Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Mallkimi i superfuqive

Në Iran, Trumpi duhet të zgjedhë në mes dy të këqijave: Vietnamin e tij personal apo fiaskon më të madhe të politikës së tij të jashtme. Thënë ndryshe, Trumpi tani duhet të zgjedhë në mes dy të këqijave të vetëkrijuara

Asgjë nuk ka kapur më bukur ironinë dhe thelbin e luftës amerikane në Vietnam sesa një bisedë në mes të kolonelit amerikan, Harry G. Summers Jr, dhe kolonelit të ushtrisë së Vietnamit Verior, Nguyen Don Tu. Në bisedë e sipër, koloneli amerikan pyeti homologun vietnamez: “A e di se SHBA-ja ju ka mundur në absolutisht çdo betejë që kemi zhvilluar?”. Koloneli vietnamez iu përgjigj “Po, kjo është saktë, por është po ashtu e parëndësishme”. 

Përgjigjja e kolonelit Tu përfaqësoi bukur mësimin kryesor të luftës së Vietnamit – fitoret taktike dhe ushtarake janë të pakuptimta nëse ato nuk kontribuojnë në realizimin e objektivit strategjik dhe politik. Në Vietnam, ndonëse SHBA-ja fitoi çdo betejë taktike dhe ushtarake, ajo humbi luftën strategjike dhe politike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vietnami ka ngelur në historinë tonë moderne si simbol i Davidit kundër Goliatit – shembull se çfarë ndodh kur një fuqi e madhe mbivlerëson kapacitetin e vet politik dhe ushtarak, dhe njëkohësisht nënvlerëson atë të një vendi të vogël. Po ashtu, historia na ka mësuar se fuqitë e mëdha refuzojnë të mësojnë mësimet e historisë. Për shkak të madhështisë së tyre ato bindin vetën se mund të diktojnë kursin e historisë. Kësisoj, që nga Vietnami historia është e mbushur me shembuj kur fuqitë e mëdha përsëri kanë gjetur veten në situatat e ngjashme me Vietnamin. 

Nuk është e rastësishme përse nofka e Afganistanit është “Varrezë e Perandorive”. Afganistani është vendi ku Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja kanë gjetur disfatën e tyre. Të dy këto superfuqi mbivlerësuan veten dhe nënvlerësuan rezistencën afgane. Ata supozuan se kontrolli i Kabulit dhe qendrave kryesore nënkuptonte kontrollin e të gjithë vendit. Ata nënvlerësuan natyrën e decentralizuar dhe fisnore të rezistencës afgane dhe fuqinë e identitetit fetar dhe kulturor. Në Irak, SHBA-ja besoi se rrëzimi i një diktatori do të çonte në një tranzicion automatik drejt demokracisë së stilit perëndimor. Ajo dështoi të merrte parasysh dinamikat e brendshme sektare që do të shkaktonte pushtimi amerikan.
Pasojat e mbivlerësimit të fuqisë së vendeve të mëdha i shohim edhe sot në Ukrainë dhe Iran. Në Ukrainë i gjithë pushtimi rus u projektua mbi supozimin se Ukraina është shtet “fals” dhe se ushtria ruse do të mirëpritej si ushtri çlirimtare. Kremlini në tërësi nënvlerësoi identitetin kombëtar ukrainas. Dhe përderisa sot Rusia kontrollon afërsisht 20% të territorit Ukrainas, çmimi për këtë arritje ka qenë astronomik. Vlerësimet e fundit sugjerojnë se viktimat ruse kanë arritur në gati 1.2 milion (të vrarë dhe të plagosur) – një shkallë humbjesh e paparë nga një fuqi e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Mësimi kryesor i pushtimit rus të Ukrainës është se një fuqi më e madhe nuk mund ta pushtojë me sukses një fuqi të vogël, e cila ka vendosur kolektivisht se kostoja e dorëzimit është më e lartë se kostoja e rezistencës së përjetshme.

Në Iran e gjithë strategjia amerikane është e lidhur me bindjen e Trumpit se ai do të arrijë të përsërisë atë çfarë ka arritur në Venezuelë. Pra një pushtim i shkurtër, por i fuqishëm, do të obligojë vendin më të vogël (Iranin) t’i nënshtrohet vullnetit të vendit më të madh (SHBA-së). Kësisoj operacioni “Epic Fury” filloi me gati 900 sulme në 12 orë, duke eliminuar me sukses objektiva me vlerë të lartë, përfshirë edhe udhëheqësin suprem. Supozimi i Trumpit ishte se eliminimi i Khameneit të vjetër dhe figurave kyç të lidershipit iranian do të rezultonte në shembje të regjimit dhe/ose në kërkesë të menjëhershme për armëpushim. Në vend të kësaj, lidershipi iranian u tregua shumë më institucional dhe i gjithë vendi u bashkua rreth Khameneit të ri. Ushtarakisht Irani u përgjigj duke goditur aleatët rajonalë të SHBA-së (Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Kuvajtin, etj.) dhe duke mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit. Kësisoj, Irani e transformoi një konflikt ushtarak në një krizë ekonomike globale. Deri më sot mësimi kryesor i pushtimit amerikan të Iranit është se fuqitë e vogla mund të shkaktojnë “dhimbje ekonomike” në shkallë globale, duke e bërë një luftë të gjatë politikisht të pamundur për audiencën e brendshme të një superfuqie.

Qysh nga koha e Melosit historia na ka mësuar për pasojat e nënvlerësimit të fuqive të vogla. Në kohërat tona moderne Rusia është duke përjetuar Vietnamin e saj të fundit në Ukrainë. Ndërsa në Iran, Trumpi duhet të zgjedhë në mes dy të këqijave: Vietnamin e tij personal apo fiaskon më të madhe të politikës së tij të jashtme. Thënë ndryshe, Trumpi tani duhet të zgjedhë në mes dy të këqijave të vetëkrijuara.