Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Biografi të përgjakshme

Mbi “shtrëngimin për të numëruar” dhe “sëmundjen e urgjencës” sipas Robert Musilit. Dhe mbi biografitë plot kthesa të shqiptarit Halil Patrona në Stamboll dhe çetnikut Punisha Raçiq në Beograd

1.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shkenca shpjegon shumëçka, letërsia edhe më shumë. Në romanin e tij monumental “Njeriu pa cilësi”, shkrimtari austriak Robert Musil ankohet se me fillimin e shekullit të 20-të njerëzit nisën të vuanin nga “shtrëngimi për të numëruar” dhe nga “sëmundja e urgjencës”. Njerëzit ndiheshin nën presion për të numëruar sukseset, fitimin, të arriturat. Sëmundja e urgjencës nënkuptonte ngutësinë për të kryer një punë i pari, për të përhapur një lajm i pari, për të plasuar në treg një prodhim të ri, një armë të re, një ide të re. “Tronditja”, “trauma” dhe “nervozizmi” u bënë shenja dalluese dhe simptoma të kohës.

I lodhur me këtë situatë, matematikani Ulrich, personazh i romanit “Njeriu pa cilësi”, më 1913 vendos që për një vit “të marrë pushim nga jeta”. Por në vitin tjetër, më 1914, botën e përfshiu flaka e Luftës së Parë Botërore. Kishte aq shumë ngjarje saqë Ulrichu në një moment pyet: “A u zhvillua lufta ballkanike apo ajo? Njëfarë intervenimi ndodhi, por a ishte luftë a jo, këtë nuk e dinte tamam. Aq shumë gjëra e mundonin njerëzimin. Sërish ishte thyer rekordi i fluturimit në lartësi. Një punë për t’u krenuar. Nëse nuk gabonte, rekordi tani ishte 3700 metra, dhe burri që e kishte thyer rekordin quhej Jouhoux. Një boksier zezak e kishte mposhtur kampionin e bardhë dhe ishte bërë kampion bote. Quhej Johnson. Presidenti i Francës vajti në Rusi. U fol për paqen e kërcënuar botërore. Një tenor i sapozbuluar fitonte shuma aq të mëdha në Amerikën Jugore, për të cilat nuk ishte dëgjuar as në Amerikën Veriore. Një tërmet i llahtarshëm pllakosi Japoninë. Japonezët e gjorë. Me një fjalë: ndodhnin shumë gjëra, ishte një kohë e vrullshme, ajo kohë mes fundit të vitit 1913 dhe fillimit të vitit 1914”. Pas kohës së vrullshme, erdhi koha e luftës.

2.

Së fundi kryeministri i Irakut ka vizituar presidentin turk. Delegacionet e dy vendeve fqinje biseduan për problemet dhe prioritetet e përbashkëta. Pastaj u organizua një banket. Në një tavolinë, mikpritësi nga Ankaraja dhe mysafiri nga Bagdadi, rreth e rrotull tyre këshilltarë, sekretarë, pëshpëritës, ideologë, propagandistë, zyrtarë të lartë dhe jo aq të lartë – të gjithë duke ngrënë dhe pirë sherbet e ajran. Krejt kjo shoqëruar me muzikë me tone orientale. Një pritje e tillë, siç shkruan “Süddeutsche Zeitung”, do të ishte diçka normale në kohëra normale. Në kohën e koronës, krizës ekonomike, sanksioneve nga BE-ja dhe SHBA-ja, një banket i tillë ngjall zemërim sidomos tek opozita turke.

Në duart e deputetëve opozitarë ka rënë një video nga banketi opulent. Sofrat plot, të gjithë të ulur shumë afër njëri-tjetrit dhe askush me maskë. Në Twitter, mediumin për shprehjen e shpejtë të zemërimit, politikani Devrim Bariş Çelik nga partia socialdemokrate CHP shkroi: “Për kombin festat janë të ndaluara, pronarët e dyqaneve i kanë punët keq, qytetarëve u mungon buka, por sofra e sulltanit është plot”. Politikania e re e CHP-së Hatice Tuğçe Kaya tha: “Qeveria e ndëshkon popullin me uri dhe varfëri, ndërsa në pallat jeton si në epokën e tulipanëve”.

Në fillim të shekullit të 18-të Perandoria Osmane kishte pësuar disa disfata ushtarake, por në pallatin e Sulltanit në Stamboll mbretëronte atmosferë dekadente. Simbol i asaj kohe u bë tulipani. Kjo kohë u quajt “lale devri”. Sulltan Ahmeti i Tretë mbillte tulipanë dhe i eksportonte deri në Holandë. Në mbrëmje, kur Sulltani festonte me shoqëri, mbi guaskën e breshkave vendoseshin qirinj dhe breshkat pastaj lëviznin nëpër lehet e mbjella me tulipanë. Por kjo dalldi e dekadencë nuk zgjati shumë, më 1730 pasoi një kryengritje e jeniçerëve. Sulltani u detyrua të largohej, kryeveziri i tij Ibrahim Pasha u ekzekutua. Prijës i kryengritjes së jeniçerëve ishte shqiptari Halil Patrona (i njohur edhe si Patrona Halil) nga Hrupishta e rrethit të Manastirit. Halil Patrona ishte i njohur në kohën e tij. Piktori francezo-flaman Jean Baptiste Vanmour i ka bërë madje një portret.

3.

Punisha Raçiqi ishte çetnik. Dhe vrasës. Më 1928 ai vrau në parlamentin e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene në Beograd tre deputetë kroatë, mes tyre liderin e Partisë Fshatare Kroate, Stjepan Radiqin. Punisha Raçiqi ishte pasardhës i fisit malazias të Vasojeviqëve, nga i cili rridhte edhe familja e kriminelit të mëvonshëm serbomadh Slobodan Milosheviqit. Gjatë luftërave ballkanike Punisha Raçiqi veproi si udhëheqës çetnik në Maqedoni. Pastaj organizoi një kryengritje të fiseve shqiptare katolike në Shqipërinë e veriut, ndërsa në Kosovë mori pjesë në shtypjen e lëvizjes së kaçakëve shqiptarë.

Më 1927 Punisha Raçiqi u zgjodh deputet në parlamentin e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene në Beograd (nga zona e Tetovës). Në këtë funksion ai u zgjodh si kandidat i partisë Xhemijet, e cila mes dy luftërave botërore përfaqësonte interesat e shqiptarëve, në radhë të parë atyre të besimit mysliman. Domethënë: një parti e shqiptarëve kandidonte një radikal serb për t’u zgjedhur në parlamentin e Beogradit. Historia e shqiptarëve është e mbushur me plot kthesa dhe befasi! Punisha Raçiqi nuk ishte i vetmi. Nastas Petroviqi, ministër radikal, ishte kandidat i Xhemijetit për deputet të zonës Zveçan-Rashkë. Në Kosovë, sipas historianit kroat Ivo Banac, një myfti lokal ishte në listën e kandidatëve të Partisë Popullore Radikale serbe (NRS).

Pas atentatit Punisha Raçiqi u dënua me 20 vjet burg dhe u vendos në një vilë jo larg Pozharevcit, vendlindjes së Slobdan Milosheviqit. Në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore Raçiqi u vra nga partizanët jugosllavë.