Mbi rolin e një mbreti francez në parfumosjen e Kosovës, muhamedanët që dhuronin për Katedralen e Kölnit dhe gazetarin e parë gjermanoperëndimor, i cili më 1961 vizitoi Shqipërinë
1.
Një shishe e vogël me shënimin “Eau de Cologne” dhe me një fotografi apo një skicë të një katedraleje - kjo mund të ketë qenë dhurata e parë që gastarbajterët nga Kosova ua sillnin kushërinjve kur ktheheshin nga Gjermania pas përvojave të para si punëtorë në kantiere ndërtimtarie. “Eau de Cologne” ose kolonja, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, është një tretësirë e merme me përmbajtje alkooli, që përdoret për të dezinfektuar fytyrën pas rrojës. Të kesh një shishe të vogël kolonjë në vitet 1960 ishte një simbolikë e fuqishme: dalloje nga të tjerët. Ata që kishin kolonjë i përkisnin një shtrese më të lartë shoqërore. Pak a shumë si dallimi që ekziston sot mes atyre që hanë pashtetë dhe atyre që shijojnë kaviar me shampanjë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo2.
Siç e tregon emri, “Eau de Cologne” vjen nga qyteti gjerman i Kölnit. Por ideja nuk ishte burimore gjermane, por franceze. Nga mesi i shekullit të 17-të deri në fillim të shekullit të 18-të, në Francë mbretëronte Luigji i Katërmbëdhjetë. Gjërat që ai konsideronte të bukura, përhapeshin menjëherë nëpër botë. Johann Baptist Farina, një italian me banim në Köln dhe me sens për biznes, hapi në vitin 1709 një dyqan për “mallra franceze”. Mes këtyre mallrave kishte edhe parfume nga Franca. Familja Farina edhe sot prodhon parfumin e saj, kjo është fabrika më e vjetër në botë e parfumit, i cili u quajt “Eau de Cologne”. Në gjermanisht emri i parfumit - (kölnisch Wasser), uji i Kölnit - nuk tingëllon aq bukur sa në frëngjisht.
3.
Punëtorët e qytetit të Kölnit në Gjermani më datën 3 shkurt 1965 mbetën të habitur kur, duke shkuar në punë, panë punëtorë turq (“gastarbajterë”) me një qilim për lutje nën sqetull duke u futur në Katedralen e Kölnit, një prej objekteve më të famshme të kishës katolike. Myslimanët turq (ose siç quheshin atëherë “muhamedanë”) po hynin në Katedrale për të falur Bajramin, që shënon fundin e muajit të Ramazanit. Të drejtuar nga Meka, turqit falën namazin. Një imam drejtoi lutjet nën hijen e kryqeve, simboleve të tjera kristiane, altarëve, statujave, shkruante gazeta “Die Zeit”. Punëtorët që nuk kishin sixhade për të vendosur gjunjët kishin sjellë me vete gazeta, të cilat i shtruan aty ku më 1147 abati Bernhard von Clairvaux bëri thirrje për Kryqëzatën e Dytë. Gazeta “Kölnische Rundschau” shkroi: “3 shkurti i vitit 1965 ishte një ditë që hyri në historinë e religjionit”. Kur turqit po thërrisnin “Allahu akbar” në drejtim të Arabisë, imami i falënderoi udhëheqësit kishtarë për këtë gjest vëllazëror. Në shenjë falënderimi punëtorët turq dhuruan para për meremetimin e mëtejmë të Katedrales. Ndërsa Katedralja i kishte hapur portat për turqit, restorantet në Köln e rrethinë ua ndaluan hyrjen turqve – për shkak të përleshjeve me thika.
4.
Harry Hamm u lind më 1922 në Amsterdam. Në Luftën e Dytë Botërore ishte pjesëtar i forcave gjermane dhe u zu rob nga trupat sovjetike. U internua në Bashkimin Sovjetik deri më 1949. Pastaj filloi të punonte si gazetar i gazetave “Die Welt” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Më 1961, ai ishte gazetari i parë gjermanoperëndimor që arriti të marrë një vizë për të vizituar Shqipërinë komuniste, e cila sapo ishte prishur me Bashkimin Sovjetik dhe ishte bërë njëfarë kolonie kineze në Mesdhe. Pas udhëtimit nëpër Shqipëri, Hamm shkroi një libër me titullin: “Kryengritës kundër Moskës: Shqipëria – kryeura e Pekinit në Evropë”. Libri u botua më 1961, në Köln. Hamm shkrepi edhe shumë fotografi në Shqipëri, për shembull dy kineze në plazhin e Durrësit më 1961. Vdiq në vitin 1979, një vit pasi Tirana prishi marrëdhëniet me Kinën.
5.
Thuhet (dhe sipas të gjitha gjasave është e vërtetë) se Gustav Mahler nga fshati Kalishtë (jo Kalishta e Strugës, por e Republikës çeke) ka punuar rrafsh gjashtë vjet për të shkruar Simfoninë e tij të dytë. Në një ditë të vitit 2023, Filharmonia e Münchenit mbeti duke pritur në stacionin e trenit në Köln. Nga ky qytet filharmonistët bavarezë donin të shkonin në Berlin për të luajtur, mes tjerash, Simfoninë e dytë të Gustav Mahlerit.
Ndërmarrja e hekurudhave gjermane, e famshmja “Deutsche Bahn”, sërish kishte dështuar fund e krye. Tre trena ICE nuk u nisën fare nga Kölni. Askush nuk i njoftoi rreth 200 muzikantë dhe personel tjetër se çfarë do të bëhet me orarin e udhëtimeve. Filharmonistët arritën me 4,5 orë vonesë në Berlin. Kaluan nëpër stacione treni e hekurudha rrafsh 10 orë. Koncerti në Berlin filloi me 25 minuta vonesë. Një transmetim në radio u anulua.
Filharmonistët reaguan në Facebook kundër “Deutsche Bahn”. Aty u shfrynë. “Deutsche Bahn” reagoi me arsyetimin se trenat atë ditë u vonuan apo anuluan për shkak të motit të ligë. Filharmonistët nuk u dorëzuan dhe ua përkujtuan shefave të hekurudhave gjermane se si shkak për anulim apo vonesë të trenave kishin përmendur defektet dhe ndreqjet në tren. Moti apo defektet? E qartë është: diçka është e kalbur në hekurudhat gjermane. Por kjo është një histori tjetër.