mundet vetëm të thotë “po përpiqemi të rregullojmë atë që nuk ditëm ta menaxhojmë vetë”.
* * *
Pas dështimit të tetorit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të reja kisha shpresën se Kurti do të reflektonte dhe se madje do ta zvogëlonte numrin e ministrive në kërkim të efikasitetit më të madh.
Por jo. Doli ashtu siç e kishte paralajmëruar në tetor, që qeveria e tij do të merrte formën e harmonikës me 19 ministri dhe madje tre zëvendëskryeministra (Pse? Nuk e besoj se ka përgjigje tjetër pos akomodimit të partnerëve minoritarë në pushtet).
Druhem se kjo nuk nënkupton se tash shërbyesit civilë do të transferohen nga një ministri në ndonjërën nga këto të rejat, por nënkupton punësimin e njerëzve të rinj, mundësisht militantë të VV-së, për ta ndryshuar përbrenda strukturën partiako-politike të atyre që tashmë punojnë në institucione prej vitesh, e që ishin vendosur aty nga partitë që atëherë kishin mbajtur pushtetin, kryesisht PDK dhe LDK.
Kësaj i thonë rrëfim i pafundmë, me pasoja për buxhetin e Kosovës dhe për popullatën: sa më e madhe administrata, aq më e ngathtë – se ky është fakt i cili lërë hapësirë për dilema. Kjo është një gjë që e përjetojmë që nga fundi i luftës.
Pra, do t’i kemi 19 ministra, prej të cilëve, krahasuar me emrat e kaluar, 10 janë të rinj. Mandatin e vazhdojnë: Maqedonci (Mbrojtje), Murati (Financa), Sveçla (MPB), Vitia (Shëndetësi), Rizvanolli (Ekonomi), Krasniqi (MAPL) dhe Rashiq (Komunitete...). Vazhdojnë në ministritë e reja: Çeku (tash Arsim), Gërvalla (Drejtësi), Konjufca rikthehet në MPJ mbas pesë vjetësh, Kusari-Lila në Tregti e Industri pas 15 vjetësh, kurse inaugurohen si ministra: Jagxhiu (Administratë publike e Digjitalizim), Hoti (Punë, Familje e Vlera të luftës), Bogujevci (Kulturë), Gashani (Sport e Rini), Pacolli (Mjedis e Planifikim Hapësinor), Muja (Bujqësi...), Basha (Infrastrukturë...), Demiri (Zhvillim Rajonal), në vend të Damkës që bëhet zëvendëskryeministër për çështje të pakicave.
Qeveria e re pra i ka vetëm 5 gra, njëra nga to është edhe zëvendëskryeministre, dhe mund të them se është mjaft dëshpëruese.
Është dëshpëruese edhe përzgjedhja e emrave që i bëri Kurti, duke e pasur shansin edhe kësaj radhe që të emërojë edhe jopartiakë dhe specialistë të fushave të caktuara, e jo ish-deputetët që përvojën e vetme e kanë nëpër OJQ, si këshilltarë politikë jo fort të suksesshëm apo edhe në Kuvendin e Kosovës si interpretues supremë të rregulloreve apo edhe si “spin doctors” sa herë që duheshin ndërruar tezat.
Për korrektësi, kësaj qeverie duhet dhënë kohë akomodimi – të famshmet 100 ditë (po qe se i mbërrin, e që mund të mos mund t’i mbërrijë për shkak të çështjes së kryetarit të shtetit), për të parë nëse të zgjedhurit kanë vizion për t’i zhvilluar sektorët që i kanë marrë nën udhëheqje.
Ditëve në vijim do të marrim vesh edhe sa zëvendësministra do t’i ketë kjo qeveri (a thua do ta thyejë rekordin e qeverisë Haradinaj?) dhe nga sa këshilltarë politikë do të angazhohen me punë në këto dikastere.
Do të mbetet të shihet nëse arroganca e votave do t’ia mundësojë kësaj qeverie të vazhdojë me sistemin e instaluar në mandatin e shkuar – atë të ushtruesve të përhershëm të detyrës me shkelje konsistente të ligjit. Gjithashtu do të mbetet të shihet nëse Kurti do ta tejkalojë atë far qëndrimin e pakuptimtë për të mos i ndërruar ministrat dështakë edhe në gjysmë të mandatit. Është shumë më mirë të pritet e keqja para se të përhapet dhe shumë njerëzore të pranohet gabimi në vlerësim para se të jetë bërë dëmi edhe më i madh.
Insistimi i mbajtjes së ministrave të dobët në qeverinë e shkuar ka krijuar pasoja të reja, të cilat duhet menaxhuar. Shembull tipik ka qenë ministri i Mjedisit e Infrastrukturës, që për gati pesë vjet nuk ia doli ta rregullonte ndriçimin që e lidh aeroportin e Prishtinës me rrugën që çon në kryeqytet dhe të cilit iu deshën katër vjet për ta realizuar sinjalizimin horizontal në autostradën për Prizren. Për projektet e tjera “madhore” as nuk po flas.
* * *
Pas thuajse një viti, më në fund u bëmë me qeveri. E mirë apo e keqe, do të shohim muajve në vijim. Por fakti që të mërkurën e gjithë procedura mori disa orë për t’u kompletuar pa skandale, pa fjalime, pa akuza..., e dëshmoi që kriza e shkaktuar vjet qe vetëm për interes të ngushtë partiak që na ka shkaktuar pasoja të rënda, sidomos ekonomike.
Tash është koha për më pak fjalë e shumë më shumë punë, me këmbët mbi tokë dhe me sytë e përqendruar drejt realitetit që e jetojmë dita më ditë.
Ka një vit që e përsëris: Kosova nuk i ka punët mirë ekonomikisht. As paratë që do të vijnë në formë të ndihmave nuk do ta zgjidhin problemin e majmur nga bllokadat e vazhdueshme politike.
Mjaft dëgjuam pallavra e akuza. Tash duhet të shohim punë dhe rezultate.
Ama punë përnjëmend.