Kur u prezantua përbërja e Qeverisë, kryeministri Kurti doli në foltore të Kuvendit dhe prezantoi ministritë një nga një. Ministri për këtë, ministri për atë, e kështu me radhë. Por një gjë mbeti pa ministri, në fakt mbeti pa u përmendur fare: integrimi evropian. Thënë ndryshe integrimi evropian ngeli jetim
Javën e kaluar u bëmë me qeveri. Qeveria do të këtë tre zëvendëskryeministra dhe nëntëmbëdhjetë ministri. Kur u prezantua përbërja e Qeverisë, kryeministri Kurti doli në foltore të Kuvendit dhe prezantoi ministritë një nga një. Ministri për këtë, ministri për atë, e kështu me radhë. Por një gjë mbeti pa ministri, në fakt mbeti pa u përmendur fare: integrimi evropian. Thënë ndryshe integrimi evropian ngeli jetim.
Prej kohesh procesi i integrimit evropian ka humbur shkëlqimin e tij. Kohërat kur integrimi evropian ishte epiqendër e premtimeve zgjedhore, ndërsa politikanët më të mirë luftonin për t’u emëruar ministrat e integrimit, kanë kaluar moti. Dikur vizitat në Bruksel, Berlin apo Paris ishin simbol i legjitimitetit dhe frymëzimit të forcave politike, sot ato në rastin më të mirë janë simbole të cinizmit të një ardhme të papërmbushur. Tani e dhjetë vjet procesi integrues i Kosovës është në moratorium. Hapi i fundit i rëndësishëm i rrugës evropiane të Kosovës ka qenë hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimi më 1 prill 2016. Që nga ajo kohë procesi integrues i vendit është praktikisht i pezulluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDhe kjo prodhoi pasojat e veta. Me mbajtjen e çdo palë zgjedhjeve kemi dëgjuar më pak, e më pak të flitet për integrim evropian. Ngadalë politikanët hoqën dorë nga çfarëdo premtimi për integrim. Të emëroheshe ministër për integrim apo të dërgoheshe në Komision për Integrime në Kuvendin e Kosovës ishte indikator që karriera jote politike po shkon në drejtimin e gabuar. Me kalimin e kohës Ministria e Integrimit Evropian u mbyll, ndërsa thirrjet për reformat evropiane filluan të shihen më shumë si bezdisje dhe irritim sesa motivim dhe inspirim.
Me ardhjen e Qeverisë Kurti 2 u krijua një shpresë së kjo do të ndryshojë. Kurti zgjodhi Brukselin si destinacion për vizitë të tij të parë jashtë vendit. Gjatë dy ditëve në Bruksel Kurti takoi pak a shumë gjithë krerët e institucioneve të BE-së dhe NATO-s dhe një numër të madh komisionerësh evropianë. Ishte një vizitë e paprecedentë. Kurti kapi bukur entuziazmin e ri për procesin integrues kur thoshte “Evropa është kontinenti ynë e BE-ja fati ynë”. Ndërkohë, brenda vendit ndonëse qeveria nuk ngriti një strukturë institucionale përgjegjëse për integrim, ajo ia ngarkoi detyrën e menaxhimit të agjendës integruese zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë.
E gjithë kjo fillimisht u duk se po jepte rezultat. BE-ja më në fund vendosi të liberalizojë vizat për Kosovën, ndërsa e inkurajuar nga ky momentum Qeveria dorëzoi kërkesën për anëtarësim në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Sidoqoftë, shumë shpejt retë e zeza filluan përsëri të mbyllin perspektiven evropiane të vendit. Pas muajit të mjaltit si qeveri e re, kryeministri Kurti shumë shpejt filloi të kuptonte se pa progres në dialog kërkesa e tij për marrjen e statusit të kandidatit do të groposet në varrezën e ideve të mira të Brukselit. Me komplikimin e dialogut u komplikua edhe procesi ynë integrues. U vendosën masat, u ndaluan kontaktet institucionale dhe u pezulluan fondet evropiane. Kush ishte fajtor për këtë u bë temë polarizuese politike.
Sidoqoftë që të ndryshonim këtë realitet ishte jashtë fuqisë sonë. Ajo çfarë ishte në fuqinë tonë ishte që të vazhdonim me reformat evropiane më fort dhe më mirë. Në fund fare ato ishin në interesin tonë, jo të BE-së. Këtu qeveria vazhdoi të bënte një punë mediokër. Vit pas viti raporti i BE-së konfirmonte se progresi ishte shumë i ngadaltë.
Kjo nuk ishte rastësi. Kjo gjendje ishte pasojë e drejtpërdrejtë e shpërbërjes së strukturave të integrimit evropian në nivel qendror dhe ministror. Qeveria Kurti 2 pasi që kishte mbyllur Ministrinë e Integrimit kishte disa opsione për riorganizimin e saj. Në mes gjitha opsioneve të mundshme ajo zgjodhi opsionin më të keq: të mos bënte gjë. Emërimi i një zëvendëskryeministri i cili integrimin evropian e kishte punë dytësore ishte akt forme dhe jo thelbi. Në mungesë të vullnetit politik, pa lidership dhe të privuar nga vëmendja dhe burimet për zhvillimin e kapaciteteve institucionale strukturat për integrim evropian u rrënuan. Me ato u rrënua edhe performanca e qeverisë në agjendë evropiane.
