Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër
1.
“Vuçiqi ra, tash e ka radhën Rama” u dëgjua në protestat e Tiranës dhe ishte njëri prej indikatorëve se si lehtësia e analogjive mund të mashtrojë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPresidenti i Serbisë në fakt paralajmëroi dorëheqjen e tij prej postit të presidentit dhe gatishmërinë për t’u kandiduar për kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm. Kështu , presidenti Vuçiq u dorëhoq nga pushteti po aq sa u dorëhoq nga pushteti presidenti Putin për t’u bërë kryeministër më 2012.
“Rënia” e Vuçiqit më 2026 mund ta gjejë shëndosh e mirë në pushtet për aq mandate pushteti sa të ketë nevojë. Dhe me këtë presidenti i Serbisë ka treguar se protesta popullore, e përkrahur gjithandej shtresave të shoqërisë dhe e vetëkonsideruar si një me “kauzë të drejtë” jo domosdoshmërisht do të rrëzojë një pushtet i cili është i perceptuar gjerësisht si i padrejtë.
Pushteti në Serbi e konsideroi lëvizjen e studentëve si sfidën kryesore ekzistenciale ndaj tij dhe ishte i gatshëm të përgjigjet në dy mënyrat thelbësore me të cilat protesta do ta rrëzonte. Kur në rrugët e Beogradit kishte masë të mjaftueshme njerëzish për ta treguar paralizën e pushtetit kundër protestuesve u përdor “topi zanor”, një armë sonike ruse që godet shqisat e protestuesve me ultratingull. I vendosur që të bashkëjetojë me protestën duke llogaritur në lodhjen e lëvizjes dhe sfidat për ruajtjen e kohezionit, pushteti po e lëviz zbërthimin e konfliktit në pikën që i konvenon, zgjedhjet parlamentare brenda kushteve të tanishme sistemore e funksionale. E brenda atij sistemi- ku për zgjedhje keqpërdoret paraja publike, mediet janë nën kontroll e diferenca mes dhunës së policit dhe kriminelit në shërbim të pushtetit është pothuajse e padukshme - pushteti ka gjasa të vazhdojë tutje.
Sipas anketës së fundit të Faktor Plus, po të mbaheshin zgjedhjet javën e kaluar partia e Vuçiqit SNS, do të kishte fituar 47.1 për qind të votave dhe së bashku me socialistët do të kishin mbi 50 për qind. Forca e dytë më e fortë politike në zgjedhje do të ishte Lista Studentore me 30.7 për qind të votave.
2.
Do kujdes me analogjitë.
Pushtetet në Serbi e Shqipëri mund të duken e të jenë autokraci të prodhuara me zgjedhje (jo aq) demokratike, por kanë dallime thelbësore. Pushteti i sotëm në Serbi është i ndërtuar mbi valën ende të pakonsumuar të urrejtjes së prodhuar të luftërave të zhbërjes së ish Jugosllavisë dhe rolit qendror që kishte Serbia e nacionalizmi serb në të. Pushteti i sotëm në Shqipëri nuk ka fare ngjashmëri; kryeministri Rama ishte një kozmopolit gjatë zhbërjes së ish-Jugosllavisë dhe ekskursionet e tij nacionaliste karshi Kosovës apo Maqedonisë së Veriut viteve të fundit të pushtetit mund të jenë më shumë produkt nevoje protagonizmi regjional sesa zgjim i vonshëm i bindjeve. Autokracia në Shqipëri është produkt i rrallë global që ngjizet me bashkëveprimin e pushtetit, grupeve të organizuara kriminale narko-trafiku ndërkombëtar, “oligarkëve” dhe medieve.
Rrjedhimisht, në kulturën politike të Serbisë është e pritshme të nxirren “topat zanorë” e kriminelë me shkopinj bejsbolli për të rrahur pleq, gra e fëmijë që dalin për protestë. Në kulturën politike të Shqipërisë, dhe për këtë ka kontribut edhe kryeministri Rama, nuk është e pritshme që të rrihen njerëzit me kukulla flamingo në dorë apo me pankarta kundër pushtetit, qoftë edhe me mesazhe të skajshme si “vdekje tradhtarëve”.
Për më tepër, analogjia nuk është e vlefshme as në kapacitetin zhvillimor të protestave. Serbia do të mbushë dy vjet proteste, Shqipëria mbushi një muaj. Në kulmin e vet të protestës, nëse nuk ndryshon gjë deri në fund të këtij viti, Serbia do të ketë arritur që të shkojë në zgjedhje parlamentare, në kushte të njëjta e të padrejta si atë më parë, por me një legjitimitet më të madh për një lëvizje të re opozitare, të kryesuar nga studentët. Shqipëria është vetëm në fillim të lëvizjes së saj protestuese dhe për dallim prej asaj serbe, në muajin e parë tashmë ka bërë të qartë se fundi i saj nuk do të jetë pjesëmarrja në zgjedhje në kushte të njëjta si ato të kaluarat.
