Çka domethënë të kesh mbiemrin Berisha në Zvicër? Mbi emrat, integrimin dhe politikanët shqiptarë në Zvicër (me theks të posaçëm: zgjedhjet në Zürich më 8 mars).
Para se të flasim për Zvicrën, duhet të ndalemi pak në Gjermani. Për arsye aktualiteti. Gjykata Federale e Drejtësisë, instanca më e lartë për çështje civile dhe penale në Gjermani, së fundi ka marrë një vendim të rëndësishëm. Ajo ka gjykuar se nëse një agjent patundshmërish i përjashton nga konkurrenca (apo gara) njerëzit me emra të huaj, atëherë kjo paraqet diskriminim.
Në rastin konkret bëhet fjalë për Humaira Vasem. Kjo grua e lindur dhe e rritur në Gjermani, me emër pakistanez dhe gjermanishte pa aksent, kishte konkurruar për të marrë me qira një banesë. Nuk ia doli. Nuk arriti të kontaktojë as agjentin e patundshmërive. Kishte plotësuar në internet formularin, por kërkesës së saj nuk iu përgjigj askush. Kurrë. Fare.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVasem është nënë dhe mësuese në landin e Hesenit. Ajo vendosi të paraqitet tek i njëjti agjent me emrin Julia Schneider. Emër e mbiemër tipik gjerman. Të gjitha të dhënat e tjera për të ardhurat, profesionin dhe familjen i la të njëjta. Dhe shih ti mrekullinë: Julia Schneider menjëherë u ftua për të parë banesën që donte ta merrte me qira. Për Gjykatën Federale të Drejtësisë nuk ka asnjë dilemë: ky është një rast i qartë diskriminimi. Për njerëzit me emra të huaj që kërkojnë banesë në Gjermani, ky vendim gjyqësor është shumë i rëndësishëm. Tani e tutje, ata mund të mbrohen me mjete juridike kundër diskriminimit në tregun e banesave. Gjykata e detyroi agjentin e patundshmërive t’ia paguajë Humaira Vasemit një dëmshpërblim prej 3000 eurosh dhe t’ia mbulojë të gjitha shpenzimet e avokatit.
Ky fenomen është i përhapur edhe në Zvicër. Nëse në këtë vend e keni mbiemrin Berisha (ose Mustafa, Hasani, Hyseni) dhe konkurroni për një vend pune apo një banesë me qira, gjasat janë të mëdha që të injoroheni plotësisht. Do të favorizohen njerëz me mbiemra të “zakonshëm”, domethënë: Meier, Müller, Huber, edhe Ferrari kalojnë, sepse italianët tashmë janë të pranuar në shoqëri.
Një studim i Fondit Nacional të Zvicrës tregoi se nëse quhesh Afrim, atëherë shanset në tregun e punës nuk i ke të mira. Nëse quhesh Peter, atëherë kjo është përparësi. Studimi arriti në përfundim se veçanërisht të rinjtë shqiptarë janë të diskriminuar kur kërkojnë punë, konkretisht 59 për qind e tyre. Ndër të rinjtë turq, kjo shifër ishte 30 për qind. Kanë kaluar disa vite nga ky studim, por diskriminimi mbetet. Në rajonin e Zürichut mbiemri Berisha ende mund të jetë pengesë për shkak të disa tipave problematikë me mbiemrin Berisha, që vite më parë ranë në sy me sjellje ligjshkelëse.
I njëjti problem edhe në listat zgjedhore. Kandidatët me emra të huaj marrin mesatarisht 5 për qind më pak vota se kolegët e tyre me emra tipikë helvetikë. Një studim i Drejtorisë së Arsimit në Zürich tregoi se fëmijët me gjuhë të huaj marrin nota më të dobëta edhe kur arrijnë të njëjtat rezultate si bashkëmoshatarët e tyre gjermanofonë.
