Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Fuqia e letrës së tualetit

Në fushatë Orban foli për Ukrainën, Zelenskyn, Evropën e keqe, konspiracion globalist dhe LGBT. Kundërshtari i tij foli për gjëra që e prekin qytetarin çdo ditë – sikur letër tualeti

Një ditë prej ditëve Péter Magyar pati një ide kurioze për fushatë – letër tualeti. Kështu Magyar ngarkoi një kamion plot letra tualeti dhe ua ofroi si donacion disa spitaleve të Budapestit. Ky akt simbolik kapi bukur frustrimin publik me degradimin e ofrimit të shërbimeve publike të ofruara nga qeveria qendrore dhe kryeministri Viktor Orban. Ky frustrim do të sjellë në sheshin kryesor të Budapestit – një muaj para zgjedhjeve – 10,000 protestues që kërkuan përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Gjatë ditëve në vijim do të shkruhen mijëra faqe analiza përse Orban humbi, por mua më duket që episodi i letrës së tualetit kap bukur thelbin e humbjes së tij. Në ambicien e tij për të ruajtur pushtetin Orban krijoi një monstër korrupsioni i cili divorcoi pushtetin e tij nga realiteti ditor i qytetarëve. Në fushatë Orban foli për Ukrainën, Zelenskyn, Evropën e keqe, konspiracionin globalist dhe LGBT. Kundërshtari i tij foli për gjëra që e prekin qytetarin çdo ditë – sikur për letër tualeti.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me afrimin e fundit të fushatës zgjedhore u duk që edhe Orbani ka kuptuar se humbja është e paevitueshme. Në konferencën për shtyp me JD Vance, kur Vance deklaroi se Orban do t’i fitojë këto zgjedhje, edhe vetë Orbani nuk arriti t’i përmbajë të qeshurat. 

Arsyeja përse zëvendëspresident i SHBA-së ishte në tubim zgjedhor të një vendi të vogël evropian ishte tregues që këto nuk ishin zgjedhje të rëndomta. Ato ishin fushëbetejë e radhës në mes autokracisë dhe demokracisë. Thënë ndryshe Hungaria përsëri e gjeti veten në reshtin e parë të historisë. Më 2 maj 1989 kur ishte e qartë që Bashkimit Sovjetik po i vjen fundi, Hungaria ishte vendi i parë që filloi çmontimin e “murit të hekurt” me Perëndimin. Kjo do të vendosë në lëvizje dominon e cila disa muaj më vonë do ta rrënojë murin e Berlinit. Vite më vonë kur autoritarizmi do të fillojë të marrë hov, Hungaria do të jetë vendi i parë ku do të lindë ideja e “demokracisë iliberale”. Sot Hungaria është përsëri vendi i parë i cili po kthehet nga autoritarizmi drejt demokracisë. Thënë ndryshe Hungaria ka qenë laborator politik i botës në disa dekada të fundit.

Kjo është edhe arsyeja përse sytë dhe resurset e fuqive të mëdha ishin të drejtuara nga Budapesti këtë fundjavë. Kjo fundjavë na mësoi katër gjëra për forcat dhe faktorët që mundësuan triumfin e demokracisë dhe humbjen e Orbanit.

Gjëja e parë që mësuam është që fuqitë e mëdha nuk mund të diktojnë vullnetin e tyre mbi qytetarët. Orbani ishte rast kurioz i cili gëzonte mbështetjen e tri fuqive të mëdha kundërshtare. Pra, zgjedhjen e tij e synonin edhe SHBA-ja, edhe Rusia, edhe Kina. SHBA-ja ofroi mbështetje politike, Rusia naftë dhe gaz, ndërsa Kina investimet masive sikur ai i BYD-it dhe CATL-së. Sidoqoftë kjo nuk ishte çfarë dëshiruan qytetarët dhe përkundër përkrahjes së hapur dhe të heshtur të fuqive të mëdha, Orbani humbi.

