Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Dhjetë ditë për t’i shmangur zgjedhjet

Në mesin e votuesve të gjykatës u gjend edhe, dikur deputetja, Vjosa Osmani, e cila pas 10 vjetësh nga themelimi i Gjykatës, u gjet edhe në mesin e protestuesve. Afër saj ishin edhe disa nga ish-deputetët që e kishin votuar Gjykatën – një pamje fort surreale dhe me pyetjen legjitime që kjo tërheq: a janë penduar për votën e dhënë, ngase ndryshe pjesëmarrja e tyre në këto protesta do të ishte hipokrizi. Pos, natyrisht, nëse pas këtij veprimi, te rasti i Osmanit, qëndron fushata zgjedhore për ripërtëritjen e mandatit në krye të shtetit

Hala nuk po më hiqet hidhërimi për shkak se e humbën një vit jete në pritje të themelimit të institucioneve në një shfaqje tallëse të të gjitha partive politike, posaçërisht asaj që doli fituese. Qe një vit që na ka dërrmuar në shumë aspekte, e për të cilën gjë zor kush do të marrë përgjegjësi. Sepse gjërat, ditëve të fundit, po shkojnë “business as usual”. Apo mbase edhe jo krejtësisht.

Kosova u bë madhore sivjet – 18 vjeç. Jashtë të të rëndomtave protokollare, nuk pati ndonjë program të veçantë të përgatitur për qytetarët, të cilët me gjithë borën që zgjodhi të binte mu atë ditë, megjithatë i mbushën rrugët e Prishtinës. Arsyet ishin kryesisht dy: parada e forcave të sigurisë dhe protesta në përkrahje të të akuzuarve apo edhe kundër Speciales në Hagë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aso tollovie në qytet, me vetura të parkuara vend e pa vend, e me lumë njerëzish që vërshonin trotuareve e rrugëve, moti nuk kisha parë. Një Prishtinë e mbushur me njerëz e lëvizje.

* * *

Protesta e radhës që u organizua kundër Gjykatës Speciale qe më e madhja deri tash. Nuk e di sa njerëz do të jenë mbledhur, por përfundimisht ka pasur shumë, sepse masës së mbledhur nga gjithandej Kosova, iu desh shumë kohë për t’u tërhequr nga qendra e qytetit. Trafikut urban iu deshën nja katër orë të mira për t’u kthyer në ritmin e rregullt të qarkullimit.

Kur i shihja pamjet e masës së mbledhur m’u kujtua se kur u votua themelimi i Speciales, po më duhet ta përsëris, me votat e të thuajse gjithë deputetëve të PDK-së si dhe të partive të tjera pos VV-së, atëherë nuk pati asnjë protestë të vetme. Askush nuk doli të protestonte me argumentet që kemi mundur t’i dëgjonim në disa vjet të fundit.

Për më tepër, do të mbahet mend deklarata e Thaçit kur i bindte deputetët e partisë së tij që ta votonin, duke iu thënë se “kush nuk e votonte është tradhtar”.

Gjithashtu do të mbahen mend edhe dy gjëra: një, që themelimin e Speciales e votuan edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, përfshirë edhe eprorë, Kadri Veseli, Elmi Reçica, Fadil Beka, Latif Gashi, Azem Syla, Agim Çeku, Anton Quni, Bekim Haxhiu, Xhavit Haliti, Rrustem Mustafa, Shaip Muja, Nuredin Ibishi... dhe dy, helikopteri shërbeu si mjet për ta sjellë Edi Ramën në Prishtinë, për të ushtruar edhe më shumë trysni që gjykata të themelohej – duke marrë garanci, thuhej, nga Mustafa dhe vetë Thaçi.

Në mesin e votuesve të gjykatës u gjend edhe, dikur deputetja, Vjosa Osmani, e cila pas 10 vjetësh nga themelimi i Gjykatës, u gjet edhe në mesin e protestuesve të ngjarjes që mbante moton “Drejtësi, e jo politikë”.

Afër saj ishin edhe disa nga ish-deputetët që e kishin votuar Gjykatën – në një pamje fort surreale dhe me pyetjen legjitime që kjo tërheq: a janë penduar për votën e dhënë, ngase ndryshe pjesëmarrja e tyre në këto protesta do të ishte hipokrizi.

Pos, natyrisht, nëse pas këtij veprimi, te rasti i Osmanit, qëndron fushata zgjedhore për ripërtëritjen e mandatit në krye të shtetit.

E se është në fushatë, së cilës i bashkohen edhe Ali Ahmeti e Edi Rama, nuk ka ndonjë hapësirë dyshimi. Sidomos udhëtari me helikopterin e trysnisë, që një ditë para përvjetorit të pavarësisë, deklaron: “Osmani u kërcënua dy vjet nga Prokuroria në Hagë pasi s’i la prokurorët ta kontrollonin Zyrën e Presidentit”.

Po të ishte kjo që e thotë Rama e vërtetë, moti e kishim dëgjuar qoftë nga vetë Osmani, qoftë nga kabineti i saj.

Nuk e besoj se deklaratat e tilla mund ta ndihmojnë kauzën e Osmanit, sepse e dyshoj se këto fjalë do të mund t’i bindnin deputetët që t’i japin nënshkrimet. E për t’u rikandiduar, ndërkohë që kanë mbetur 10 ditë, Osmanit i nevojiten 30 nënshkrime.