Por çdo medalje i ka dy anë. Dhe çdo përgjithësim është i rrezikshëm. Sidomos viteve të fundit integrimi dhe përparimi i komunitetit shqiptar në Zvicër janë shumë shpresëdhënës dhe premtimdhënës. Në maj 2023 elektorati në kantonin e Luzernit e zgjodhi socialdemokraten Ylfete Fanajn (e lindur në Prizren) në qeverinë e kantonit. Ajo është ministre e Brendshme e kantonit të Luzernit. Në tetor 2023 Islam Alijaj, me origjinë nga Kosova, u zgjodh deputet në Parlamentin e Zvicrës (në dhomën e madhe, Nationalrat). Aktualisht Zürichu është i mbuluar me posterë elektoralë të një politikani me emrin Përparim Avdili (partia liberale FDP). Ai kandidon për postin e kryetarit të Zürichut (nuk është favorit, por në politikë mund të ndodhin kthesa të jashtëzakonshme, më 8 mars dihet më shumë, atë ditë mbahen zgjedhjet në Zürich).
Emri i Përparim Avdilit u bë temë nga një kolumnist plakarec, i cili në kolumnën e tij shkroi se partia liberale FDP rrezikon të humbë një vend në qeverinë e qytetit të Zürichut për shkak të emrit të Përparim Avdilit. Emri i tij, bërbëliti kolumnisti, tingëllon si një specialitet i ri në banakun e donerit. “A është turk? Italian nuk është sigurisht. Iranian? Jo, vjen nga Kosova (në fakt nga Kumanova, vër. ime), duket mjaft mirë në pamje, dhe si fëmijë i një familjeje punëtorësh sezonalë ka bërë një karrierë të vrullshme si ekspert financash. Dhe tani është kandidat i partisë liberale për kryetar qyteti”. Dilema është kjo: si të sillesh ndaj provokatorëve të tillë nga e djathta populliste dhe regresive? Përparim Avdili zgjodhi të përgjigjet me ironi. Në vijim një pjesë nga letra e tij dërguar kolumnistit me emër superzviceran:
“I dashur P.B.
Kur Barack Obama po përgatiste kandidaturën e tij për Senatin amerikan në fillim të viteve 2000, thuhet - sipas legjendës - se një këshilltar i kishte rekomanduar të kandidonte më mirë si ‘Barry’ Obama. Përgjigjja e tij ishte: ‘Kjo mbase mund të pritet më mirë, por emri im është Barack’.
Tani, ju mund të kundërshtoni duke thënë se paralelet midis figurës gjigante historike dhe një politikani lokal të papërfillshëm të Zürichut janë shumë pak të ngjashme. Kjo është e vërtetë.
Në të njëjtën kohë, jam i bindur se propozimi juaj për ndryshimin e emrit është i pamjaftueshëm dhe nuk e rrok thelbin e çështjes.
Ndërlidhja midis emrave që tingëllojnë të huaj dhe suksesit më të vogël elektoral në listat zgjedhore zvicerane është e dokumentuar mirë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ky disavantazh mund të mënjanohet nëpërmjet ndryshimit të emrit.
(...)
Pas shumë vjetësh në politikë, unë personalisht mund ta përballoj këtë formë diskriminimi. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mua. Kur mendoj se si më ka prekur etiketimi si i huaj në moshë të re apo gjatë shërbimit ushtarak, teksti juaj më bën mbi të gjitha një gjë: të ndihem i trishtuar. Sepse unë e kam një ide se çfarë dëmi shkaktoni me këtë në kokat dhe zemrat e të rinjve me histori migrimi.
Me respekt, Përparim Avdili”.
Fushata elektorale e Përparim Avdili në Zürich është freski pranverore në mes të dimrit (këtë e thonë jo vetëm gazetarët që përcjellin politikën lokale, por edhe ndonjë rival politik).
Përparim, Peter apo Petër? Si në jetën e përditshme edhe në politikë me rëndësi është të injorohen ata që duhet injoruar. Ose marrëzitë e tyre të rrëzohen me ironi (në shqip: qesëndi).