Kosovës i vyen një prokurori shumë më aktive dhe prokurorë që i mbrojnë rastet me të cilat janë ngarkuar, me mish e me shpirt. Kosovës do t’i bënte punë edhe një SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) – që do të duhej të merrej, për shembull me gjetjet e Zyrës së Auditorit Kombëtar. Veç të lexohen ato që kanë të bëjnë me komunat, do të mjaftonte që edhe në Kosovë të gjendeshin plot Eriona
Shkoi gjysma e vitit, dhe Kosova ende nuk ka Kuvend dhe e ka një kryetare në detyrë dhe një qeveri, gjithashtu në detyrë.
U gëzova para kohe javën e shkuar duke besuar se, pavarësisht se është e drejtë e garantuar me ligj, ankuesit për shkelje të pretenduara gjatë procesit të numërimit, do të hiqnin dorë nga edhe një rund ankesash – duke treguar se njëmend e kanë interesin e Kosovës para interesit të tyre personal. Sa naive.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoThuajse jam e sigurt se përgjigjja e Supremes (mbështetur në argumentet e herës së shkuar), do t’i refuzojë ankesat. Dhe thuajse jam e sigurt se ankuesit do të shkojnë deri në Kushtetuese për t’i kërkuar të drejtat e tyre.
Përgjigjja e Supremes duhet të merret më së voni të mërkurën që vjen. Dhe, pavarësisht se kandidati ankues, i cili nuk qe i lumtur me zgafellen e javës së shkuar, do të më ankohej sërish, uroj që përgjigjja të dalë qysh sot dhe të shkurtohet procedura.
As pas një muaji, nuk ia dalim t’i certifikojmë zgjedhjet.
* * *
Mora t’i analizoj lajmet e një dite në amullinë në të cilën jetojmë qe disa vjet, në veçanti në vitin e fundit.
Dhe, jo për t’u befasuar, edicioni i lajmeve mbrëmë, pos lajmit tashmë të komentuar më lart, e kishte edhe lajmin edhe për një shqiptar të arrestuar në Serbi dhe të akuzuar për krime lufte; për grupin e organizuar kriminal që kontrabandonte ujë në vend të naftës dhe pastronte paratë e narkotikëve; për aktakuzën për krime lufte ndaj 6 ish-gardianëve për keqtrajtim të të burgosurve shqiptarë; për një dënim për krime lufte në lartësi prej 12 vjetësh; për “vetëmbylljen” e një fabrike qumështi; për edhe një test mature që tregon se as gjysma e maturantëve nuk dinë shqip e as një e treta nuk di matematikë; për një tentimvrasje në pikë të ditës dhe në mes të sheshit në Podujevë – dhe kërkesën për paraburgimin e të përfshirëve, që hë për hë janë nëpër spitale...
Pra, do të mund të thuhej se nuk janë të rralla ditët në të cilat na përsëriten informatat e kësaj përmbajtjeje. Për shkak se në fakt, na janë bërë pjesë normale e jetës. Do të thotë se më nuk na befason skajshmërisht shumë as fakti që dikush e çon dorën kundër një të afërmi dhe shikon me u kusuritë me armë zjarri, në mes të ditës dhe në mes të rrugës. Për lëvdatë, e nuk është se dëgjojmë shumë për këso rastesh (e nuk do të thotë se nuk ndodhin), ishte veprimi i policit veshur në tesha civile, që ndërhyri duke e rrezikuar veten, për ta parandaluar një kasaphane në shesh.
Si kasaphane, supozoj, do të jenë burgjet në Serbi. Ka një kohë që autoritetet e Serbisë arrestojnë, pa ndonjë kriter, këdo që ua merr mendja se duhet, në emër të zbulimit të “kryerësve të krimeve të luftës”, patën apo nuk patën lidhje me luftën në Kosovë.
Sa e sa herë ka ndodhur që dikush të ndalohet; të mbahet një kohë në burg; që dikush të ndërhyjë që pas një kohe të lirohen nga burgu – dhe përherë pyetja që shtrohet është se përse njerëzit që do të mund të kenë rrezik arrestimi për shkak se kanë qenë në UÇK ose përse bartin kartën e veteranit, kalojnë nëpër Serbi.
Po e kuptoj që rruga shkurtohet mjaft, porse a ia vlen të kursehen disa orë rrugë, nëse ajo do të përfundojë me paraburgimin që mund të zgjatet me muaj? Zor të gjendet diçka racionale në gjithë këtë.
* * *
Është një prokuror në Prizren, që deri tash ka treguar se e ka guximin të merret me punën e vet profesionalisht. Uroj që ta vazhdojë punën me po të njëjtin ritëm me qëllimin që të ketë sa më shumë sukses në identifikimin, kapjen dhe dënimin e kriminelëve. Po të njëjtën do të uroja të shihja në të gjithë sistemin prokurorial që ka shumë vjet që çalon; që ka shumë vjet që nuk ka kryeprokuror dhe që shpesh del të jetë hallka më e dobët në sistemin e drejtësisë.
Pra, për të mos i futur të gjithë në një thes, veprimi i kësaj jave, kur u arrestuan 9 veta, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kontrabanduar, në fakt se kanë mashtruar se importonin naftë në sasitë e paraqitura dhe që kanë shpërlarë para, ishte mbase lajm shumë i mirë. Sepse kushedi edhe sa raste të këtij lloji apo të ngjashme ndodhin në Kosovë, e sa njerëz pasurohen duke shpërlarë para të drogës, e që vazhdojnë me jetën e tyre normale pa asnjë dhimbtë.
