Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Dimri i zgjatur politik

Qytetarët dhuruan përsëri një proces shembullor zgjedhor. Tani kur valvula e zgjedhjeve i qetësoi emocionet politike, është radha e partive politike që t’i japin fund këtij dimri të zgjatur politik

Kur Vjosa Osmani kuptoi se nuk do të zgjidhet presidente, ajo shpërndau Kuvendin në mënyrë të padrejtë dhe tha se këtë situatë e krijuan “njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”. Ishte një deklaratë inflatore dhe jo elegante e cila vinte nga një person të cilin ishim mësuar ta shohim më të matur. Kjo deklaratë e vrazhdë la të kuptohet se Vjosa kishte përzier synimet personale me përgjegjësitë institucionale. Se sa shumë ishte personale e kuptuam edhe kur Vjosa kaloi nga Zyra e Presidentes drejt në fushatë zgjedhore. Ajo çfarë ishte kriptike dhe okulte u bë publike dhe zyrtare – Vjosa e shndërroi fushatën në referendum të saj personal për pozitën e presidentit. Dhe ndonëse ende ka dyshime për plot aspekte të rezultatit zgjedhor, një gjë është tani më e qartë – Vjosa humbi referendumin për pozitën e presidentit. Me shpërndarjen e Kuvendit dhe fillimin e luftës publike me Kurtin ajo luajti bixhoz të rrezikshëm politik – nga rekordi historik prej mbi 300 mijë votash, Vjosa do të marrë aq sa merr Përparim Gruda i PDK-së apo Xhelal Sveçla i VV-së. Thënë ndryshe, Vjosa tani e gjen veten në një realitet të ri politik ku duhet të gjejë paqe me faktin që Vjosa e sotme nuk është më Vjosa e djeshme. Ky nuk është fundi i karrierës së saj politike, por pa dyshim është fundi i një kapitulli.
Duke kaluar nga Vjosa te humbësi i dytë i këtyre zgjedhjeve – humbësi i dytë patjetër është opozita. Po të kishte rënë në komë para dhjetë vjetëve do të kishte qenë e paimagjinueshme që në Kosovë do të vijë dita kur një parti e vetme do të fitojë pak a shumë 50% të votës me “duar në xhepa” në çdo palë zgjedhje që organizohen. Sot VV-ja po e shndërron këtë fantazi politike në fakt të mirëqenë zgjedhor.

Paaftësia e opozitës që t’i bindë qytetarët se janë alternativë serioze politike po hyn tani në një fazë të re ku opozita parandalimin e fitores së VV-së prej 60% po e feston si sukses. Me një anë duhet kuptuar edhe opozitën. Jam i bindur që PDK-ja e di çfarë duhet të bëjë, por është e zënë në suspancë në mes të së kaluarës dhe së ardhmes. Në mes të Hagës dhe Prishtinës. Në mes të çlirimtarëve dhe ndryshimit. Besoj që vetëm koha do t’ia ofrojë PDK-së përgjigjet që i kërkon. LDK-ja në anën tjetër vazhdon në auto-pilot të besojë se mediokriteti i udhëheqjes së saj është mburoja më e mirë ndaj rrëshqitjes së mëtutjeshme në irelevancë politike. Në mes guximit politik për ndryshim kursi dhe sigurisë që ofron parashikueshmeria e mediokritetit, LDK-ja tani për tani zgjedh këtë të fundit. AAK -ja ka mbijetuar që të luftojë një ditë tjetër - por mbijetesa e ndërtuar mbi një emër të vetëm është gjithnjë mbijetesë me afat skadimi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Fituesi i parë, nga ana tjetër, është KQZ-ja. KQZ-ja tani po e çimenton statusin e saj si një nga institucionet më kredibile në vend. Zgjedhje pas zgjedhje KQZ-ja është duke ua provuar të gjithëve se është e aftë të ekzekutojë me përpikëri, efikasitet dhe integritet procese komplekse zgjedhore. Shpejtësia dhe cilësia më të cilën e gjithë arkitektura kolosale e KQZ-së – nga kryetari, anëtarët, departamentet dhe divizionet e KQZ-së e deri te këshillat e vendvotimeve – është e aftë të administrojë procesin zgjedhor në afate të jashtëzakonshme kohore, është diçka e cila po shndërrohet tani në standard institucional për të gjitha vendet e rajonit. Dhe për mua pjesa më e bukur e gjithë suksesit të KQZ-së është se është rrëfim i një suksesi të përbashkët institucional, dhe jo storje personale e një individi. Shumë shpesh në Kosovë, por edhe në vende të tjera, biem në një grackë ku suksesin e një institucioni e lidhim me emrin e një njeriu. Kjo është gjëja më e gabueshme në jetën e institucioneve publike. Institucionet publike janë ndërtuar mbi premisat e mohimit të individit dhe mbrojtjes të së mirës së përbashkët. Kjo është arsyeja përse virtyti më sublim i një shërbyesi publik – sikur i një prifti apo hoxhe - është modestia dhe sakrifica për të mirën e përbashkët. Prandaj, shërbyesi model publik asnjëherë nuk do të kërkojë merita dhe njohje për veten, por për të tjerë. Kësisoj, ironikisht synimi i çdo shërbyesi publik duhet të jetë që ai personalisht të mos mbahet mend, por veprat e tij të gëzohen nga të tjerët. Kësisoj, Flamur Radoniqi vite më vonë do të ketë arsye të gëzohet që ka kryesuar mbi diçka që do të mbahet mend, ndonëse emri i tij do të harrohet. Ky është çmim me të cilin duhet të jetë në paqe çdo shërbyes fisnik publik.