* * *

Protesta u mbajt një ditë mes deklaratash përfundimtare të të katër të akuzuarve në Hagë – ku të gjithë u deklaruan të pafajshëm. Kjo ishte pjesa e fundit e kësaj pjese të procesit, që do të vazhdojë tash me shqyrtimin e lëndës nga ana e trupit gjykues e më pas me shpalljen e aktgjykimit, që mund të marrë disa muaj.

Deri atëherë mund të ketë sërish protesta – porse duket se nuk do ta arrijnë efektin e dëshiruar. Nuk ka pasur reagim ndaj asnjërës protestë deri tash, pos deklaratës së zëdhënësit pas protestës të së martës, ku thuhej se protestat nuk ndikojnë në punën e gjykatës përderisa gjykatësit janë të detyruar të jenë të pavarur e të paanshëm dhe t’i përmbahen orarit të përcaktuar gjyqësor.

* * *

Ndërkohë, pas votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare javën e shkuar, këtë javë Kuvendi e kaloi buxhetin “emergjent” edhe në dëgjimin e dytë, pa e kaluar asnjë të vetmin amendament të paraqitur nga opozita.

Ministri i Financave e shpjegoi se amendamentet kanë gjasë të përfshihen në rishikimin e buxhetit që duhet të ndodhë së shpejti, porse megjithatë ajo që mbetet e pashpjegueshme është se si nuk u shfrytëzua saga e rinumërimit të votave për ta plotësuar e ndryshuar buxhetin, për t’ia përshtatur atë strukturës së re të Qeverisë, kur ata që e bëjnë tash qeverinë e kanë ditur se sa ministri do të jenë në këtë mandat.

Është shumë joserioze ta përpunosh me ndryshime kozmetike një dokument, i cili ka qenë i gatshëm që nga tetori i vjetëm. E prej tetorit deri në shkurt janë katër muaj e fiu, në të cilat ka mundur të ndërtohej një buxhet gjithëpërfshirës, me elemente e kërkesa tashmë të ditura.

Sidoqoftë buxheti i ri, më i madhi që nga çlirimi, sërish do të jetë buxhet shpërndarjesh e subvencionesh (më shumë se 1/3 e buxhetit). Do të jetë buxhet i rritjes së rrogave të shërbimit publik me gjithë beneficionin e rrogës së 13-të, duke e thelluar edhe më shumë hendekun mes të ardhurave të të punësuarve në sektorët publik e privat në favor të këtij të parit. Investimet kapitale do të mbërrijnë në rreth 25% të buxhetit.

Vendimi i ekzekutivit është që ndër ligjet e para që duhen miratuar të jetë ai për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, sikurse edhe ai për çmimet tavan, që kishte ndenjur në Kushtetuese një kohë të gjatë dhe ishte kthyer për shkak se u vlerësua në kundërshtim me nenin 7 të Kushtetutës.

Mbase ligji i ri do të ketë më shumë kujdes për detajet që nuk do të mund ta kontestonin përmbajtjen sërish, ashtu që të kalojë sa më shpejt, e të ndalet spekulimi për shumë artikuj, sidomos ushqimorë, çmimet e të cilëve kanë dalë jashtë kontrollit ka një kohë tashmë.

Se a do të mund ta ndalë inflacionin miratimi potencial i këtij ligji – nuk do ta dimë. Por përfundimisht, diçka do të duhej të ndodhte që të ndalet ky hov, se përditë po jetohet më vështirë.

* * *

Dhe përderisa gjërat duken të jenë kthyer në normale, sa u përket kuvendit e qeverisë, ndërkohë nisi Ramazani dhe që ditën e parë plasi polemika pas vendimit të DKA-së në Prishtinë, që ta akomodonte orarin e mësimit “në respekt të agjëruesve”. Ky vendim pasoi pas inaugurimit të dekorimit ndriçues të qytetit një natë më herët nga Rama dhe përfaqësuesit e BIK-ut.

Në katër vjetët e mandatit të shkuar, Rama nuk e kishte dekoruar qytetin për Ramazan. E pse bash sivjet? Thuajse tash po kthen borxhe për votat që ia siguruan mandatin e dytë.

Besoj se edhe dekorimi i qytetit e edhe vendimi i Drejtorisë së Arsimit janë të gabuara. Sepse i pari është veprim ndaj reaksionit: “kur bën për fundvit, pse s’bën për Ramazan” – pra, sipas meje, kalkulim i pastër i komunës për “t’i ndrequr punët me të gjithë”.

Nga ana tjetër, dhe shumë më serioze, përshtatja e orarit “për t’i respektuar agjëruesit” është në kundërshtim me laicitetin e shtetit të Kosovës të përkufizuar me nenin 8 të Kushtetutës.

Çështja e fesë dhe e besimit ose jo, është absolutisht çështje individuale dhe institucionet nuk duhen përfshirë në të, pos kur duhen respektuar festat zyrtare fetare.

Prishtinës i ka bërë vaki që t’i shembej një shkollë për t’u zëvendësuar me një tempull fetar. Asnjë dogmë nuk bën ta zëvendësojë arsimimin qytetar

* * *

Hovi me të cilin ka nisur punën Kuvendi mund të jetë ogur i mirë. Uroj të jetë përmbajtjesor dhe cilësor. Po qe se arrin ta tejkalojë sfidën e zgjedhjes së kryetarit apo kryetares së shtetit. Dy partitë opozitare kërkojnë kandidat konsensual, VV-ja nuk është deklaruar ende. Le t’ia bëjnë si të duan, por ta kenë parasysh interesin e Kosovës në rend të parë.

As nuk na duhet një përfaqësues pro forma, e as nuk na duhen zgjedhjet e reja.

[email protected]