Storia e liberalizimit të vizave pati një fund të mirë. Qytetarët e Kosovës më në fund iu bashkuan hapësirës së lirë evropiane, ndërsa institucionet e Kosovës dëshmuan se janë të afta të menaxhojnë efektivisht përgjegjësitë që burojnë nga procesi integrues. Tani është koha për hapin e radhës
“Jemi skeptik për liberalizimin e vizave të Kosovës, frikën e kemi nga migrimi që mund të shkaktohet” – ky ishte titulli i deklaratës së ambasadores franceze në Kosovë pak kohë para marrjes së vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave. Dhe ky nuk ishte vetëm sentiment i Francës. Shumë vende të BE-së në kuadër të diskutimeve të tyre të brendshme kishin shprehur po të njëjtën brengë për migrimin e kosovarëve, pas liberalizimit të vizave. Kjo ishte deri diku edhe e kuptueshme. Në mendjet e tyre ishin ende të freskëta pamjet e migrimit masiv të viteve 2014-2015, kur numri i azilkërkuesve nga Kosova shënoi rekord historik.
Por liberalizimi i vizave erdhi dhe fatmirësisht me të nuk erdhi migrimi i kosovarëve drejt BE-së. Këtë e konfirmuan edhe të dhënat e EUROSTAT-it për azilkërkuesit për vitin 2024. Ndonëse në vitin 2024 pati rritje të ndjeshme të azilkërkuesve nga Kosova, ajo rritje ishte e përkohshme dhe brenda parametrave të parashikuar. Gjatë vitit 2024 ishin regjistruar gjithsej 5,635 kërkesa të qytetarëve të Kosovës për azil në vende të BE-së. Kjo ishte rritje prej 144% krahasuar me vitin e kaluar.
Destinacionet kryesore të azilkërkuesve ishin Franca (3,150), Gjermania (1,665) dhe Italia (485).
Ndonëse kërkesat për azil nga Kosova u rritën për 144% në vitin e parë të liberalizimit të vizave, kjo rritje është në fakt mjaft e ulët nëse krahasohet me rritjen e numrit të azilkërkuesve nga vende të tjera të rajonit në vitin e tyre të parë të liberalizmit të vizave. Në rastin e Maqedonisë së Veriut numri i azilkërkuesve u rrit për 895%, në rastin e Serbisë 356%, ndërsa në rastin e Shqipërisë 166%. Vetëm Mali i Zi dhe Bosnja arritën të mbajnë rritjen e numrit të azilkërkuesve nën 100%. Një lajm tjetër i mirë është se të dhënat e para të EUROSTAT-it për vitin 2025 janë mjaft inkurajuese dhe konfirmojnë rënien e ndjeshme të numrit të azilkërkuesve nga Kosova.
Kësisoj storia e liberalizimit të vizave pati një fund të mirë. Qytetarët e Kosovës më në fund iu bashkuan hapësirës së lirë evropiane, ndërsa institucionet e Kosovës dëshmuan se janë të afta të menaxhojnë efektivisht përgjegjësitë që burojnë nga procesi integrues.
Sidoqoftë ky fundi i lumtur i liberalizimit të vizave erdhi me kosto të madhe. Kosova fitoi këtë të drejtë pesëmbëdhjetë vjet pas vendeve të rajonit. Sot jemi prapë në situatë të ngjashme. Kosova është duke pritur marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE - status ky që Mali i Zi e ka marrë para pesëmbëdhjetë vjetësh, ndërsa Shqipëria para dhjetë vjetësh. Kosova sot ngelet i vetmi vend në rajon pa statusin e vendit kandidat.
Që nga fillimi i procesit të liberalizimit të vizave Kosova u paragjykua. Kur Kosova pranoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, neve na u dyfishuan kriteret që duhet përmbushur. Paragjykimi ishte që gjendja në Kosovë është më e rëndë dhe rrjedhimisht duhet të jemi më kërkues në përmbushjen e kritereve. Por Kosova përmbushi të gjitha kriteret. Kur i erdhi fundi këtij procesi u paragjykuam se do të ketë migrim masiv të qytetarëve dhe abuzim me të drejtën e lëvizjes. Asnjëra nuk ndodhi.
Sot Kosova kërkon nga BE-ja të mos paragjykohet, por të gjykohet. Në bazë të çdo kriteri objektiv Kosova përmbush kriteret për marrjen e statusit të vendit kandidat. Njëkohësisht duhet të jemi syhapur për obligimet që kemi para nesh. Tani më është e çimentuar që rruga jonë integruese është e lidhur me avancimin e dialogut. Dhe në këtë drejtim duhet të jemi të përgatitur për marrjen e vendimeve të vështira në kuadër të dialogut. Kjo është detyrë e liderëve tonë. Ndonëse këto nuk do të jenë vendime të lehta, është detyrë e liderëve që të kuptojnë rëndësinë e tyre. Në fjalët e Kissingerit: "Është detyrë e liderëve të hapin horizontet e reja, të cilat popujt e tyre asnjëherë nuk kishin imagjinuar”.