Ambiguiteti i BE-së rreth qëllimeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është bërë pengesë e madhe për arritjen e suksesit. Kur qëllimisht krijohet hapësira që secila palë të interpretojë gjërat sipas këndvështrimit të vet, e BE-ja nuk e sqaron se cila është e vërteta, atëherë rriten iluzionet dhe zvogëlohen gjasat për pranimin e realitetit. Lajçak e tha një gjë të duhur dhe jashtëzakonisht të rëndësishme në Prishtinë: “Dialogu nuk është për statusin, por për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”. Problemi është se të njëjtën gjë nuk e tha në Beograd, ndonëse u pyet në mënyrë direkte nga gazetarët. Kështu Serbia mund të vazhdojë ta përdorë dialogun si argument kryesor kundër njohjeve të Kosovës dhe për tërheqjen e tyre, siç ka bërë me sukses edhe deri tash
Një vizitë disaditëshe, shumë e rëndësishme, e përbashkët e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan, Gabriel Escobar, në Kosovë dhe Serbi, mund të ketë ndihmuar që të shpëtohet dialogu i Brukselit.
Ky dialog është në një rrugë qorre, pa marrë parasysh se nga BE-ja mundohen ta bindin opinionin se “takimet në kuadër të dialogut kanë vazhduar tërë kohën” dhe se “BE-ja ka të dërguarin për dialog, Lajçak, që është në dispozicion 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNuk mund ta fajësojmë Lajçakun për dështim. Sepse ai është i dërguar i posaçëm i BE-së, e cila nuk ka dhe nuk mund ta ketë qëndrimin e qartë unik për epilogun e këtij dialogu. Pohimet formale në BE se qëllimi i dialogut është “arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve” është më pak dëshmi e unitetit dhe e qëllimit të qartë e më shumë ambiguitet, i cili qëllimisht nuk dëshiron ta përkufizojë qëllimin e dialogut. Por Lajçak nuk ka faj për këtë, megjithëqë po bëhen dy vjet prej kur me pompozitet të madh BE-ja e kishte emëruar ish-ministrin e Jashtëm të Sllovakisë si të dërguar të posaçëm për dialog. Atëherë u tha se “marrëveshja finale duhet të arrihet brenda muajsh e jo vitesh” dhe se “status quoja është e paqëndrueshme dhe e papranueshme”. Kjo e dyta nuk është asgjë e re. Prej kur kanë filluar të merren me Ballkanin Perëndimor, në BE nuk ka çështje për të cilën nuk e kanë thënë të njëjtën gjë; “status quoja është e papranueshme”. Nuk kanë arritur të gjejnë diçka më origjinale sesa kjo. E thonë për reformat zgjedhore dhe kushtetuese në Bosnjë-Hercegovinë, e thonë për raportet mes Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
Por ja se status quoja u konvenon shumë qarqeve. Para së gjithash Beogradit, i cili përmes dialogut tash ka fituar shumë e nuk ka humbur asgjë. Që nga nisja e dialogut, presioni për ta pranuar realitetin se Kosova është shtet i pavarur është zvogëluar e jo rritur. Ndërkohë Serbia ka liberalizimin e vizave, ka marrë statusin e kandidatit, ka nisur dhe po i vazhdon negociatat e anëtarësimit dhe ka vazhduar të mbështesë forcat që nuk janë më partnerë të BE-së në botë. Kosova nuk ka fituar asgjë, pos një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi.