Gjëja e dytë që mësuam është se edhe nën kushte të një autokracie të plotë dhe shtetit të kapur, demokracia përsëri arriti të fitojë. Orbani qëndroi në pushtet për gjashtëmbëdhjetë vjet duke krijuar një udhërrëfyes për të gjithë autokratët e botës. Elementet kyçe të këtij udhërrëfyesi ishin: (1) ndrysho rregullat zgjedhore në favorin tënd, (2) militarizo institucionet e drejtësisë për të siguruar pasurimin e jashtëligjshëm dhe për të ndjekur kundërshtarët, (3) kontrollo narrativin publik duke kapur mediat dhe (4) kontrollo pasurinë e gjithë shtetit duke krijuar oborrin tënd oligarkik. Si pasojë Parlamenti Evropian degradoi regjimin e Orbanit në “autokraci të zgjedhur”, ndërsa “Freedom House” e degradoi nga vendi “i lirë” në vend “pjesërisht i lirë”. Dhe në gjithë këtë sfond Magyar është dashur të ballafaqohet me Orbanin. Thënë ndryshe ai nuk kishte kundër vetes Orbanin, por gjithë fuqinë e shtetit hungarez. Dhe shteti përdori çdo mjet në dispozicion të tij. Partia e tij dhe e gjithë jeta e tij u përgjua, e dashura e tij u rekrutua nga shërbimet e inteligjencës, mediat tradicionale publikonin çdo ditë lajme të rreme për të, ndërsa çdo individ apo kompani që mbështeti atë publikisht përfundoi nën hetimet e ndryshme të shtetit. Por Magyar nuk u dorëzua. Përmes kurajos dhe këmbëngulësisë së jashtëzakonshmes ai zhvilloi një fushatë intensive zgjedhore e cila zgjati dy vjet. Magyar mposhti propagandën shtetërore duke vizituar virtualisht çdo fshat dhe lagje hungareze. Ndërsa atë që nuk arrinte të bënte me mediat tradicionale, ai e kompensoi me mediat sociale. Kjo është edhe arsyeja përse një faktor i madh i fitores së tij doli të jetë rinia.

Gjëja e tretë që mësuam është se sa bukur vazhdon t’i mbijetojë kohës këshilla e vyeshme e strategut të fushatës së Clintonit, James Carville-it, kur ka thënë “It’s the economy, stupid”. Për gjashtëmbëdhjetë vjet Viktor Orban ka pasur një marrëveshje me popullin hungarez: krejt përderisa ekonomia është mirë, ai do të gëzojë mbështetjen e tyre. Gjatë pjesës dërrmuese të mandatit të tij Orban siguroi një performancë të mirë ekonomike me rritje mesatare prej 3%, shkallën mesatare të papunësisë prej 5%, uljen e borxhit publik dhe inflacionit. Ishte koha e artë e qeverisjes së Orbanit. Por me kalimin e kohës Orbani filloi të vendosë interesat e tij para interesit të qytetarëve dhe përderisa rrethi i tij u pasurua, qytetarët filluan të varfërohen. Ekonomia hyri në recesion disa herë, çmimet e ushqimit u dyfishuan, ndërsa inflacioni i përgjithshëm arriti kulmin historik prej gati 20% - niveli më i lartë brenda BE-së. E gjithë kjo gjendje u përkeqësua nga korrupsioni endemik, degradim i shërbimeve publike dhe bllokimi i fondeve nga ana e BE-së. Thënë ndryshe Orbani shkeli marrëveshjen e heshtur me popullin hungarez. Dhe populli e bëri këtë të qartë këtë fundjavë. 

Gjëja e katërt që mësuam është rëndësia e BE-së. Fitorja e Magyarit u bë e mundur sepse loja politike u zhvillua në një “territor evropian” nën “rregulla evropiane”. Thënë ndryshe, sa do të këqija që ka bërë Orbani ai gjithmonë ka ditur se nuk mund të shkojë përtej disa kufizimeve të cilat nuk do të lejoheshin nga BE-ja. Pra, ai ka ditur që nuk mund të bëhet Putin apo Erdogan. Orbani ka ditur që BE-ja ka në arsenalin e saj, masa politike dhe ekonomike të cilat do të fundosnin përfundimisht regjimin e tij. Prandaj, edhe vetë Orbani ka kuptuar se kur është mjaft dhe kur duhet të pranojë rregullat demokratike dhe humbjen që vjen nga ajo. 

Zgjedhjet në Hungari përfunduan. Hungaria është sot plot shpresë për një të ardhme më të mirë, por siç kemi mësuar edhe ne këtu, shpresa nuk është strategji. Para Péter Magyarit qëndron një sfidë e jashtëzakonshme. Ai duhet të këtë shkathtësi politike që të ndryshojë nga rrënjët gjithë monstrumin e shtetit të kapur – nga prokuroria dhe gjyqësori, e deri te mediat dhe oligarkët. Në këtë rrugëtim ai do të këtë përkrahjen e qytetarëve të cilët këtë fundjavë festuan me koncertin, i cili në përkthim të lirë do të titullohej “Çkapja e Shtetit”. Por njëkohësisht duhet të jemi të vetëdijshëm që gjatë këtij rrugëtimi Magyar do të pengohet nga forcat e errëta të shoqërisë hungareze të cilat nuk do të lejojnë ndryshimin. Kur këtë fundjavë Orban e pranoi humbjen, ai e përmbylli fjalimin e vet me fjalët “Ne kurrë nuk dorëzohemi. Kjo është një gjë të cilën njerëzit dinë për ne: ne kurrë nuk dorëzohemi”. Prandaj, këtë fundjavë Magyar fitoi një betejë, por lufta vetëm sa ka filluar.