Integrimi evropian është pak a shumë sikur puna e ushtrisë. Në ushtri gjenerali i cili është përgjegjës për vizionin dhe strategjinë e luftimeve delegon urdhrat për secilën skuadër te vartësit e tij të drejtpërdrejtë, ndërsa vartësit e tij administrojnë urdhrin tutje sipas hierarkisë dhe formacioneve ushtarake. Njëkohësisht gjenerali mbledh rregullisht Këshillin e Luftës dhe pret raportim të rregullt për zbatimin e strategjisë së tij dhe kërkon këshilla për korrigjimet e nevojshme. Nëse në anën tjetër gjenerali delegon urdhra te formacionet që nuk ekzistojnë fare ose formacionet të cilat janë të kequdhëhequra, keqorganizuara dhe keqfurnizuara atëherë praktikisht ai është një gjeneral pa ushtri efektive. Këto katër vjetët të fundit kryeministri Kurti ishte gjeneral pa ushtri. Rrjedhimisht pa institucione të forta, të afta dhe të motivuara për të përkthyer vizionin politik në objektivat, veprimet dhe fondet konkrete fjalimet sikur ai “Evropa është kontinenti ynë e BE-ja fati ynë” – janë vetëm kaq: fjalime.
Paaftësia për të përkthyer vullnetin politik në reformat konkrete nuk është një sfidë me të cilën përballemi vetëm ne. Ndonëse Tony Blair bëri histori dhe hyri në Zyrën e Kryeministrit me një mbështetje të paprecedentë qytetare, shumë shpejt ai kuptoi dallimin ndërmjet fjalimeve të bukura dhe zbatimit praktik të reformave. Këtë frustrim do ta kapë bukur shefi i tij i stafit, Jonathan Powell, kur do të shkruante në memoaret e tij se “Ne tërhiqnim levat e pushtetit dhe asgjë nuk ndodhte”.
Qeveria Kurti 2 është histori. Duke shikuar përpara është me rëndësi që qeveria të mësojë nga gabimet e katërvjeçarit të kaluar në fushën e integrimit evropian. Qeveria nuk mund të kontrollojë çfarë do të bëjë Brukseli me dialogun, por mund të kontrollojë reformat tona evropiane këtu në Kosovë. Për ta bërë këtë Qeveria ka nevojë për një ushtri dhe sikur çdo ushtri ajo nuk bëhet shpejt e shpejt. Krijimi i ushtrive apo kapaciteteve institucionale për integrim është pak a shumë sikur puna e reputacionit në jetët tona personale – ndërtohet shumë ngadalë, por shkatërrohet shumë shpejt.
Hapi i parë në këtë drejtim është vëmendja politike. Kryeministri Kurti duhet të tregojë vëmendje për reformat evropiane. Dhe këtu nuk po flas për konferencat dhe fjalimet publike, por takimet e mbyllura, të gjata dhe të mërzitshme institucionale që do t’i lejojnë kryeministrit të komunikojë seriozitetin për agjendën integruese dhe të kuptojë intimisht mekanikën dhe sfidat e agjendës integruese. Së dyti, integrimi evropian duhet të organizohet brenda një institucioni me lidership të fortë politik dhe burimet e bollshme për ngritjen e kapaciteteve. Institucioni i ngritur duhet të jetë Garda Pretoriane e reformave tona evropiane dhe themeli mbi të cilin do të ngrihen strukturat tona të nesërme për negociatat e anëtarësimit. Ngritja e një strukture të tillë duhet pasuar me fuqizim të kapaciteteve për strukturat ministrore për integrim evropian.
Dhe së fundi procesi i vërtetë i integrimit evropian nuk ka vendime të lehta. Çështjet të cilat vijnë në tavolinën e kryeministrit për vendimmarrje janë shpesh zgjedhja në mes dy të këqijave. Si pasojë kryeministri duhet të rrethohet me gamën e gjerë të mendimeve alternative të cilat do të furnizojnë atë me opsionet e ndryshme të vendimmarrjes me qëllim të mundësimit të marrjes së një vendimi të informuar. Në memoaret e veta Obama kujton se si në kulmin e krizës financiare ndonëse politikat e tij ekonomike ishin të përgatitura nga një ekip titanësh sikur Larry Summers, Tim Geithner dhe Paul Volcker, në prag të çdo vendimi kyç ekonomik ai organizonte takimet shtesë me ekonomistë konservatorë dhe liberalë për të ekspozuar veten ndaj mendimeve sa më të ndryshme ekonomike.
Të gjitha këto është shumë më lehtë të shkruhen e të thuhen sesa të bëhen. Rindërtimi i kapaciteteve për integrim evropian do të marrë shumë kohë dhe energji, por siç thotë ajo fjalia e vjetër popullore “kjo punë nuk ka shpëtim, veç vonim”. Herët apo vonë dritarja e Kosovës për anëtarësim në BE do të hapet, kur ajo do të ndodhë nga institucionet e Kosovës nuk do të priten fjalimet e bukura, por kapacitetet efektive administrative për të nderuar obligimet që burojnë nga anëtarësimi në BE. Koha për të ndërtuar këto kapacitete është tani.