Së shpejti do të emërohet kryeprokurori i shtetit. Dhe bash nuk është me rëndësi nëse kemi kryetar shteti, a kryetare në detyrë, por kushdo që të zgjidhet nga KPK-ja, do të duhej të emërohej menjëherë. Kosovës i vyen një prokurori shumë më aktive dhe prokurorë që i mbrojnë rastet me të cilat janë ngarkuar me mish e me shpirt. Kosovës do t’i bënte punë edhe një SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) – që do të duhej të merrej, për shembull me gjetjet e Zyrës së Auditorit Kombëtar. Veç të lexohen ato që kanë të bëjnë me komunat, do të mjaftonte që edhe në Kosovë të gjendeshin plot Eriona.
* * *
Para disa ditësh, u mbajt një takim konsultativ i thirrur nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe për herë të parë, pas 27 vjetësh, doli versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës në Kosovë.
Ky fakt do të duhej të ishte një njollë e madhe turpi që do të duhej ta bartnim të gjithë – ata që kanë pasur për detyrë, i kanë pasur mjetet dhe mundësitë për t’i zbuluar emrat, rrethanat, autorët e krimeve – pra pushtetarët dhe të gjithë ne të tjerët që ose nuk ndamë informata, ose nuk bëmë presion të zëshëm e të fuqishëm që kjo çështje të merret me shumë seriozitet.
Dhe është fakt që në disa vjetët e fundit janë shpeshtuar edhe aktakuzat (ani që shpesh në mungesë) si dhe gjykimet për krime lufte. Dje u bë publike aktakuza kundër gardianëve të burgjeve, sidomos gardianeve të Burgut të grave në Lipjan, për të cilat ka pasur shumë dëshmi për keqtrajtimin që e kanë bërë nga vetë ish-të burgosurat që ka shumë kohë që mbledhin fakte dhe ngrenë zërin në kërkim të drejtësisë.
Ndërkohë, u kthye në rigjykim rasti i policit Bajroviq, të akuzuar për krime lufte për rrëmbimin e 16 dhe vrasjen e 15 civilëve në Saradran në Istogut. Njëherë ishte dënuar me 12 vjet burgim. Edhe dje iu përsërit aktgjykimi – 12 vjet për 15 jetë.
Dhe nuk kishte faj dëshmitari kryesor, i mbijetuari Naim Elshani, që mbeti me pasoja të dukshme nga ekzekutimi, të mos ishte i kënaqur me aktgjykimin, nëse është vërtetuar përtej çdo dyshimi se Bajroviq ka vrarë. Është krim lufte – krim më të rëndë nuk ka.
Edhe dënimi pra do të duhej të ishte në proporcion me krimin.
* * *
Dhe një lajm, që natyrisht mori kah krejt tjetër, për shkak të të implikuarve, qe mbyllja nga pronari e fabrikës për prodhimin e qumështit “Vita”. Mbyllja ndodhi menjëherë pasi që inspektorati i AVUK-ut kishte inspektuar fabrikën prej nga kishte marrë mostra për analizë. Dhe mostrat kryesisht ishin të lidhura për qumështin pluhur dhe për vajin e palmës që është gjetur në uzinë dhe gjatë prodhimit.
Natyrisht se nuk duhet paragjykuar asnjë gjë derisa të mos dalin rezultatet e analizave si dhe konstatimet e inspektimit. Porse lë përshtypje reagimi i udhëheqjes së fabrikës, të irrituar me “inspektimin e paparalajmëruar”. Supozohet se këtë punë e ka inspektorati: që të dalë e të inspektojë, mundësisht pa paralajmërim, për të verifikuar nëse gjërat shkojnë ashtu siç i parasheh ligji.
Apo është se në të kaluarën qenkan bërë këso inspektimesh me paralajmërim, dhe për pasojë kurrë nuk ka pasur vërejtje për asgjë... nejse.
Por, duket sikur tema ka dalë krejtësisht jashtë kontrollit – aty ku dikush gjithsesi duhet të viktimizohet.
Se ashtu i duhet momentit politik.
* * *
E ata që e zunë momentin qenë maturantët.
Vodhën e kopjuan sa mundën dhe megjithatë, dëshmuan se për nga nxënia janë shumë më mbrapa sesa ishim gjeneratat që nuk kemi pasur as digitron (kështu i thoshim kalkulatorit – d.m.th., kjo është në kajden e asaj se të gjitha pompat e benzinës në të shkuarën janë identifikuar me emrin “INA”).
Pra, 70% e kaluan provimin, kurse mesatarja e pikëve e shprehur në përqindje në gjuhë shqipe është 45.46%, gjuhë angleze 65.1% dhe matematikë 31.83%. Pra, nuk marrin vesh atë që e lexojnë shqip; rrinë në rrjete sociale dhe e përvetësojnë anglishten dhe matematikës nuk është se ia kanë haberin fort.
Dhe kështu që nga fundi i luftës.
Dhe kështu duke mos u shqetësuar askush për një problem shumë serioz që e kemi në shoqëri. Lëre që kemi më pak fëmijë, por edhe nuk po mund t’i arsimojmë si duhet. Thuajse është një send nëpër të cilin duhet kaluar shkel e shko, e jo baza e zhvillimit të një shoqërie.
Prandaj edhe nuk më befasoi fare statistika e lexueshmërisë së portalit KOHA.net në dy ditët e fundit që tregon se njëri nga tekstet masivisht të lexuar ishte: “Reforma në Gjermani: Ndryshojnë rregullat për pushimet mjekësore, tatimet e kontratat e punës”.
Arsyeja duket shumë e qartë dhe e thjeshtë, pas gjithë këtyre lajmeve “fantastike”, duket sikur krejt mendtë i kanë n’Gjermani.