Fituesi i dytë janë qytetarët. Ndonëse të traumatizuar nga çdo gjë që kishte ndodhur këta disa muajt e fundit qytetarët e Kosovës na dhuruan përsëri një proces shembullor zgjedhor. Përsëri Kosova dëshmoi që së paku në këtë fushë përmbushim plotësisht atë që quajmë “standarde evropiane”.

Thënë ndryshe së paku në këtë fushë dukemi sot sikur Luksemburgu dhe Finlanda. Ky suksesi ynë demokratik është edhe më rrezatues në sfondin e protestave që janë duke ndodhur në vendet e rajonit. Në Serbi dhe Shqipëri qytetarët janë duke humbur besimin në sistemin e tyre politik dhe në mungesë të instrumenteve institucionale për të kanalizuar pakënaqësinë e tyre ata janë duke iu drejtuar të vetmes gjë që iu ka mbetur – rrugëve dhe shesheve. Thënë ndryshe ajo që po shohim në Beograd dhe Tiranë është shprehje e një frustrimi masiv qytetar mbi një sistem të bankrotuar politik. Ata po tentojnë të rifitojnë në rrugë atë që iu është rrëmbyer përmes shtrembërimit të proceseve demokratike dhe institucionale. Kjo është në kontrast të thellë me realitetin politik në Kosovë ku qytetarët e Kosovës ndihen se institucionet e tyre politike dhe proceset e ndërlidhura demokratike janë shprehje legjitime e interesave të tyre qytetare. 

Dhe fituesi i tretë patjetër ngelet Kurti. Me “duar në xhepa” ai përsëri iu afrua 50%-shit. Zgjedhjet rikonfirmuan besimin e pjesës dërrmuese qytetare te vizioni i tij politik. Ai arriti këtë pa kapur institucionet publike, pa aleanca me oligarkë, pa mbështetje të klaneve kriminale dhe pa monopolizim të mediave – të gjitha këto standard rajonal qeverisës. Po, patjetër, ai bëri lojë të padrejtë politike kur përdori instrumentet e pushtetit qeverisës për të shpërndarë resurse financiare të shtetit në kohë fushate, por në sfondin e praktikave qeverisëse rajonale ky është një faux pas të cilin politikanët e kanë shndërruar në zakon qeverisës.

Një nga veprat më të hershme dhe më impresive mbi demokracinë e re amerikane ka ardhur nga një francez. Në lindje të SHBA-së Alexis de Tocqueville ka vizituar tokën amerikane për të kuptuar më shumë mbi këtë eksperimentin demokratik që ishte duke ndodhur në këtë tokë të re. Një nga gjërat që kanë impresionuar Tocquevillin ishin zgjedhjet. Përshkrimi i tij për zgjedhjet amerikane para 200 vjetësh duket sikur i shkruar për ne sot. Tocquevilli shkruante “Në fushatë zgjedhore lind një mot i furishëm ankthi, intrigash dhe konfliktesh. Qytetarët futen në llogore dhe i gjithë kombi është në ethe. Sidoqoftë, sapo zgjedhjet përfundojnë kjo vranësi e zymtë i hap rrugë diellit rrezatues dhe stinët më të bukura të vitit arrijnë. Kësisoj lumi i fatit të shtetit amerikan kthehet në shtratin e vet natyrshëm pasi gati i shkatërroi të gjitha brigjet e tij”. Kësisoj uroj që edhe ne tani me përfundimin e zgjedhjeve po dalim ngadalë nga një dimër i gjatë politik dhe para nesh është një stinë e bukur verore.