Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Tahiri: Bizneset janë pranë kolapsit, të ulet akciza dhe TVSH-ja e naftës

Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka paralajmëruar se bizneset në Kosovë janë në prag kolapsi për shkak të çmimit të lartë të naftës dhe obligimeve fiskale, duke kërkuar nga Qeveria uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën.

Tahiri ka thënë se çdo ditë pa veprime konkrete po i shtyn ndërmarrjet drejt mbylljes dhe po rrezikon mijëra vende pune, ndërsa shtoi se, sipas tij, përpjekjet e Qeverisë për të kontrolluar çmimet duke detyruar bizneset të shesin me humbje nuk janë zgjidhje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai theksoi se shtetet serioze, në situata të tilla, ndërmarrin masa si ulja e përkohshme e akcizës dhe TVSH-së, subvencionimi i sektorëve kritikë, krijimi i rezervave strategjike shtetërore dhe mbështetja direkte për qytetarët.

“Shtetet serioze nuk bëjnë populizëm me çmime artificiale. Ato ulin përkohësisht akcizën dhe TVSH-në, subvencionojnë sektorët kritikë, krijojnë rezerva strategjike shtetërore dhe targetojnë ndihmën direkt te qytetarët”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Sipas Tahirit, përvoja e Ukrainës gjatë krizave dhe modeli i Japonisë me rezerva shtetërore tregojnë se si duhet të veprohet në situata të tilla ekonomike.

Ai kërkoi lirimin e menjëhershëm të së paku 8 centëve nga TVSH-ja dhe heqjen e akcizës për naftën deri në stabilizimin e situatës, duke paralajmëruar se pa këtë ndërhyrje një valë mbylljesh biznesesh dhe humbjesh të vendeve të punës është e pashmangshme.

Tahiri shtoi se është paradoksale që, sipas tij, nga njëra anë raportohet për rritje të të hyrave buxhetore, ndërsa nga ana tjetër, siç tha ai, po dëmtohet sektori që i gjeneron ato.

“Ky nuk është menaxhim ekonomik, është një iluzion i rrezikshëm që do të paguhet shtrenjtë nga qytetarët. Veproni sot. Nesër mund të jetë vonë”, ka shkruar ai.