E dëmet e Kosovës nga dialogu janë të mëdha. Dëmi më i madh është se Serbia e ka shfrytëzuar me shumë sukses dialogun si dëshmi se statusi i Kosovës nuk është çështje e kryer. Dhe BE-ja nuk e ka mohuar asnjëherë këtë. Përfaqësuesit e Serbisë u kanë thënë shteteve nëpër gjithë botën se për “çështjen e Kosovës” po zhvillohen bisedime në Bruksel dhe se, në rastin më të keq, duhet pritur. Shumë shtete e kanë parë këtë qëndrim të Serbisë si logjik. Sidomos kur e kanë pyetur BE-në dhe nga zyrtarë të saj kanë dëgjuar se “BE-ja nuk ka qëndrim rreth statusit” ose se “BE-ja ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës”. Nuk ka asgjë që ka penguar njohjet e Kosovës dhe ka ndihmuar tërheqjen e njohjeve sesa dialogu i Brukselit. Nuk ka nevojë të shkojmë më larg, le t’i shohim edhe vetë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilat presin “rezultat nga dialogu” para se të shqyrtojnë ndonjë ndryshim të qëndrimit të tyre.
Për të qenë edhe më i rëndë ky realitet, ai erdhi pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e as në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-ë. Nuk ka pasur, dhe vështirë se do të ketë moment më të përshtatshëm për të bërë presin ndaj shteteve që nuk e kishin njohur Kosovën sesa pas shpalljes së mendimit të GJND-së. Sepse ajo kishte hedhur poshtë argumentin e këtyre shteteve për të mos e njohur Kosovën si shtet, pra thirrjen në të drejtën ndërkombëtare. Por në vend të kësaj fokusi u kthye nga dialogu dhe u harrua njohja. Tash iu dha Serbisë një mundësi që të vendosë edhe për çështjet e brendshme të Kosovës, edhe për çështjet e jashtme të saj.
Edhe Ministria e Jashtme e Sllovakisë nisi menjëherë pas mendimit të GJND-së të gjejë arsye për të mos e njohur Kosovën, në kohën kur Lajçak ishte shef i diplomacisë së këtij shteti. Nuk u prit fare mirë së pari vendimi i Sllovakisë që në GJND të dërgojë opinionin e saj kundër pavarësisë së Kosovës, siç bëri edhe Spanja. Nuk ishte e këndshme për vendet e BE-së si Gjermania, Holanda, Finlanda, Sllovenia dhe shumë të tjera që për një çështje aq të rëndësishme të kishte shtete anëtare që dilnin në anën e Rusisë kundër shumicës së BE-së. Kur doli opinioni i GJND-së, nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thoshin se “kjo ka qenë vetëm një përgjigje e ngushtë në një pyetje të ngushtë” (të njëjtën gjuhë e përdorte edhe ministri i Jashtëm i atëhershëm i Serbisë, Vuk Jeremiq). Bile jozyrtarisht, nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thoshin se “gjykatësi sllovak në GJND, Tomka, kishte votuar kundër vendimit këtij mendimi”. GJND-ja me rezultat 10 në favor dhe 4 kundër kishte pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Sllovakia, edhe pse në argumentimin e saj me shkrim, të dorëzuar nga ambasadori i saj në Hagë, kishte thënë se do ta merrte parasysh mendimin e GJND-së në qëndrimet e saj politike, akoma nuk e ka njohur Kosovën.
Sot nuk duhet parë këtë sjellje të atëhershme të Sllovakisë si shkak të sjelljeve të tashme të të dërguarit të posaçëm Miroslav Lajçak, e as të shefit të tij nga Spanja, Josep Borrell. Por është një situatë në të cilën BE-ja e ka gjetur veten dhe nuk ka tentuar të dalë nga ajo, ndërsa Kosova ka rënë në një kurth, nga ku nuk mund të dalë.
Mendimi i GJND-së është një rast i humbur, sikur një penallti e huqur në ndeshje futbolli, që nuk mund të kthehet më. Nuk shohim fare reagime nga BE-ja kur përsëriten nga Serbia, Spanja, Rusia apo dikush tjetër se ato duke mos e njohur Kosovën “respektojnë të drejtën ndërkombëtare”. Kjo i bie se, sipas mendimit të tyre, shumica e vendeve të BE-së e paskan shkelur të drejtën ndërkombëtare duke e njohur Kosovën. Ka qenë gabim i madh i BE-së që ka neglizhuar faktin se ka një shumicë të madhe që e ka njohur Kosovën, me të drejtë, duke e respektuar edhe të drejtën ndërkombëtare, dhe politikën e tyre e kanë përshtatur me nevojat e shteteve që nuk e kanë njohur. Kur Lajçak kishte thënë se “vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të pranojnë çfarëdo që pranon Beogradi”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte thënë se “kjo është një qasje e papranueshme dhe e subordinon politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe Rusisë”.