3.
Pra, jo, Vuçiqi nuk ra dhe në analogji nuk ka arsye të bjerë as kryeministri Rama.
Kryeministri i Shqipërisë i ka në dispozicion po të dyja rrugët e konfrontimit me protestën, e cila për dallim prej asaj të Serbisë, ende është në fazën fillestare dhe me sfida përpara. Asgjëmangut, ka rrugën e bashkëjetesës me protestën me shpresë se ajo disi do të venitet apo shndërrohet në ritual atraksioni turistik. Dhe ka rrugën e konfrontimit në zgjedhje parlamentare, në rast se lëvizja rrit potencialin e vet politik. Në që të dyja rrugët përpara, protestuesit dhe kryeministri vënë bast se do të ketë erozion te kundërshtari; se protestuesit nuk do të arrijnë ndonjë kohezion përfaqësimi apo se kryeministri do të qëndrojë gjithnjë e më i vetmuar në majën e pushtetit të përqendruar kryesisht në duart e tij.
Që të dyja rrugët, përkundër dallimeve thelbësore mes Shqipërisë dhe Serbisë çojnë drejt një përfundimi të synuar nga kryeministrat e tyre, vulosje me demokraci formale zgjedhore, ushtrimin jodemokratik të pushtetit.
4.
Megjithatë, ardhmëria e Shqipërisë do të ketë rrugëtim tjetër prej Serbisë.
Për dallim prej Serbisë, Shqipëria është në formë autentike e orientuar drejt BE-së; popullata e saj, partitë politike, Qeveria, shoqëria civile. Për më tepër, si provë të përkushtimit të saj, ka SPAK-un, një institucion i vendosjes së shembullit të sundimit të ligjit.
Kjo duhej të mjaftonte që Shqipëria të mos e vazhdojë rrugën e Serbisë? Jo.
Përcaktimi i pushtetit pro reformave evropiane tregonte se vendi është i gatshëm të bëjë të gjitha ndryshimet ligjore që kërkohen nga BE-ja, e kryeministri madje sugjeroi që me këtë punë të mos merren aktorët politikë apo administrata, por që të bëhet me ndihmën e Inteligjencës artificiale, pra që pak a shumë Kuvendi të miratonte formalisht përkthimet e ligjeve evropiane që do t’i bënte Chatgpt.
Mu këtu ilustrohet diskrepanca, ku reformat evropiane bëhen formë e jo përmbajtje. Shqipëria e pushtetit të sotëm dëshiron në formë autentike të miratojë ligje në përputhje me kërkesat e BE-së dhe në formë autentike të mbajë modelin e tanishëm të zhvillimit të vendit në të cilin mungon transparenca demokratike, ndërsa përligjet me qytetari shembullore paraja e ardhur nga narkotrafiku dhe influenca politike e shoqërore që vjen me të.
Mbajtja e dy besimeve që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën quhet disonancë kognitive dhe ky është problem i pushtetit. Por ky është edhe problem i BE-së, sepse është e vërtetë që Shqipëria është plotësisht e drejtuar nga BE-ja, porse ajo në gjendjen e tanishme është po ashtu e drejtuar që modeli i zhvillimit të saj ekonomik të mbështetet në infuzione të mëdha paraje nga burime jolegale. Kjo nuk paraqet një përjashtim nga rregulli i sundimit të ligjit me të cilin duhet të merret SPAK-u, ky është tashmë rregulli.
SPAK-u nuk mund ta zëvendësojë opozitën e as të jetë shpata e idealizuar revolucionare që do të presë koka e të sjellë drejtësi. Revolucioni Flamingo nuk mund ta zëvendësojë Kuvendin e Shqipërisë. BE-ja nuk mund të zëvendësojë Qeverinë e Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë nuk mund të zëvendësoje popullin dhe sovranitetin e tij.
Mençuria është tash se si të shfrytëzohet vullneti evropian i Qeverisë, vullneti i BE-së ndaj Shqipërisë, vullneti i SPAK-ut për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar dhe vullneti i protestuesve të Lëvizjes flamingo për ta kthyer vendimmarrjen te qytetari - si të shfrytëzohet e tërë kjo energji drejt një qëllimi të përbashkët, që rruga e Shqipërisë të jetë krejtësisht e ndryshme prej asaj ku gjendet këto ditë.