Prej që ka nisur dialogu, Kosova ka pasur nevojë që të thuhet qartë se ai nuk është për statusin e Kosovës. Sepse vetëm atëherë ky dialog nuk do të shihej më si i dëmshëm për Kosovën. Por BE-ja nuk e tha këtë. Prandaj liderët e Serbisë vazhdojnë të thonë me mburrje se: “Sikur të ishte statusi çështje e kryer, pse vijnë atëherë në dialog përfaqësuesit e Prishtinës?”.
Kur u nis dialogu u tha se ai është “teknik” dhe se “çështja e statusit është çështje e kryer”. Tash thuhet se “asgjë teknike nuk është në dialog, sepse gjithçka është politike”.
Qasja e tashme duket më e saktë, sepse mes Kosovës dhe Serbisë problemet “teknike” janë rezultat i mospajtimeve politike për statusin. Dhe nuk duhesh ta kesh përvojën e Miroslav Lajçakut për ta ditur këtë. Prandaj nuk duhet përqeshur Lajçakun dhe Borrellin me përmendjen e rastit të stikersave në tabelat e veturave si nivel të mundësive të tyre. Sepse edhe këto targa të veturave janë të lidhura me statusin e Kosovës dhe me pyetjen “është apo jo Kosova shtet”.
Pak pa i mbushur dy vjet në këtë mandat, Lajçak në Prishtinë e tha më në fund se negociatat janë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e jo për statusin e Kosovës. I porositi kosovarët që të mos kenë frikë nga dialogu.
Problemi është se të njëjtën gjë nuk e tha në Beograd, ndonëse u pyet në mënyrë direkte nga gazetarët. Sipas raporteve të mediave nga Serbia, një gazetare e pyeti Lajçakun se “a është dialogu vërtet vetëm për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që është interpretim i përfaqësuesve të Kosovës”? Nuk ka mundur ta keqkuptojë Lajçak pyetjen, sepse ai e flet rrjedhshëm serbishten. Në vend që ta thotë të njëjtën gjë që e tha në Prishtinë, Lajçak u kthye nga ambiguiteti i BE-së duke thënë se “mandati i tij është për të punuar në marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, dhe këtë është duke e bërë”. Kështu Serbia mund të vazhdojë ta përdorë dialogun si argument kryesor kundër njohjeve të Kosovës dhe për tërheqjen e tyre, siç ka bërë me sukses edhe deri tash.
Ndoshta sikur Lajçak, dhe përfaqësues të tjerë të BE-së t’i thonë të njëjtat gjëra në Prishtinë, Beograd e Bruksel, do ta ndihmonin më shumë dialogun. Sepse me këtë “ambiguitetin” e tyre të famshëm vetëm po krijojnë më shumë konfuzion. E kështu pas 2 vjetëve të mandatit të Lajçakut në vend të përparimit shohim vazhdimin e së njëjtës praktikë, palët thonë të veten, takimet herë mbahen e herë jo, aty-këtu bëhet ndonjë marrëveshje, ndonjë pak edhe implementohet, por përparim konkret në dialog nuk ka.
Ambiguiteti i BE-së rreth qëllimeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është bërë pengesë e madhe për arritjen e suksesit. Kur qëllimisht krijohet hapësira që secila palë të interpretojë gjërat sipas këndvështrimit të vet, e BE-ja nuk e sqaron se cila është e vërteta, atëherë rriten iluzionet dhe zvogëlohen gjasat për pranimin e realitetit.